Home KRYESORE Kongresmeni Engel: Të zgjidhet demarkacioni, Kosova nuk duhet të mbahet peng

Kongresmeni Engel: Të zgjidhet demarkacioni, Kosova nuk duhet të mbahet peng

Kongresmeni amerikan, Eliot Engel, deklaroi të hënën në Prishtinë se “demarkacioni është një çështje shumë e rëndësishme dhe duhet zgjidhur”.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Ramush Haradinaj, Engel theksoi se “jam kundër mbajtjes peng të Kosovës për këtë çështje, por megjithatë duhet të zgjidhet”.

Kongresmeni Engel tha se në kohën kur ai filloi të merret me çështjen e Kosovës, askush nuk i besoi se ajo një ditë do të jetë vend i pavarur dhe demokratik.

Kryeministri Haradinaj u shpreh se “është kënaqësi e nder që këtë miqësi që e kemi nga kohët e vështirat ne populli i Kosovës me Amerikën po e thellojmë tani në avancimin e demokracisë, forcimin e lirisë për të gjithë ne që jetojmë në Kosovë për të gjitha komunitetet po ashtu”.

Kreu i qeverisë kosovare tha se “”ishte nder i madh që edhe dje në zgjedhjet lokale në raundin e dytë ju kishim ju pra si dëshmitarë edhe ta konstatojmë së bashku se Kosova vërtetë është një demokraci premtuese”.

“Kosova ende ka tema të hapura, por edhe përcaktimin e saj euroatlantik. Në temat e hapura ne e kërkojmë ndihmën e juaj, ndihmën e Amerikës dhe po ashtu ju premtojmë që do ta nderojmë këtë ndihmë. Sot ndihemi të nderuar me pjesëmarrjen tuaj në mbledhjen e qeverisë të thirrur për nderin tuaj”, nënvizoi Haradinaj.

Gjatë konferencës për shtyp kongresmeni Engel i dhuroi kryeministrit Haradinaj flamurin e Amerikës.”Ky flamur është ngritur më 4 korrik të këtij viti në Washington, në Ditën e Amerikës”, tha Engel, njofton Ata.

Haradinaj e falënderoi për dhuratën, por edhe për ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës.

Share: