Home KRYESORE Franca merr vendimin për pavarësinë e njëanshme të Katalunjës

Franca merr vendimin për pavarësinë e njëanshme të Katalunjës

Franca tha se nuk do ta njohë pavarësinë e Katalunjës, nëse qeveria rajonale vazhdon me planin për shpalljen e njëanshme të saj.

Parisi zyrtar nxiti gjithashtu palët që ta zgjidhin me negociata krizën që buroi nga referendumi i javës së shkuar.

Ministrja franceze e Çështjeve Europiane, Nathalie Loiseau tha se, nëse pavarësia shpallet në mënyrë të njëashme, Franca nuk do ta njohë, pasi Katalunja nuk mund të përcaktohet vetëm nga vota e organizuar nga lëvizja për ndarjen.

Loiseau rikujtoi gjithashtu paralajmërmimin e Komisionit Europian, se Katalunja e pavarur do të ishte jashtë BE-së.

“Nëse pavarësia do të njihej, pavarësisht se askush nuk diskuton për këtë, pasoja e parë do të ishte dalja automatike nga BE”, deklaroi Loiseau.

Pritet që udhëheqësi katalanas Carles Puigdemont të çojë rezultatet e referendumit para Parlamentit rajonal të martën, e Spanja druhet se kjo mund të jetë dita e shpalljes së pavarësisë. Puigdemont tha se, nëse nuk ka negociata me Madridin, krahina do të aplikojë ligjin e miratuar më herët për pavarësinë.

Por, në krahun tjetër, duke treguar se nuk ka asnjë shenjë për kompromis, qeveria spanjolle në Madrid thotë se do të përdorë çdo masë të nevojshme për të ruajtur unitetin e Spanjës. /360grade.al

Share: