Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Ta gëzoni Kanabisin! Nga Dritan Laci

Ta gëzoni Kanabisin! Nga Dritan Laci

Fluturon… Fluturon… Kanabisi. Tashmë jemi lajm botëror dhe askush nuk mund të na e cënojë rekordin e kanabizimit të Evropës dhe me to edhe të faqeve të para të buletineve prestigjoze ndërkombëtare. Aq sa edhe avionët dezinfektues të mushkonjave nuk e mbulojnë dot më lakuriqësinë e kanabisit shqiptar që ka çarë “ferrën” dhe po drogon të rinjtë.

Arrestimi i djeshëm nga Policia Italiane i narkotrafikantit Moisi Habilaj, i dyshuar për lidhje të forta me politikën e lartë në Tiranë, I ka dhënë fund e njëherë e mirë shitjes mediatike qeveritare të kanabisit si tymosje e mendjeve të sëmura të opozitës. Po kështu ka rrëzuar njeherë e mirë edhe shitjen e kanabisit si lajm rozë nga disa analistë, që hidhnin shpesh ide se pak kanabis nuk do ti bënte dëm Shqipërisë. Në fakt sot jemi përballë një fakti shumë më tronditës.

Nëse Serbia dhe Mali i Zi janë gati për të çelur negociatat për në Bashkimin Evropian, Shqipëria i ka vënë shkelmin njëherë e mirë këty aspiratave dhe pse kryeministri Rama rreket herë pas here të shtyjë afatin për të qetësuar shqiptarët. Dhe kjo jo sepse Evropa nuk do i shqiptarët, as sepse nuk do Nënë Terezën, Ismail Kadarenë, Inva Mulën, Ermonela Jahon etj; por se pikërisht nuk do kanabisin shqiptar te të rinjtë e saj. Ndaj ta gëzoni Kanabisin z. Kryeministër. Ta gëzoni edhe kur thoni që janë avionë me mushkonja dhe bien si meteorë pistat e sajuara të Ishmit, Gjadrit e fshatrave të Vlorës, ndërsa ju mohoni gjithçka nga foltorja e Parlamentit.

Ta gëzoni edhe kur thoni që ky film mbaroi ndërkohë që droga shqiptare është kthyer si seriali “Narcos” dhe çan çdo ditë detin drejt Europës. Ta gëzosh Kanabisin dhe kur ajo që ti e quan media e kazanit denoncon mosfunksionimin e radarëve në det dhe ti për be nuk thua asnjë fjalë, vetëm lëshon batuta bajate ndaj armiqve të dukshëm dhe të padukshëm.

Ta gëzosh Kanabisin edhe që ua ndërrove fshatarëve kulturën bujqësore nga grurë në kanabis sativa.

Na bëftë mirë kjo që na mbolle. Kanabis mbollëm, ç’mbollëm-korrëm…../ Opinion.al

Share: