Home KRYESORE Aktoret rrëfejnë përdhunimet dhe ngacmimet seksuale: Weinstein më detyroi ta prekja dhe...

Aktoret rrëfejnë përdhunimet dhe ngacmimet seksuale: Weinstein më detyroi ta prekja dhe të…

Pasi u bë publik skandali i ngacmimve dhe abuzimeve seksuale të themeluesit të Weinstein Company dhe Miramax, Harvey Weinstein me vartëset e tij dhe aktoret e reja për më tepër se tre dekada, personazhe të njohur hollivudianë po reagojnë dita-ditës e po tregojnë historitë e tyre personale të ngacmimeve që kanë pësuar nga ky producent.

Yje të tjera të botës së kinemasë kanë marrë guximin të rrëfejnë eksperiencat personale: ai i kërkonte takime private për të diskutuar mbi filmat e më pas i ngacmonte e i prekte kundër dëshirës.

Ja rrëfimet e tyre:

Gwyneth Paltrow ishte vetëm 22 vjeçe kur ju besua roli i cili do ta shndërronte aktoren e re në yll: producenti Harvey Weinstein e kishte punësuar për rolin e Emma-s, një përshtatje nga vepra e Jane Austen. Përpara xhirimeve ai e ftoi aktoren në suitën e tij të hotelit në Beverly Hills për një takim pune, i cili përfundoi me ngacmime nga ana e Weinstein duke i sugjeruar aktores të shkonin për masazh në dhomën e gjumit.

Paltrow ka treguar në një intervistë se ishtë një fëmijë, e frikësuar që ju nënshtrua, duke zbuluar se është ngacmuar seksualisht nga njeriu që ngriti karrierën e saj dhe e ndihmoi të fitonte çmimin Academy Award më vonë.

Aktorja është larguar dhe ja ka rrëfyer këtë ngjarje të dashurit të saj Brad Pitt, asokohe. Ata u përballën dhe vendosën që kjo ngjarje të mos bëhej publike. “Mendoja se do të më pushonte nga puna”, ka treguar këtë sekret Paltrow. Ajo ka shtuar se kjo mënyrë e të trajtuarit të grave përfundon tani.

Angelia Jolie: “Kam patur një eksperiencë të keqe me Harvey Weinstein kur isha e re, prandaj, si rezultat zgjodha të mos punoj më me të dhe të këshilloja të tjerat të tregonin kujdes me të.

Kjo sjellje ndaj grave në çdo fushë e në çdo vend është e papranueshme”. Në fund të viteve 90-të ajo ka refuzuar të takohet me producentin në një dhomë hoteli.

Tomi-Ann Roberts ishte një kamariere 20-vjeçare në Nju Jork, në vitin 1984, me dëshirën për të filluar aktrimin. Weinstein, një prej klientëve të saj, i dërgoi skenarin e një filmi që do te realizonte më të vëllanë, që Roberts të bëhej pjesë e një audicioni.

Ajo ka treguar se Weinstein e priste i zhveshur në një vaskë dhe i kishte kërkuar të zhvishej e të ndihej rehat, pasi edhe në film do të kishte një skenë topless. Ajo tregon se është ndjerë e manipuluar, se Weinstein nuk e kishte marrë ndonjëherë në konsideratë me interes profesional, por kishte dashur vetëm ta shfrytëzonte.

Sot, Roberts është profesore psikologjie në Universitetin e Kolorados duke studiuar mbi objektivizimin seksual me interes të madh. Në vitet në vijim ajo kishte patur vështirësi për të parë filmat e tij e kur skandali u bë publik ajo tha: “Mos është ky një nga filmat e Miramax?”

Rosanna Arquette vinte nga një familje aktorësh. Në fillim të viteve ’90-të Weinstein i kërkoi asaj të takoheshin në Hotelin Beverly Hills për të marrë skenarin për një rol filmi. Asaj ju duk e çuditshme që ju kërkua të ngjitej në dhomë e megjithatë shkoi. Weinstein e priste i veshur me rrobdeshambër duke u ankuar për një dhimbje qafe dhe duke i kërkuar asaj një masazh.

Ai e kapi me forcë dhe e detyroi që ajo ta prekte! Kur Rosanna u tërhoq dhe e refuzoi me arsyen se nuk do të ishte kurrë nga ato lloj vajzash, Harvey e kërcënon duke i thënë se po bën një gabim të madh. Filmi nuk u prodhua dhe më tej Rosanna u përpoq që ta shmangte Harvey-n.

“Mirë se erdhe në familjen Miramax”, i kishte thënë Harvey aktores së re Katherine Kendall në vitin 1993. Ajo ishte 23 vjeçe. Pasi ishin marrë vesh mbi rolin në filmin “Beautiful girls”, përmes agjentit të saj, ata kishin shkuar në një kinema në Manhattan. Weinstein i kishte nxjerrë asaj justifikimin se duhet të shkonte të merrte diçka në shtëpi dhe e fton brenda.

“Isha nervoze, por u qetësova kur pashë fotot e bashkëshortes së tij në mur. Folëm rreth një orë për art dhe libra dhe mendova se po më merrte seriozisht”, ka treguar ajo deri në momentin që Harvey ju shfaq me rrobdeshambër e i ka kërkuar masazh. Kur Kendall e ka refuzuar ai i doli lakuriq dhe nuk e linte të ikte me arsyen se kështu bënin të gjitha.

Duke hasur në refuzimin e saj ai ju lut të paktën ta linte t’i shihte gjoksin. Kendall tregon se është ndjerë tepër e ofenduar në ato momente.

Dawn Dunning luante role të vogla në vitin 2003, studionte dizajn dhe ishte kamarjere në një klub nate kur u njoh me Weinstein. Ai i kishte ofruar një audicion në Miramax duke u treguar miqësor, i kujdesshëm e me profesionalitet.

Ai e ftoi për drekë, për darkë, madje i ofroi bileta për në Broadway, për të dhe të dashurin e saj. Asistentja e Weinstein e ftoi 24-vjeçaren për drekë në një hotel në Manhattan dhe i tha asaj të priste në suitë, pasi ai po vonohej në një takim.

Weinstein, i veshur me robdeshambër i tregoi Dunning kontratën për tre filma të ardhshëm nëse do të bënte seks me të. Kur ajo e refuzoi, duke e pyetur nëse po bënte shaka, Weinstein u nervozua dhe i tregoi se kjo është mënyra e vetme e të bërit biznes! Ajo e la aktrimin dhe filloi të skiconte veshje./360grade.a/

Share: