Home Gjeo-Ekonomia Kur Vuçiç sillet si komshiu i mirë! Nga Azem Parllaku

Kur Vuçiç sillet si komshiu i mirë! Nga Azem Parllaku

Në muajin prill kur, Aleksandar Vuçiç, siguroi postin e kreut të shtetit serb, premtonte se do të jetë President i të gjithëve dhe do ta kthejë Serbinë në një shtet modern. Meqenëse, partia e Vuçiç-it është grupimi më i madh politik në Serbi, i jep atij më shumë efektivitet në ushtrimin e detyrës si President. Përtej interesimit të ndërkombëtarëve, kryesisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, për shqiptarët qëndrimet e Vuçiç-it, janë shumë të rëndësishme, më konkretisht në dialogun e Beogradit me Prishtinën.

Sa i përket mardhënieve me Tiranën, Vuçiç, në njëfarë mënyre ka treguar se, është një komshiu “i mirë” dhe kërkon të mbajë raporte pozitive me Tiranën zyrtare, e cila nga ana e saj, ka heshtur gjithnjë e më shpesh në lidhje me provokimet e herëpashershëme dhe zhvillimet negative dhe agresive të Serbisë në rajon.

Në tetor të vitit të kaluar si kryeministër Vuçiç, u tha invesitorëve serb; “Dua të inkurajoj njerëzit tanë të shkojnë në Shqipëri, të ndërtojnë objekte turistike, të krijojnë kompani të përbashkëta. Shqiptarët e mbajnë fjalën dhe janë njerëz të mirë dhe të punës. Unë jam ndoshta subjektiv, por dua t’u them se kjo është e mirë për Serbinë dhe punoni mirë me ta. I kuptojmë ndarjet politike, por duhet t’i kthehemi të ardhmes”.

Që nga ajo kohë, Vuçiç, ka vijuar të mbajë të njejtin qëndrim sa i përket mardhënieve me Tiranën, ndërsa si ish-ministër në vitin 1999, e sot si President i Serbisë, po kërkon që, me Kosovën të mos luajë luftash. Tetë muaj pasi u zgjodh në krye të shtetit, Aleksandar Vuçiç, ka inicuar dialogun e brendshëm për Kosovën, me qëllim që, siç është shprehur ai, të gjendet një zgjidhje historike për marrëdhëniet serbo-shqiptare.

Në Beograd, këtë fillimjave u mbajt takimi i parë i grupit të punës, i cili do të ofrojë mbështetje për debatin që, pritet të zhvillohet me partitë politike, me intelektualë e ekspertë të fushave të ndryshme, me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Dialogu i brendshëm serb për Kosovën mund të prodhojë edhe rezultate të mira për vetë shoqërinë serbe, dhe nëse ky dialog e ka për qëllim që të hiqet dorë përfundimisht nga miti serb për Kosovën, atëherë vlen të thuhet, se është diçka e mirë në krijimin e kushteve të reja për paqe të qëndrueshme në rajon. Mediat e Beogradit shpeshherë gjatë kësaj vjeshte, kanë raportuar se, ekziston një pajtim i plotë i elitave politike, shoqërore e intelektuale në Serbi për nevojën e ndryshimeve kushtetuese në këtë vend.

Kushtetuta aktuale e Serbisë po ndryshon sepse ajo nuk është e mirë dhe se preambula e Kushtetutës për Kosovën me siguri do të fshihet. Hulumtimet tregojnë disponimin e elitave për ndryshim të Kushtetutës, teksa vlerësimi i përgjithshëm për preambulën është negativ. Kushtetuta aktuale e Serbisë Kosovën dhe Metohinë i konsideron si pjesë të shtetit serb.

Duke u nisur nga ajo se Krahina e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë, që ka pozitën e autonomisë thelbësore në kuadër të shtetit sovran të Serbisë, dhe se nga pozita e tillë e Krahinës së Kosovës e Metohisë burojnë detyrimet kushtetuese të të gjitha organeve shtetërore që të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat shtetërore në Kosovë e Metohi në të gjitha raportet e brendshme e të jashtme politike, qytetarët e Serbisë zbatojnë Kushtetutën e Republikës së Serbisë.

Prej kësaj përmbajtje detyruese të Kushtetutës së shtetit të tyre siç duket elitat e vendit fqinj të shqiptarëve, nuk janë më aq kokëfortë, mbasi 114 shtete, anëtare të Kombeve të Bashkuara, kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të hënën se perëndimi nuk do të heqë dorë nga Kosova, ndërsa Beogradi duhet të gjejë një zgjidhje për marrëdhëniet me shqiptarët. Duke i’u referuar takimit të javës së shkuar me zyrtarin e lartë amerikan, Hoyt Brian Yee, i cili nxiti shumë reagime me qëndrimin se Serbia “nuk mund të ulet në dy karrige”, Presidenti serb tashmë e ka të qartë se, tërësia tokësore e Kosovës nuk mund të preket, dhe se duhen respektuar mesazhet e Amerikës.

Sigurisht që, shqiptarët duhet të besojnë se dialogu i brendshëm në Serbi “mund” të përfundojë me një traktat paqeje me Kosovën, e kjo e fundit nuk do të pengohet të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare. Ajo që mbi të gjitha ka shumë rëndësi në këtë moment, është që Serbia të mos e pengojë Kosovën në nismat rajonale dhe anëtarësimin në mekanizma ndërkombëtarë. Që nga koha kur u paralajmërua dialogu i brendshëm e deri më sot, kjo temë ka nxitur reagime të ndryshme në opinion.

Një pjesë e serbëve pretendojnë se, qëllimi i Vuçiç-it, është krijimi i alibisë për pranimin e pavarësisë së Kosovës, përmes mbështetjes së Brukselit, ndërsa pjesa tjetër besojnë që, për çështjen e Kosovës, Vuçiç mendon njëjtë sikurse populli serb që mbështetet në Rusinë e cila do të ndihmojë Serbinë të ruajë atë që gjithmonë ka qenë serbe. Në esencë ky dialog pritet të shndërrohet në konsultime profesionale-politike të Presidentit dhe Qeverisë dhe Kryeministrit, me grupin e punës dhe njerëzit të cilët ata do t’i zgjedhin.

A do të avancohen më tej këto këto konsultime dhe çfarë ndikimi pozitiv do të kenë?! Kjo edhe mund të ndodhë në qoftë se dëshiron, ai i cili e ka ftuar dialogun, ky është Aleksandar Vuçiç. Dialogu i brendshëm për Kosovën, do të tregojë nëse Serbia, më në fund, do të heqë dorë nga mitet, dhe do të pajtohet se e ka humbur Kosovën, ose në variantin ekstrem, ndoshta do të duhej të mendohej eventualisht për shkëmbim të territoreve, ç’ka do të thotë që edhe Kosova ta ketënjë plan nga ana e saj lidhur me këtë temë.

Share: