Home KRYESORE Vlerë… Nga Erri De Luca

Vlerë… Nga Erri De Luca

Përktheu Elona Caslli

Quaj vlerë çdo trajtë jete, borën, luleshtrydhen, mizën.

Quaj vlerë mbretërinë e mineraleve, asemblenë e yjeve.

Quaj vlerë verën verën që shoqëron vaktin, buzëqeshjen e pavullnetshme

lodhjen e atij që nuk u kursye, dy të moshuar që ende dashurohen.

Quaj vlerë atë që nesër nuk do të ketë kurrfarë vlere

dhe atë çka sot ka vlerë pak.

Quaj vlerë të gjitha plagët.

Quaj vlerë të kursesh ujin, të riparosh një palë këpucë,

të heshtësh në kohën e duhur, t’i vish në ndihmë një britme, të kërkosh leje për t’u ulur,

të jesh mirënjohës kur tashmë e ke harruar sepse-në.

Quaj vlerë kur e di se nga është veriu kur je brenda një dhome,

kur e di emrin e erës që po than rrobat e ndera.

Quaj vlerë udhëtimin e vagabondit, klauzurën e murgeshës,

durimin e një të dënuari, cilido qoftë faji.

Quaj vlerë përdorimin e foljes –dashuroj- dhe hipotezën se ekziston një Krijues.

Shumë nga këto vlera ende nuk i kam njohur.

Share: