Home KRYESORE ‘Ju flet Moska’, Kastriot Myftaraj: Mafia e naftës në Shqipëri…

‘Ju flet Moska’, Kastriot Myftaraj: Mafia e naftës në Shqipëri…

Emisioni “Ju flet Moska” i Kastriot Myftaraj iu rikthye denoncimit për mafian e naftës në Shqipëri.

Myftaraj tha se dy alkimistë të naftës, Besnik Sula dhe Ministri Arben Ahmetaj kanë krijuar një skemë të tillë ku nafta jashtë cilësie shitet në treg pa asnjë lloj kontrolli.

Bëhet fjalë për naftën e Ballshit që del në treg e përzier me naftë importi.

Myftaraj tha se mafia e naftës jo vetëm i ka vjedhur shtetit mbi 1 miliard euro deri tani por po shkatërron çdo ditë qytetarët nga xhepat si dhe helmet që çliron kjo naftë në ajër.

Myftaraj: Në Shqipëri ekziston një mafie e naftës që ndoshta është dhe më e madhe dhe e rrezikshme se mafia e drogës që ekziston në Shqipëri. Them mafia e naftës sepse vepron me të gjitha mënyrat e mafias. Cilësia e parë e mafias është shpërfillja e plotë e ligjeve. Këtë cilësi e ka dhe kjo mafie e naftës. Cilësia e dytë e mafias është se shet një produkt helmues, të dëmshëm për njerëzit dhe mafia e naftës në Shqipëri e ka këtë cilësi. 

Se cila është mafia e naftës në Shqipëri do ta tregoj tani. I kam quajtur 2 alkimistët e naftës në Shqipëri, është i famshmi Besoja i Tajvanit, Besnik Sula dhe Ministri i Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj. Alkimistët ishin njerëz sharlatanë që pretendonin ti kthenin të gjithë metalet në ar, të nxirrnin flori nga metalet. Mafia e naftës në Shqipëri ka shpikur një lloj alkimie të tillë për të shitur atë që është naftë, nuk mund ta quaj as naftë një lëng jashtë çdo lloj standarti, për ta shitur si naftë të standarteve europiane D1.Sipas ligjeve në Shqipëri, kompanitë importuese të naftës nuk e nxjerrin dot produktin nga ato që quhen magazina doganore, vendi ku depozitohet nafta që vjen nga importi me anije. Janë në

Porto Romano pjesa e madhe dhe në Vlorë Petrolifera. Nuk e nxjerrin këto, qoftë drejtëpërdrejtë apo qoftë përmes atyre blerësve që ua blejnë këtyre brenda zonës doganore nëse nuk paguajnë taksën e akcizës, taksën e qarkullimit dhe karbonit. Mbi shumën e përgjithshme të këtyre tre taksave dhe çmimin me të cilin është blerë nafta jashtë llogaritet tatimi mbi vlerën e shtuar. Pa i paguar të gjitha këto detyrime ndaj shtetit nuk të lënë të dalësh me naftë nga zona e magazinës doganore. Çmimi arrin minimalisht 950 lekë të vjetra kur paguhen të gjitha këto. Nëse dikush nxjerr naftë pa i përmbushur këto detyrime ai arrestohet, qoftë doganier, qoftë punonjës apo pronar i kompanisë. Dhe 100 litra sikur të nxjerrë. Kështu është ligji por çfarë ndodh në Shqipëri? 

Ky alkimisti i Financave, Arben Ahmetaj ka bërë një aplikim të magazinës fiskale. Kjo është një magazinë ku brenda së cilës regjistrohen taksat, është një metodë për të shmangur pagimin e taksave dhe tatimeve. Rafineria e vetme në Shqipëri ARMO kishte një mal me borxhe dhe ka ende tek bankat, shteti, tatime të papaguara, tek partnerët tregtarë, tek Bankersi kompania që e furnizon me naftë. Se ARMO është vetëm rafineri, nuk nxjerr naftë. Arrinin deri në 600 milion dollarë, kush e di sa do kenë arritur tani. 

ARMO nuk vihej dot në punë me gjithë këto detyrime, ishte në një kompani që duhet të kishte statusin e falimentimit në likujdim. Por këtyre u duhej të shisnin naftën e ARMO-s për të nxjerrë fitime. Ministri Ahmetaj kur ishte Ministër i Ekonomisë dhe Tregtisë i dha ARMO-s statusin e  magazinës fiskale, një lloj karantine fiskale. Shënoheshin në letër detyrimet për taksat dhe tatimet që duhet të paguante ARMO për naftën që shiste por nuk i paguante dhe shtetit i garantohej vetëm pagimi i akcizës. 

Dhe ç’bëjnë këta mjeshtrat, kur arrihet një shumë detyrimesh dhe këtë vit ka arritur 60 milion euro shpallin falimentin dhe mbyllet kjo histori. Falen një pjesë siç u falën më parë me vendim të qeverisë dhe ARMO e shet naftën sot 1200-1300 lekë megjithëse paguan vetëm akcizë. Ku është problemi? Marka ARMO nuk figuron në treg, ligji lejon ato që quhen pika të bardha në linjën për hidrokarburet dhe thotë: Kompanitë që tregtojnë naftë mund të përdorin emrin që duan vetë por janë të detyruara me ligj të shpallin markën e produktit që tregtojnë. Nëse ARMO merr naftë nga Bankersi, naftën që nxirret në Ballsh, e bën sikur e përpunon dhe e nxjerr në shitje, ku është nafta ARMO në treg? Askund. 

Nuk mund të jetë marko ARMO në treg sepse nga ana teknike nuk mund të ketë naftë ARMO sipas standarteve europiane që pretendojmë se i plotësojmë ne, që i kërkon ligji. E vërteta është se nafta e Ballshit nuk mund të shndërrohet në nënprodukte të lehta karburante, naftë sipas standartit Eurodiezel sepse ka kosto shumë të lartë, mundet të dalin 100 litra/1000 litra. Me anë të Inspektoriatit Shtetëror të Tregtisë e ka shpallur në letër me urdhër të Ministrit Eurodiezel naftën e Ballshit, që plotëson atë standartin D1.

Kjo është shaka shumë e madhe e këtyre alkimistëve që e kanë bërë dhe me laboratorin e ISHT, veten e tyre dhe popullin  që e helmoi. Janë 70 parametra nga të cilat nafta e Ballshit nuk plotëson asnjërën. Ka një parametër të naftës Cetani, fuqia që ka karburanti.Është energji për njësi djegie. Në Shqipëri nuk futet dot naftë nga importi po të mos jetë 51 Cetan. Nafta e Ballshit nuk arrin as 40 Cetan në rastin me të mirë. Ndaj nuk ka fuqi nafta.

 E marrin naftën e Ballshit dhe  e përziejnë me naftë importi në pikat e karburanteve, Inspektoriati mbyll sytë dhe shitet ajo naftë që shitet. Që të lejohet të shitet një markë pirate, kjo është tamam veprimtari mafioze, në treg vjen një naftë që nuk ka markë, ARMO nuk ka parametra të certifikuar dhe kjo naftë shitet vetëm e përzier me naftë importi. Vjen autoboti me naftë nga Ballshi, vjen dhe autoboti me naftë tjetër, përzihet atje dhe del ajo që del. Do flas përsëri për mafien e naftës, i ka vjedhur shtetit 1 miliard euro deri tani. Ju kushton shqiptarëve në makinat që shkatërrohen, në shëndetin. 

Është një drogë që helmon. Drogën e merr ai që do, kurse këtë drogë e marrin të gjithë me detyrime se është në ajër./oranews

Media

Share: