Home KRYESORE Klara Buda: ‘Pëshpërimë gruaje’, ose dashuria si akt rezistence

Klara Buda: ‘Pëshpërimë gruaje’, ose dashuria si akt rezistence

Në panairin e librit prezantohet romani i ri i Klara Budës, “Pëshpërimë gruaje”, pjesë e kolanës letrare “Mapo Editions”. Romani merret me fatin e individit në diktaturë dhe dashurinë si një akt rezistence…një fiction që i vendos ngjarjet në vitet ‘80 në regjimin totalitar

Në panairin e librit prezantohet romani i ri i Klara Budës, “Pëshpërimë gruaje”, pjesë e kolanës letrare “Mapo Editions”. Romani merret me fatin e individit në diktaturë dhe dashurinë si një akt rezistence…Romani është një fiction që i vendos ngjarjet në vitet ‘80 në regjimin totalitar shqiptar. Ideali i lirisë mbijeton, me gjithë reduktimin e individit në rendin më të ulët social, atë të skllavërisë.

“Të tulatur e të puthitur te njëri-tjetri dhe duke mposhtur dridhjen e trupave të tyre e mbajtur frymën, por pa shumë pushtet mbi një drithërimë tjetër që sinkronizonte rrahjet e zemrave të tyre dhe përhapej në rrathë koncentrikë nga vullkani përvëlues i Almës drejt virilitetit paqtor të Adrianit […] Vështrimi i Almës normalisht i flaktë, dukej sikur kishte humbur. Sytë e saj, për të cilën thuhej se nuk trembej, shprehnin frikë. Që nga momenti i arrestimit, një natë më parë, Adriani nuk kishte mbyllur sy. Atij nuk i kishin bërë asnjë pyetje për lidhjen me Almën, çdo gjë kishte ardhur papritur dhe ai nuk e kishte menduar se çfarë do të thoshte për marrëdhënien e tyre, por për asgjë në botë nuk do ta cenonte atë. Si pak të tjerë, ai qe ndërgjegjësuar se të dashuroje në atë sistem ishte në vetvete një akt rezistence…”.

Klara Buda është gazetare, shkrimtare dhe aktiviste e të drejtave të njeriut. E vendosur në Paris që prej vitit 1990, ajo ka punuar respektivisht për UNESCO-n, BBC-në dhe Radio Francën Internacionale, ku drejtoi redaksinë shqipe deri në mbylljen e saj.

Pas studimeve të Letërsisë moderne dhe të krahasuar në Sorbonne, ajo ndryshoi drejtimin e saj fillestar të Mjekësisë Veterinare dhe u diplomua në Histori Arti dhe Metoda të Studimit të Historisë, në École Pratique des Hautes Études, EPHE në Paris.

Ndër botimet e saj veçojmë romanin Kloroform mbi fatin e individit në totalitarizëm, vëllimin Kosova Mon Amour, nderuar me çmimin e publicistikës, kritikës dhe të esesë në “Prishtina Book Fair 2017”, përkthimin në frëngjisht të rrëfenjës “Fshati im e pi rakinë”, të Mitrush Kutelit, si dhe studimin akademik Rrëfenja Kuteliane./Mapo.al

Share: