Home KRYESORE Radio publike amerikane reportazh për kanabisin në Shqipëri: ‘Peshkut të madh’ nuk...

Radio publike amerikane reportazh për kanabisin në Shqipëri: ‘Peshkut të madh’ nuk i afrohet askush

Radio publike amerikane ka realizuar një reportazh mbi kultivimin e drogës në Shqipëri. Gazetari Nate Tabak ka marrë pjesë në një aksion policor anti-drogë në Krujë, por teksa efektivët e policisë kanë gjetur dhe djegur një parcelë hashashi, nuk kanë arritur që ta përfundojnë aksionin. Zero të arrestuar!

Eltoni është oficeri përgjegjës i aksionit, por gazetari amerikan Tabak nuk e shkruan identitetin e tij të plotë.

“Adoleshentët, ata pinë shumë”, – thotë Eltoni, i cili kërkoi që emri i tij të mbetej anonim për arsye sigurie. Ai pushon për një çast dhe fillon të më tregojë për një mik që ka pirë duhan në shkollë të mesme dhe më vonë filloi të përdorte heroinën. Ai u bë i varur nga droga dhe vdiq nga një mbidozë. “Është shumë e dhimbshme për mua, sepse ai ishte një djalë me të vërtetë i mirë”.

Një “xhiro” drejt një shtëpie të bukur pranë fushës ku u gjet droga nuk nxori në dritë asgjë, vijon më tej në reportazhin e tij gazetari. E kësisoj, në kthim, policia përballet me një surprizë të pakëndshme.

Një grup të rinjsh, të ulur pranë një kafeneje pranë zonës ku policia shkatërroi parcelën, ndalon makinat dhe uniformat blu me të bërtitura.

Ngjarjet zhvillohen në fshatin Noje të Krujës. Njëri nga të rinjtë i thotë policëve që tashmë kanë dalë nga makinat, se me këto aksione po i shkatërrojnë.

“Ne jemi vetëm fshatarë,” – shton njëri nga djemtë e tjerë.

“Shkoni në Tepelenë, një qytet në jug, atje ku qeveria akuzohet se mbron rritësit e hashashit,” thonë njëzëri të rinjtë e fshatit.

Por pas një tensioni në rritje që dukej se do të shpërthente, gjithçka mbaron. Policia shkon nëpër makina. Djemtë e “guximshëm” sërish në kafene.

Gazetari shkruan pak fjalë për oficerin, Eltonin. Ai tregon se Eltonit nuk i intereson aspak debati që është në vëmendje të të gjithëve (Saimir Tahiri dhe Habilajt).

“Ky takim me fshatarët i la banorët të frikësuar, por Eltoni nuk iu afrua zbulimit të ‘peshkut të madh’” – e ka mbyllur reportazhin gazetari.

https://www.pri.org/stories/2017-10-31/riding-along-albanias-pot-police

Share: