Home KRYESORE Përjetoje çdo mëngjes sikur të ishte i fundit, apo ta përjetosh sikur...

Përjetoje çdo mëngjes sikur të ishte i fundit, apo ta përjetosh sikur të ishte i pari?

Nga Capajev Gjokutaj

Kur ka qenë hera e fundit që ke bërë një gjë për herë të parë? Kjo pyetje mund të të duket si lojë fjalësh. Në fakt është treguesi kryesor i jetëgjatësisë.

Mos u çudit. Jeta nuk matet me kohështrirje, dmth me ditë, muaj apo vite të jetuara. Matet me sasinë e gjërave që përjeton.

Dita e të rriturit ikën shpejt e si pa u kuptuar. Dita e të moshuarit nuk ikën, fluturon. Kurse ditët e fëminisë tënde ishin pafundësisht të gjata.

Jo si kohë, 24 orë ishin dhe ato, por mbusheshin me përjetime gjërash të reja, të paprovuara. Këto mund të ishin lindja e motrës, vdekja e gjyshit, por mund të ishin edhe një zog që trokiste në dritare, një lule që kundërmonte mes barit, një zhuzhak gjithë ngjyra e gjithnjë i pakapshëm.

Parë kështu mos prit të përjetosh vetëm gjëra të mëdha. Përjeto e shijo gjëra të mëdha e të vogla. Edhe gatimin e një gjelle të re, edhe një teknikë të paprovuar meditimi, edhe lindjen e nipit a mbesës.

Përjetoje çdo mëngjes sikur të ishte i fundit, thotë poeti. Por mbase del më i fituar po ta përjetosh sikur të ishte i pari.

Po qe se jeta është sasia e përjetimeve, jetëgjatësia nuk është në dorë të fatit, të genit apo të Zotit. Eshtë në dorën tënde.

( Nga cikli ‘Kioska e këshillave’ )

Share: