Home KRYESORE ‘Vila Vlahutin’ shkakton ‘viktimën’ e parë në Bruksel

‘Vila Vlahutin’ shkakton ‘viktimën’ e parë në Bruksel

Giovanni Kessler, shef i OLAF-it, agjencisë së Bashkimit Europian që heton mashtrimin financiar, ka pranuar që të largohet nga posti në presion nga Komisioni Juncker e sidomos nga Partia Popullore Europiane (PPE). Ai ka qenë në  qendër të kritikave për (mos)veprimet e tij hetimore në një sërë rastesh të dyshuara për korrupsion.

Por pika që pëmbysi kupën duket se ka qenë  refuzimi i tij për të hetuar ‘Vilën Vlahutin’. Ambasadorja e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin bleu një vilë në kompleksin Rolling Hills në jug të Tiranës si rezidencë ambasadoriale për 1,6 milion Euro, afro trefishi i çmimit të tregut. Pasi mediat publikuan skandalin vitin e shkuar, Shërbimi i Jashtëm Europian i kryesuar nga Federica Mogerini e mbrojti zonjën Vlahutin.

Vlahutin paraqiti si argumente mbrojtëse rrezikun sizmik apo xhamat mbrojtës antiplumb që përgjithësisht tingëlluan jo bindës.  Kryetarja e Komisionit të Kontrollit Buxhetor në Parlamentin Europian Ingeborg Graessle (PPE/CDU, Gjermani) deklaroi vjet në pranverë  se ky rast cënon rëndë besueshmërinë tek Bashkimi Europian në vende si Shqipëria.

Kessler e Mogerini janë politikanë italianë e ish-deputetë të partisë kryesore të qendrës së majtë (Partito Democratico, ish-Partito Communista) të udhëhequr nga Matteo Renzi.

Kessler ka qenë objekt skandalesh dhe prokuroria belge ka kërkuar pa sukses heqjen e imunitetit të tij në një rast përgjimi të paligjshëm e shkeljesh të ndryshme të dënueshme me deri dy vjet burg.

Por procedura qenë  e komplikuar dhe Komisioni ka vepruar me ‘mjete bindëse’ për dorëheqje nga vetë Kessler. Kessler është emëruar së fundmi drejtor për sigurinë doganore në Itali.

Shkarkimi  nga posti i ambasadorëve të BE-së është kompetencë e Shërbimit të Jashtëm Evropian, pra kompetencë e zonjës Mogherini. / Hashtag.al

Share: