Home Gjeo-Ekonomia Rama bizneseve: S’ka më bilance të dyfishta, do deklaroni rrogat dhe fitimet

Rama bizneseve: S’ka më bilance të dyfishta, do deklaroni rrogat dhe fitimet

Kryeministri Edi Rama deklaroi se do të marrë fund manovra e bizneseve që punojnë me dy bilance për t’ju fshehur tatimeve. Sipas tij, s’do ketë më paga gjysmake ca në bankë e ca në zarf. Deklarata u gjatë një takimi me përfaqësues të bankave në hotel ‘Tirana’.

“Duke filluar nga viti ardhshëm shteti shqiptar, qeveria e Shqipërisë, administrata jonë tatimore nuk do të njohë asnjë bilanc të kompanive të papërputhur me bilancet që disponojnë bankat”, tha Kryeministri.

Më tej shtoi: “Historia e dy bilanceve, që kur vinte banka, kompanitë tregojnë sa shumë kanë dhe kur vinte shteti, kompanitë tregojnë sa keq janë, do marrë fund nga janari i vitit 2018. Ka dy vjet që e kemi bërë me dije dhe prandaj, të gjitha kompanitë, – sigurisht, objektivi janë kompanitë e mëdha, – duhet ta kenë shumë të qartë, tatimet e Republikës së Shqipërisë nuk do të njohin asnjë bilanc tjetër, përveç bilancit që këto kompani iu dorëzojnë bankave, për të treguar sa shumë kanë dhe mbi atë bazë do të tregojnë detyrimet e tyre për arkën e buxhetit të shtetit”.

“Kemi 800 kompani më të mëdha të vendit që, imagjinojeni, deklarojnë se 42 % e punonjësve të tyre paguhen nën 300 mijë lekë të vjetra, deri edhe inxhinierë. Pra, kemi të bëjmë me një shmangie të patolerueshme të detyrimeve ndaj punonjësve, duke ju dhënë gjysmën e rrogës mbi dorë dhe gjysmën e rrogës nën dorë, duke ju kompromentuar seriozisht të ardhmen dhe pensionin e natyrisht, një dëm të drejtpërdrejtë për arkën e shtetit dhe padyshim, për shoqërinë si e tërë”, theksoi Kryeministri.

Share: