Home KRYESORE ‘’RASTI RAMABAJA’’, OSE HUQJA E NJË HETIMI! NGA EMIN AZEMI

‘’RASTI RAMABAJA’’, OSE HUQJA E NJË HETIMI! NGA EMIN AZEMI

Nëse organizata e ashtuquajtur ‘’Syri i popullit’ po deshka të ketë një lider dhe shpjetësia naive për të gjetur liderin te Sadri Ramabaja, është një përpjekje e dështuar që në start, sepse ata që dolën të implikuar me vepra penale (M.Jashari) nuk po i plotësokan kushtet të jenë ‘’truri’’ i organizatës

Nga Emin AZEMI

Profesorit universitar, prof.dr. Sadri Ramabajës, me të padrejtë po i merret koha e çmuar që ai duhet ta kalojë me studentët dhe me punimet shkencore që presin dorën e fundit të tij. Atij i është vazhduar paraburgimi dhe po dyshohet për ‘’tentim vrasjeje të përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës’’ dhe ‘’Përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’.

Në formulimin përgjithësues të aktakuzës janë dy shprehje shumëkuptimëshe-eklektike: ‘’tentim vrasje’’ dhe ‘’ përgatitje të veprave terroriste’’. Një Prokurori (jo)objektive mundet lehtë të operojë (manipulojë) me këto shprehje, duke i vendosur ato në kontekste e rrethana të caktuara inkriminuese dhe pa kurrfarë problemi mundet ta bëjnë të dyshuarin ‘’kryes të veprës penale’’.
Këto dubioza terminologjike-juridike nuk janë të panjohura në historinë e proceseve të montuara gjyqësore dhe nuk duhesh të jesh ndonjë ekspert i forenzikës gjuhësore për të konstatuar se DIKUSH e ka vënë në shënjestër dr. Ramabajën, jo për ‘’veprat e pakryera penale’’, por për ndonjë motiv që lidhet me raportin e tij me oponencën e mendimit dhe jobashkmendimtarët e tij.

Janë të dënueshme dhe të papranueshme listat e personave që janë vënë në shënjestër për likudim, por sa kjo listë ka të bëjë me Ramabajën, është një çështje që lë hapësirë për të menduar dhe pyetur pubikisht: A nuk paska patur mjete të tjera ai për t’iu kundërvënë oponentëve dhe jobashkëmendimtarëve (ai këtë e ka bërë me shkrime publikisht), por paska zgjedhur një metodë kriminale, që as nuk është në natyrën e tij as në dinjitetin e tij njerëzor, familjar e kombëtar?

Nëse organizata e ashtuquajtur ‘’Syri i popullit’ po deshka të ketë një lider dhe shpjetësia naive për të gjetur liderin te Sadri Ramabaja, është një përpjekje e dështuar që në start. Vetëm organet e pavaruara dhe të pandikuara të drejtësisë mund të kenë të dhëna më të plota për fushëveprimin dhe objektivat e kësaj organizate dhe askush nuk e ka ndërmend të ndërhyjë në këto aktivitet parahetimore dhe askush nuk e ka ndërmend të amnestojë ndonjë individë që ka përpilu lista për lkuidim, por ajo që është shumë e sigurt është fakti se kjo organizatë duhet të ketë ‘’trurin’’ e saj, sepse ata që dolën të implikuar me vepra penale (M.Jashari) nuk po i plotësokan kushtet të jenë ‘’truri’’ i organizatës.

Ka shumë indikacione që të shtyejnë të dyshosh se emri i dr. Sadri Ramabajës është përfshi jo rastësisht në këtë dosje inkriminuese dhe ‘’analistët’’ e proceseve të montuara nuk e kanë patur vështirë të identifikojnë katër ‘’dobësi’’ në fushëveprimin publik të Ramabajës.

E para, është përfaqësuesi më aktiv i LVV që ka goditur oponentë të rinjë e të vjetër, të majtë e të djathtë, titistë e rugovistë, pacifistë e uçk-istë,

E dyta, është ndër intelektualët e rrallë që aderimin në një organizatë politike nuk e bën për qëllime karrieriste (siç veprojnë shumica e aparatçikëve që vegjetojnë nëpër parti politike) por për çështje të bindjeve,

E treta, është një sfidues publik që asnjëherë nuk gëzoi mbështetjen e merituar të subjektit ku aderon.

E katërta, do të ketë shumë persona (me mjekrra e pa mjekrra) që arrestimin e Ramabajës do ta festojnë me thënien: ‘’moti kohë e ka lypë këtë me ia bë’’.

Nëse ‘’Syri i popullit’’ nuk e ka paska ‘’trurin’’, atëherë, sipas konstruksionistëve, personi më adekuat që do të duhej të ketë këtë epitet (falë katër ‘’dobësive’’të sipëpërpëmendura) po deshka të jetë dr. Ramabaja.

Çdo qytetar i ndershëm dhe normal i një shteti nuk do të donte të bashkëjetonte me krimin dhe kriminelët. Edhe rasti i ‘’Syrit të popullit’’ meriton vëmendjen e gjithë neve, së pari duke e dënuar si metodë dhe qëllim, tepër të papranueshëm dhe të errët, dhe së dyti, duke zbardhur të gjitha rrethanat dhe personat që janë pjesë e kësaj organizate.

Por, krimi nuk mund të luftohet duke futur në dosje të dyshuarish edhe njerëz që kurrë në jetën e tyre nuk e kanë pre as një pulë, siç shtë rasti me dr. Ramabajën. Nga njohja mbi tridhjetëvjeçare me të, më ka rezultuar të jetë personi më pacifik dhe më johakmarrës, i cili edhe atëherë kur ka qenë i mbushur me pezm e vrer ndaj makinerisë pushtuese të Serbisë, me zgjatimet e saja edhe në Kosovë, ai në asnjë rast nuk i ka përmendur shprehjet : ‘’vrasje’’, ‘’hakmarrje’’, ‘’likudim’’, ‘’ekzekutim’’ etj. etj.

Prandaj më duket e pakuptimt, e pabesueshme dhe shumë absude akuza që i mvishet atij, kurse çdo minutë e qëndrimit të mëtejmë të tij në paraburgim shpreh, fatkeqësisht, huqjen totale të një hetimi që nuk ka fare të bëjë me ‘’tentim vrasje’’ dhe ‘’ përgatitje të veprave terroriste’’ nga ana e prof.dr. Sadri Ramabajës.

PS:

Ky opinion shpreh njohjet dhe pikëpamjet e personale për Sadri Ramabajën, sepse sipas autorit duhesh të jesh qyqar të mos e thuash publikisht ‘’hisen’’ tënde të njohjeve, por, në anën tjetër, autori nuk ka kurrfarë qëllimi të prejudikojë dhe relativizojë linjën dhe pistat e hetimit ndaj Ramabajes, të cilat ai uron të jenë të ndershme, objektive, të paanshme dhe mbi të gjitha profesionale. 

Edhe perqasje.com bashkohet ne parim me kete shenim te autorit te ketij Opinioni.

Share: