Home KRYESORE Kombi shqiptar në zi për gjigandin e Albanologjisë: In memoriam për Dr...

Kombi shqiptar në zi për gjigandin e Albanologjisë: In memoriam për Dr Robert Elsie

Nga Dr Gëzim Alpion
Universiteti i Birminghamit, Angli

Mësova me keqardhje të thellë se sot u nda nga jeta Dr Robert Elsie, gjigandi i Albanologjisë, autori i më se 60 librave dhe i një numri shumë të madh studimesh të tjera, shumica dërmuese rreth kombit shqiptar.

Unë dhe Dr Elsie filluam t’i shkruajmë njëri-tjetrin në fillim të viteve 1990, kur po studioja për doktoratën në Universitetin e Durhamit. Ishte gjithmonë kënaqësi të merrja prej tij botimet që më dërgonte me një bujari karakteristike.

Që nga ajo kohë, ne kemi këmbyer mendime rregullisht në lidhje me një numër çështjesh të ndryshme që trajtonim në studimet tona. Korrespondenca jonë u intensifikua sidomos gjatë tre viteve të fundit, që unë po merrem me një studim akoma në progres për Nënë Terezën.

Dr Elsie dhe unë nuk ishim gjithmonë dakord për gjithçka. Në studimin e lartpërmendur, unë e kritikoj publikisht për herë të parë Dr Elsie në lidhje me disa mendime që ai ka shprehur për lidhjen e shqiptarëve me ilirët dhe natyrën dhe përhapjen e kristianizmin në trojet shqiptare.

Pavarësisht nga pikëpamjet tona të ndryshme, gjatë tre dekadave që kemi qenë në kontakt, ne kemi pasur një dialog të hapur, profesional dhe gjithmonë brenda normave të kortezisë, të ndërgjegjshëm në të drejtën për të menduar ndryshe, aq e domosdoshme për këdo që është i interesuar në avancimin e dijes.

Ata që më njohin si studiues, e dinë se sa skrupuloz jam për të mësuar edhe detajet më të vogla në lidhje me informacionin që kërkoj. Dr Elsie jo vetëm që u është përgjigjur të gjitha pyetjet e mia, por e bënte këtë gjithmonë me shpejtësi të mahnitshme, pavarësisht angazhimeve të shumta.

U ndjeva mire kur para pak muajsh Dr Elsie në një mesazh të shkurtër, ashtu siç duhet të jenë mesazhet të tilla, më përgëzoi për kontributin tim në fushën e studimeve për Nënë Terezën, vlerësim për të cilin do t’i jem gjithmonë mirënjohës.

Sot kam humbut një mik dhe koleg të mirë, edhe pse nuk pata kurrë kënaqësinë dhe privilegjin ta takoj personalisht.

Dr Elsie ka lënë një prodhimtari të jashtëzakonshme dhe të larmishme si askush tjetër në fushën e Studimeve Albanologjike. Albanologët do t’i jenë gjithmonë mirënjohëse këtij gjigandi të Albanologjisë për përkushtimin shembullor dhe kontributin e veçantë në rritjen e kredibilitetit ndërkombëtar të kësaj fushe ku, pavarësisht arritjeve, ngelet ende shumë për të bërë. Po kështu, Dr Elsie ka mirënjohjen e thellë të kombit shqiptar që gjeti tek ai një mik për jetë.

Share: