Home KRYESORE Denoncimi shokues për Fiks Fare, 12-vjeçarja e abuzuar seksualisht: Kam jetën në...

Denoncimi shokues për Fiks Fare, 12-vjeçarja e abuzuar seksualisht: Kam jetën në rrezik!

Denoncimi shokues për Fiks Fare

Vajza, emrin i së cilës nuk është publikuar nga redaksia e “Fiks Fare”, iu drejtua emisionit për të denoncuar disa padrejtësi. Ankesat e para kishin të bënin me drejtorin e shkollës 9-vjeçare të fshatit Donofrosë në Bashkinë Ura Vajgurore, Myrteza Bode.

“Më ka bërë të braktisur nga shkolla, më ka thënë se unë dal nga ora e mësimit dhe largohem, hipi në makinë, dua të drejtën time. Këto fjalë drejtori ia ka thënë inspektorit të policisë. Unë dua të drejtën time. Kërkoj pse ma kë bërë këtë padrejtësi. Kërkoj rikthimin në shkollë dhe që shteti të marrë masa”, tregoi vajza, e cila rrëfeu edhe historinë e saj të dhimbshme.

“Unë jam bërë viktimë e abuzimit seksual në moshën 12-vjeçare. Personi që më kërcënoi më thoshte se do të më çonte prostitutë në Maltë, më thoshte të gjeja edhe ndonjë kushërirën time. Me ty do bëj lekë, më thoshte. E denoncova por policia nuk i mori për bazë denoncimet”, tha 16-vjeçarja.

Ajo tregoi edhe ditën e abuzimit. “Isha në një dyqan në fshatin ku banoj, në Slanicë të Urës Vajgurore. Ky person erdhi me një makinë ngjyrë gri dhe më mori me forcë. Gjërat që kisha blerë më ranë nga dora. Me ty do të bëj lekë, më thoshte. Më çoi në Cukalat dhe më kërcënonte. Do të të vras familjen, thoshte”, rrëfeu vajza.

Ajo tha gjithashtu se personi kishte qenë me njerëz të tjerë në makinë dhe se kur ishte kthyer në shtëpi nuk u kishte thënë prindërve për sa kishte ndodhur.

“Ishte ora 12 e gjysmë e natës. Mami kishte dalë nga shtëpia. Kur zbrita nga makina ai më shtyu, por mami nuk pa gjë. Unë e gënjeva mamin, i thashë se kishte qenë kushëriri. Të nesërmen telefonova Policinë e Fierit, në orën 09:00. Ia tregova ngjarjen një kushërirës time dhe ajo më tha se isha minorene”, tregoi më tej vajza.

Ajo shtoi se, personin që e kishte abuzuar e arrestuan 10 minuta pas kallëzimit dhe gjatë dëshmisë ai e kishte kërcënuar sërish. “Kam dëshmuar për këtë person. Sapo dola nga komisariati ai më bënte ca shenja. Kam për të të vrarë, thoshte”, tha më tej minorenia.

“Më kanë kërcënuar mua dhe familjen”

16-vjeçarja tha për “Fiksin” se prindërit e personit që e lëndoi kanë qenë në muajin mars të vitit 2015 te shkolla e saj në fshatin Donofrosë. Ajo tha se ndoshta kjo ka qenë arsyeja pse drejtori i kësaj shkolle i mbajti asaj qëndrim.

“Drejtori më tha se kishin ardhur prindërit e atij djalit dhe se nxënësit ishin në rrezik. Unë iu përgjigja vetëm për veten time, askush nuk lëndohet”, vijoi vajza rrëfimin, ndërsa u ndal edhe te organet e drejtësisë.

“Personi që më lëndoi nuk e kreu dënimin sa duhet. Unë pata frikë për kërcënimet, edhe babi im pati frikë pasi takohej me babanë e atij djalit. Unë kërkoj që shteti të marrë masa. Vëllai dhe motra shkojnë në shkollë, mund të lëndohen. Personi ka bërë vetëm dy vite burg, doli në janar 2016, ai banon në fshatin Vidhisht të Roskovecit. Aktualisht është 23 vjeç, kur ndodhi ngjarja ishte 19 e gjysmë. Unë policisë ia kam theksuar me mijëra herë dhe ajo duhet të mbajë përgjegjësi për ngjarjen. I jam drejtuar edhe ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Avokatit të Popullit, por asnjë masë nuk është marrë. Avokati i Popullit më ktheu një letër, më tha se ishte autori ishte dënuar me 4 vite burg”, shtoi vajza.

“Jam thirrur në muajin prill 2016 në polici, ku kam bërë kallëzim për kërcënimet që më vinin. Kërcënimet kanë filluar 1 muaj pas ngjarjes, në maj 2014. Babai i këtij personi kërkonte që të hiqja denoncimin. Iu thoshte prindërve të mi se, do ju vë flakën, do ju heq qafe. Unë për këtë dua drejtësi, dua që mos të më cenojë njeri të drejtën për të jetuar. Policia nisi një procedim penal për kallëzimet dhe personi në fjalë ishte marrë në pyetje shumë vonë, 8 muaj më vonë. Aktualisht kjo çështje është e mbyllur. E kanë mbyllur dhe ngjarjen time nuk e kanë parashikuar si vepër penale. Unë dua drejtësi, jam e gatshme të përballëm me gjithçka”, tha minorenia.

Ajo shtoi se në shtator 2016 iu drejtua linjës kombëtare të këshillimit të fëmijëve, por sërish gjërat nuk shkuan si duhet.

“Më referuan te një psikologe, por i kërkova të largohesha. Ajo nuk kontaktonte shpesh, në fillim fare. I kërkova të më ndihmonte në shkollë dhe më tha se në tetor do isha e regjistruar. Unë prita, por më tha se i kishte vdekur babai dhe se ishte në zi”, u shpreh vajza.

Në janar 2017 atë e dërguan në shkollën në Cukalat, ku e pritën mirë dhe bashkia e ndihmoi me një ndihmë ekonomike prej 25 mijë lekë të reja. por hallet nuk mbaruan me kaq. Kërcënimet vazhduan dhe vazhdojnë edhe sot, ndaj vajza kërkoi ndërhyrjen e shtetit.

“Kërkoj që shteti të mos bëhet kaq i padrejtë me njerëzit. Kërkoj që shteti të marrë masat e duhura. Kërkoj nga drejtori i shkollës të mbajë pak gojën. Kam një familje të mirë, në shkollë kam qenë vajzë e dashur. Shteti të marrë masë për kërcënimet në “Facebook” se po rri me sytë hapur natë e ditë. S’dua që nënës sime apo babait tim t’i ndodhë ndonjë gjë. Unë s’kam frikë nga asnjë gjë se njëherë vdes njeriu”, tha vajza.

Përplasja me drejtorin e shkollës

Gazetarët e “Fiks Fare” shoqëruan vajzën në shkollën 9-vjeçare në fshatin Donofrosë. Drejtori Myrteza Bode tha se vajza kishte qenë e regjistruar në klasën e tetë, por nuk ndiqte mësimin.

Ai tha se vajza nuk është përjashtuar ende dhe sapo të mbushë 16-vjeç mund të përjashtohet.

“Vajza ka një problem social, ka qenë gjatë vitit 2013. Nxënësja nuk ka frekuentuar shkollën. Nuk ka paraqitur ndonjë arsye. Ajo ka bërë një kallëzim penal që ka qenë objekt trafikimi mesa di unë”, tha ai, ndërsa vajza e kundërshtoi.

Ai i tha se me vajzën dhe me policinë kishin nënshkruar një deklaratë noteriale, ndërsa për ngjarjen tha se nuk mund ta cilësonte trafikim apo marrëdhënie me minorene. Drejtori tha se largimi i vajzës nga shkolla ishte përgjegjësi e rendit.

Më tej ai shtoi se do të flasë me Drejtorinë Arsimore të Beratit, nëse do t’i japë ose jo transferimin në një shkollë tjetër. Ai pohoi se ka vënë në dijeni edhe Drejtorinë Arsimore dhe i kanë thënë se vajza duhet të vazhdojë mësimin në atë shkollë.

“Ndihmën ia kemi dhënë, le të vinte. Unë tani s’i jap asnjë lloj ndihme, të vijë këtu e të vazhdojë klasën e tetë”, tha drejtori, ndërsa i bëri thirrje vajzës të mos e shantazhojë.

Gazetarët e “Fiks Fare” shkuan edhe në Drejtorinë Arsimore të Beratit. “Ne sot jemi vënë në dijeni të këtij rasti, pasi drejtoria e shkollës nuk na ka lajmëruar më parë. Vajzën do ta dërgojmë të vazhdojë shkollën në Cukalat. Do të caktojmë një psikologe dhe një mësuese shtesë. Falënderojmë “Fiks Fare” që e bëri prezent këtë problematikë”, deklaroi përfaqësuesja e DAR në Berat.
/Top Channel

Share: