Home KRYESORE Ju Sfidoj! Nga Jeta Katro.

Ju Sfidoj! Nga Jeta Katro.

Rigerta Loku, vajza nga Rubiku, e studiuar në universitetin La Sapienza te Romës dhe e specializuar për mardhënie ndërkombëtare në Itali, që nuk mundi të gjej dot punë as në Mirditën e saj, sfidoi duke hedhur me guxim dhe kurajo në sesionin përmbyllës të parlamentit të parë rural shqiptar dorezën e sfidës.

Më sakt, ajo e kish nisur këtë sfidë që kur iu refuzua punësimi në dy qytetet veriore të Mirditës, per t’u vendosur më pas në fshatin e largët Prosek, me më pak se 1,500 banorë, si pasojë e braktisjes të fshatit nga mungesa e rrugëve, ujit dhe energjisë. Pa e lejuar veten të bëhet skllave e zakonit, ajo guxoi të verë në jetë ëndërrën e saj për të ngritur një fermë me dhi, e më pas prodhime e produkte që do krijonin një brand të ri me emrin e familjes së saj.

Pavarësisht sarkazmës të keqëdashësve, miopëve dhe të pashpresëve, që aq shumë janë shtuar e po shtohen çdo ditë në realitetet tona, ajo arriti t’i sfidojë të gjithë ata që nuk rreshtën së thëni se dy diplomat i paska patur për të ruajtur dhitë.

Ju sfidoj! Ishte thirrja e saj aq e munguar në mjedisin shqiptar të njohur për një heshtje të gjatë nga shoqëria civile edhe pse në një periudhë të vrullshme zhvillimesh në vënd. Reagimet diabolike e të shuara shpejt të zërit të organizatave dhe grumbullimeve të shoqërisë civile, apo sulmet e ndërsjellta inatçore të politikës të shoqëruar me një media të polarizuar, ku shpesh dëgjon akuza për afera korruptive dhe mafjoze, do ta çonin shoqërinë në prag të asgjësimit të ndërgjegjes kombëtare.

Do të përjetonim kështu realitete në pafundësi të trishta që nxitën bijtë e vëndit të kacafyten për të shkulur deri në rrënjë nga historia ngjarje dhe figura madhore të njohura. Figura të pranuara e të vlerësuara dhe nga vetë bota, a thua se paaftësia dhe makthi i tyre ishte përgjegjësi e Skëndërbeut, Nënë Terezës, Ismail Qemalit, Migjenit, po dhe vetë luftës Nacional Clirimtare, të cilët ata aq fort i kishin sulmuar. Ishin realitete që do të nxisnin bijtë e saj t’i largohen vendëlindjes për pak qetësi e mirëqënie, për më shumë mundësi kariere, apo edhe për humbje shprese se gjërat do mund të ndryshonin. Dhe rrezikuan të shkonin diku larg, në vëndet e Europës apo ato përtej oqeaneve, për të provuar fatin e tyre në kurbetin e kohërave moderne.

Por Rigerta do na bënte të kuptonim se po ndodhte ajo që ne të gjithë prej kohësh prisnim të ndodhte.

Si lëvizje e gruas, ajo na bëri të kuptojmë atë që ne kishim parashikuar para tre vitesh, se rendja pas numrave për rritjen e përfaqësimit femëror në vendimmarrje e kish kryer tashmë misionin e saj, dhe se pa një zë të gruas nuk do mund të ecej përpara.

Fjala e saj e drejtëpërdrejtë, e artikuluar fort, mirë e bukur për nevojat bazike të munguara në fshatrat e largëta do të duhet të jetë alarm i një tërmeti që po vjen, prandaj dhe duhet të zgjojë nga topitja shoqërinë civile dhe institucionet e përgjumura të shtetit.

Jam e bindur se figurat femërore kaq shume të lakuara kohët e fundit në media dhe opinionin publik e kanë kuptuar tashmë se nuk janë më të duhurat për të qenë pjesë e politikës dhe vendimmarrjës të lartë, për shkak të mungesave të tyre.

Figura si ajo e Eneida Senos, pedagogia e Drejtësisë që garonte për të qenë pjesë e strukturave të Vetingut nuk mund të jetë pjesë e tyre për shkak të boshllëqeve intelektuale te dëshmuara në konkurs apo dhe letrës të saj më pas. Por, dhe për shkak të gafave apo lapsusit si ajo e “Kuvendit Popullor” kaq befausese në vitet 2017, e që kurrsesi nuk mund të falen, sidomos kur bëhet fjalë për një pedagoge të Drejtësisë.

Izmira Ulqinaku, deputetja e re demokrate e Shkodrës që me dëshirën për të tërhequr vëmëndjen e opinionit publik, nuk mundi të kuptojë sa e rëndësishme është të thuash fjalën e duhur në vëndin e duhur, por që ajo nuk mundi ta thotë. Për rrjedhojë nuk mund të ngjallë shpresë pasi tregoi se i shërben si rreshtore më mirë politikës sesa interesit publik.

Ish deputetet e të majtës dhe të djathtës, pa përjashtuar asnjë, nuk mundën të bashkohen në një front të përbashkët në mbrojtje të interesave të komunitetit që përfaqësojnë. Me gjasa, ato dhe mund të mos jenë në dijeni se disa të drejta të komunitetit të tyre, për të cilat jam shprehur dhe në shkrime të tjera, kanë nisur të rrudhen pikërisht në vitet që ato ngrinin dhe ulnin kartonet për miratimin e ligjeve që rrudhnin këto të drejta.

Me gjasa, ato mund të mos dinë që me votën e kartonit të tyre kanë kaluar ligjin më të ri të pensioneve duke ndihmuar në uljen e shkallës të përfitimit prej tyre. Nëse vetëm pak vite më parë pensionet llogariteshin mbi bazën e pensionit minimal prej 12, 000 lekë të reja, ato sot përllogariten mbi bazën e pensionit social prej 7,000 lekë të reja, ku më të humburat janë pikërisht gratë, për shkak të numrit të tyre më të madh si përfituese të skemës të pensioit, por dhe për shkak të daljes me herët në pension apo jetëgjatësisë më të madhe nëse krahasuar me burrat.

Deputetet apo ishet e heshtura socialiste dhe demokrate, që në më të shumtën e rasteve i shërbyen pushtetit të njëshit në partitë e tyre duke heshtur edhe kur shkeleshin të drejtat e gruas nga vendimarrja politike dhe legjislative, pjesë e të cilës ato ishin, nuk mund të legjitimojnë më qënien e tyre në pararojë.

Për të qëndruar sa me gjatë në karriket e zaptuara, në më të shumtën e rasteve për shkak të përzgjedhjes partiake dhe personale të lidershipit sesa nënshtrimit në konkurim dinjitoz, shumë prej tyre në emër të partisë kanë rendur pas luftrave donkishoteske ndaj opozitës të partive të tyre. Sikundër dhe kanë rendur drejt daljeve në media edhe pse shpesh me performancë të dobët, duke i bërë kështu më shumë dëm se sa mirë figurës të gruas por dhe përpjekjeve të lëvizjes të gruas që luftonte për rritjen e përfaqësimit femëror në vendimmarrje brënda një klime politike të nxehtë dhe të dominuar nga burrat.

Thirrja e Rigertës ishte një mësim i madh dhe për lëvizjen e gruas, të cilës vitet e fundit i kanë munguar kauzat e vërteta. Mungesa e tyre ka bërë që të ketë organizata në rradhët e saj që kanë gjetur akses dhe strehë komode e të garantuar tek donatori shtet por dhe ata të huaj në vënd, që pavarësisht se garojnë për projekte pa impakte, profil, kapacitete dhe ekspertizën e duhur gjithnjë dalin fituese.

Duke shvleftësuar normat demokratike, një prej të cilave është dhe proçesi i konkurimit, ato ashtu si dhe oragnizata të tjera të shoqërise civile, kanë krijuar elitat e tyre si burim kontigjentesh ushqyese të politikës, por dhe bashkëpunimi me pushtetin në kontrinutin e përbashkët ndaj interesave të pakicës.

Zëri i Rigertës është një sinjal edhe për komunitetin ndërkombëtar për të kuptuar e rrespektuar më shumë e më mirë realitetet e zhvillimeve, e për t’i ofruar vëndit më shumë mundësi për aplikim të normave demokratike.

Nëse nuk do të ishte kështu, sot askush nuk do të befasohej me Rigertën. Askush nuk do të fliste për mungesën e shpresës dhe humbjes të besimit së gjërat do mund të ndryshojnë. Askush nuk do të çuditej për pyetje se përse shqiptarët vazhdojnë të jenë në krye të listave të azileve drejt vëndeve europiane e përtej oqeaneve.

Thirrja e Rigertës “Ju Sfidoj” duhet të na bëjë të bashkojmë forcat e t’i futemi punës për të gjetur Rigerta të tjera, të shtyra dhe mënjanuara deri më sot dhe nga gratë e politikës. Duhet t’i gjejmë e t’ia prezantojmë ato opinionit politik, publik e mediatik për t’i mirëpritur e përkrahur. T’i gjejmë ato për t’i mbajtur të informuara e për t’u reklamuar aftësitë, vullnetin, pasionin dhe vullnetarizmin për të qenë pionieret e ndryshimit.

Le t’i bashkohemi këtij zëri për të ndihmuar sëbashku të zbulojmë mirësinë e rigjejmë shpresën tek vetja. Le t’i bashkohemi këtij zëri për të sjellë pse jo si ministre të bujqësisë këtë bareshë të dhive. Dhe nuk do ishim i pari dhe i vetmi vënd në botë, pasi kjo ka ndodhur dhe në vënde të tjera të zhvilluara dhe civilizuara si Franca.

Washington DC, 30 shtator, 2017

 

Share: