Home KRYESORE “Ju flet Moska”: Çfarë fshihet mbas princit të Libofshës? Çfarë ndodhi në...

“Ju flet Moska”: Çfarë fshihet mbas princit të Libofshës? Çfarë ndodhi në 18 shtator?…

Emisioni “Ju flet Moska” i Kastriot Myftaraj denoncoi mbrëmjen e sotme projektin për të cilin po diskutohet prej kohësh, krijimin e një Principate në Libofshë të Fierit. Myftaraj tha se ky është një akt antikushtetues për të cilin ka bërë kallzim penal në Prokurorinë e Fierit ndaj ideatorit, francezit Jarl Alexandre de Basseville dhe partneres së tij shqiptare. Por Prokuroria, tha Myftaraj, ka marrë vendim për mosfillimin e çështjes. Kastriot Myftaraj ngre shqetësimin edhe për zonën ku është zgjedhur, në të cilën sipas tij jeton një komunitet boshnjak i strehuar prej 1924 dhe që në regjistrimin e popullsisë në 2011 u deklaruan serbë. Sakaq Myftaraj akuzon edhe të ashtëquajturin Princ, i cili sipas tij është një person i Shërbimeve të Fshehta Serbe, njëherësh edhe trafikant ndërkombëtar droge, vepër penale për të cilën është dënuar.

Kastriot Myftaraj: Një qytetar francez i quajtur Jarl Alexandre de Basseville prej disa kohësh gjendet në Shqipëri dhe ka shpallur publikisht qëllimin e tij për të krijuar një principatë në zonën e Fierit, të quajtur Principata e Libofshës. Për këtë qëllim unë në shtator i kam dërguar Prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë në Fier një kallzim penal për këtë shtetas për disa vepra penale. Shkaku është se shpallja e një Principate të Pavarur në territorin e Shqipërisë përbën një akt antikushtetues, kriminal që dhunon pikësëpari bazat e shtetit të përcaktuara në Kushtetutë. Ditën e premte e keni parë që Basseville tek “Zonë e Lirë” përsëri e shpalli më me detaje projektin e vet për një Principatë sipas shembullit të Monakos, që do jetë anëtar i Kombeve të Bashkuara, shtet i pavarur.

E kishte bërë dhe më herët këtë gjë. Kallzimin e kam dërguar në muajin shtator, saktësisht me 18 shtator është regjistruar në Prokurorinë e Fierit. Prokurori që ka marrë çështjen, Genc Mame, ka marrë një vendim për mosfillimin e procedimit penal në ngarkim të këtyre dy shtetasve Jarl Alexandre de Basseville dhe partneres së tij shqiptare Egla Harxhi. Dua të sensibilizoj opinionin publik për këtë vendim të gabuar prokurorisë dhe ti bëj thirrje prokurorit të përgjithshëm ta marrë vetë personalisht në dorë këtë çështje, është shumë serioze. Gjithashtu i bëj thirrje Drejtorit të Drejtorisë së Hetimit dhe Parandalimit të Akteve Terroriste Gledis Nano që të merret me këtë çështje se është marrë dhe me satira. Është një çështje shumë serioze se detyra kryesore e kësaj Drejtiorie në rradhë të parë është parandalimi, pastaj kur të kryhen vepra penale. Pse mund të kryhen vepra terroriste në këtë histori? Kallzimin e kam bërë për dy nene, neni 210 “marrëveshje në fuqi apo shtete të huaja për dorëzimin pjesërisht ose terësisht të territorit.

Prokurori Genci Mame në emër të Prokurorisë së Fierit thotë: “Sipas kallzuesit këta dy shtetas kanë kryer vepra penale të përmendura më lart, marrëveshje për dorëzim territori dhe provokim i luftës, të cilat ligjvënësi i ka artikuluar juridikisht në atë mënyrë që për to nuk kërkohet ardhja e pasojës kriminale që të quhen të kryera”. Dhe i duket çudi prokurorit kjo që janë të artikulkuara kështu në ligj sepse qëllimi i shteteve në këtë vepra penale është që të parandalohen këto situata jo të krijohet një situatë kur ndodh provokimi i luftës ose dorëzimi i territorit. Qëllimi i ligjvënësve është parandalimi por prokurorët tanë mesa duket nuk e kuptojnë këtë. Gjëja më e rëndë këtu është që ky i ashtëquajti Princ ka ardhur në zonën e Libofshës ku ka ardhur një komunitet boshnjak në 1924, është strehuar në Shqipëri për shkak se përndiqej nga serbët, nga zona e Sanxhakut. Këta boshnjakë tani u deklaruan si serbë në Censusin e 2011 sepse marrin para nga Serbia. Shikoni si shprehet Prokurori, “në kallzim tërhiqet vëmendje në lidhje me zonën e përzgjedhur për këtë projekt, ku sipas kallzuesit prej vitit 1924 është vendosur një bashkësi refugjatësh nga Sanxhaku i Serbisë të cilët sipas tij janë boshnjakë myslimanë por që pas vitit ’90 janë deklaruar si serbë”. Hajde prokuror hajde, po pse nuk ke hetuar ti, nuk je lodhur të bësh një hetim, të shkosh në arkivë dhe të shohësh kur kanë ardhur këta njerëz, se kanë ardhur me vendim të qeverisë shqiptare, i ka pranuar në 1924 si refugjatë të përndjekur nga një shtet tjetër. Dhe këta në 2011 janë deklaruar serbë. Prokuroria sipas meje thotë, ky zotëria që ka tagër të bëjë hetime në emër të shtetit. Hajde prokurori hajde. Në vend që të shkojë në arkivat e shtetit të shikojë këto fakte, ky zotëria thotë sipas meje dhe nuk bën asnjë hetim, e pohon dhe vetë. Më tej sërish prokurori duke më cituar mua thotë “shpallja e një principate sovrane në territor do të ketë ndikime ndërkombëtare sepse do të ishte një akt që do të provokonte luftë duke e vendosur Shqipërinë përpara rrezikut të ndërhyrjes së fuqive të huaja”.

I duket çudi prokurorit që nesër të dalë Serbia dhe të thotë “është shpallur një principatë në një territor ku banon një minoritet serb”. Dhe Serbia del nesër në OKB, në Bruksel, i bën nota proteste Shqipërisë dhe i thotë se po ushtroni dhunë ndaj një minoritet serb. Se ky është qëllimi i këtij zotërisë se kam qenë dëshmitar personal në dhomën e grimit, në dhjetor të vitit të kaluar kam qenë në emision me këtë. Ky kishte kryqin cirilik në gjoks kur po vishej, me katër C e famshme, kryqi serb që thotë: Vetëm bashkimi i shpëton serbët. Prokurori tani thotë “këto dy vepra penale duhet të bëhen me qëllim të posaçëm”. Po mirë more zotëri, kodi penal në pjesën e përgjithshme nuk e përkufizon se çfarë është qëllimi kriminal, kufizon vetëm dashjen dhe pakujdesinë. Në dy rastet, edhe sikur këta të mos jetë të vetëdijshëm se çfarë po bëjnë e kanë kryer veprën penale qoftë dhe nga pakujdesia sepse neni 16 thotë: “Kur personi që ka kryer veprën nuk i prashikon pasojat, megjithëse sipas rrethanavce duhej dhe kishte mundësi ti parashikonte”.

Ky zotëria del i veshur ushtarak atje dhe thotë nuk i parashikon pasojat. Çfarë presin këta që nesër të formojë një ushtri të armatosur? Çfarë pret prokuroria dhe Gledis Nano?Ky hetuesi i satirave. Plus që ky njeri ka qenë i arrestuar për drogë. I kujtoj zotit Llalla dhe Nanos nenin 3 të Kushtetutës: Pavarësia e shtetit dhe terësia e territorit të tij, rendi kushtetues dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti që ka për detyrë ti mbrojë dhe respektojë. Këtu preket pavarësia e territorit të shtetit. E kuptoni apo jo mor zotëri, çfarë doni, të kërcasë nesër pushka në Libofshë? Ky është njeri i mafias, i dërguari mafias. Është njeri i Shërbimeve të Fshehta Serbe dhe i mafias ndërkombëtare. Ka qenë i dënuar për drogë. Trafikanti ndërkombëtar i drogës ka ardhur të bëjë Prinicipatë në Libofshë. A do ta kryeni detyrën more zotëri, e njihni Kushtetutën apo keni nevojë t’ua lexojnë në seanca hipnoze? /Ora News.tv/

Share: