Home KRYESORE E lagu s’e lagu – taksë e sheshtë apo progresive? Nga Dr....

E lagu s’e lagu – taksë e sheshtë apo progresive? Nga Dr. Enriko Ceko

Kur flitet e shkruhet për taksën sheshtë dhe taksën progresive në Shqipëri nganjëherë më vjen edhe për të qeshur, nganjëherë edhe më vjen shumë gjynah dhe nganjëherë edhe më vjen shumë keq.

Me vjen për të qeshur pasi në Shekullin 21 qeveria shqiptare, një pjesë e mirë e ekonomistëve dhe shumica e gazetarëve (të ekonomisë) në Shqipëri ende vazhdojnë të merren me disa miliona dollarë apo euro, kur të tërë qeveritë e vendeve të tjera të botës dhe ekonomistët e gazetarët (kryesisht të fushës së ekonomisë) flasin e bëjnë llogari me milarda e triliarda. Kjo tregon varfëri konceptuale dhe intelektuale si të atyre që na drejtojnë, ashtu dhe të atyre që u kanë varur nga një këmborë në qafë e mendojnë që gjasme janë teoricienët e famshëm të ekonomisë e zhvillimit të Shqipërisë.

Më vjen shumë, shumë, shumë gjynah kur shikoj se si rropaten disa pseudoekonomistë e pseudogazetarë që t’i bëjnë përshtypje qeverisë arrogante dhe opozitës mendjemadhe e ca të tjerëve që u vijnë nga pas atyre, me zellin që tregojnë për të mbrojtur apo kundërshtuar taksën e sheshtë apo progresive, pa patur asnjë lloj argumenti dhe pa e ditur aspak se ç’farë përfaqësojnë në të vërtetë këto lloj taksash.

Këta gjysmakë ende nuk e dinë ndoshta se ka edhe ca lloje të tjera taksash që janë konkurruese me taksën e sheshtë dhe taksën progresive.

Këta mediokër ndoshta ende nuk e dinë se mjafton që të kërkosh në internet për të gjetur informacione mëse të mjaftueshme si nga ana akademike ashtu dhe nga ana praktike, për t’ja plasur surratit qeverisë mediokre dhe atyre që i mbajnë pishtarin dhe gjithashtu edhe opozitës injorante dhe palaçove që i vijnë asaj nga pas, farsën e lojës e lagu se lagu me taksat, llojet e tyre dhe sistemin fiskal në përgjithësi në Shqipëri.

Por, më vjen shumë keq, jashtëzakonisht keq, po tmerrësisht keq, kur ende në shekullin 21, pseudopolitikanët, pseudoqeveritarët, pseudoekonomistët, pseudogazetarët e ca pseudo të tjerë, që fatkeqësisht paskan qenë me shumicë mjaft të spikatur në këtë vend kaq të vogël e me kaq pak popullsi, nuk marrin guximin që të komunikojnë, flasin, takojnë ata pak njerëz me mend në kokë për të mësuar diçka më shumë për sistemin fiskal, llojet e taksave dhe mundësinë e aplikimit në Shqipëri të taksës së sheshtë e taksës progresive, cilat janë apo do jenë efektet e aplikimit të këtyre lloj taksave për individin, shoqërinë, buxhetin dhe ekonominë shqiptare në periudhën afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë.

Duket që paskeni qenë me shumë fat more qelbësira, pasi ende në Shqipëri kanë mbetur disa njerëz me mend në kokë. Shkoni e flisni me ata. Takojini. Jepuni vlerat që meritojnë. Mos i mbytni ata pak zëra që guxojnë të flasin ndryshe nga ju dhe bëjeni këtë sa ka ende edhe pak kohë, sepse nëse vazhdohet dhe ca vite të tjera me këtë mënyrë pune e me këtë sjellje ndaj njerëzve me shkollë e atyre pak individëve të ditur të vendit, nuk do jetë e largët dita kur sipas logjikës tuaj bimët duhet të ujiten me ujë të gazuar, coca cola apo edhe me qumësht vetë dhe vetëm sepse këto tre mallra do të kushtojë më lirë se uji i malit, që duhet të taksohet e duhet t’i vihet sahat që në burim.

Nëse do të vazhdoni ende me logjikën tuaj e lagu s’e lagu… (bishtin dheplra kur doli nga lumi – që është edhe arsyeja e kësaj shprehje të famshme popullore), për rastin e taksës së sheshtë dhe asaj progresive, do mbeteni gjithmonë keq e më keq se sa ju kanë lënë ata që u japin rrogën lëmoshë, e do bëni vrima në ujë që të kapni peshq, pa do merrni sharrën të sharroni malin se ju mbulon diellin, e do mprihni sëpatën që të prisni në mes lavatriçen e frigoriferin kur do ju duhet t’i çoni për skrap, etj si këto. Injoranca nuk ka brirë. Injoranca është edhe më e rrezikshme se bomba bërthamore.

Vërtet, dukesh sheshit se në Shqipëri mungon totalisht Homo Economicus – njeriu ekonomik – njeriu me logjikë. Dhe për këtë të fundit vërtet që më vjen njëkohësisht edhe për të qeshur, edhe keq, edhe shumë gjynah.

Mjerë ju o të mjerë, që ju ka vajtur thika në palcë e që ende i thurrni lavde madhështore koqeve të kandarit, që i keni vënë në krye e u mbani erë.

Share: