Home KRYESORE Del shkaku, nuk ka lidhje me motin. Ja e vërteta e hidhur...

Del shkaku, nuk ka lidhje me motin. Ja e vërteta e hidhur e përmbytjeve

Përmbytjet do të rikthehen sa here që të ketë reshje normale pasi mbi 65 për qind e rezervuarëve në vend u ka mbaruar cikli. Ekspertët e ujit pranë qeverisë e vlerësojnë tejet të rëndë gjendjen në qindra rezervuarët, teksa shpresat për rehabilitimin e tyre shuhen për shkak të fondeve të mëdha që kërkohen në dispozicion.

Nga vlerësimet e bëra për gjendjen teknike të 626 digave, rezulton se 410 (ose 65% e numrit të përgjithshëm), paraqesin probleme të theksuara teknike dhe kërkojnë vëmendje urgjente si përsa i takon sigurisë së digave ashtu edhe volumit të disponueshëm të ujit në rezervuarë.

Në 27% të tyre ka dëmtime në trupin e digës, 29% dëmtime të shkarkuesit katastrofik, 30% dëmtime të ujëlëshuesit, 14% dëmtime njëkohësisht të trupit të digës dhe shkarkuesit katastrofik/ujëlëshuesit. Vlerësimet janë bërë nga këshilli i Kombëtar i Ujit në një relacion të posaçëm për parlamentin në kuadër të miratimit të një strategjie të re për Ujitjen dhe Kullimin.

Ministria e Bujqësie llogarit që në total, kapaciteti ujor i rezervuarëve është zvogëluar me rreth 45%. Kjo për faktin se cikli i jetëgjatësisë së tyre është në përfundim dhe kupat e rezervuarëve janë mbushur me aluvione.

Drama që po krijojnë rezervuarët u shpërfaq dy herë në harkun e një viti, kur hapja e portave të shkarkimit të rezervuarëve pranë autostradës Tiranë-Durrës kanë krijuar milionë euro dëme në bizneset pranë autostradës, për cilat askush nuk ka mbajtur përgjegjësi.

Nga ana tjetër riparimi i infrastrukturës mbrojtëse nga përmbytjet kërkon investime shumë të mëdha, që janë përtej mundësive të buxhetit.

Ministria e Bujqësisë raporton se 300 km argjinatura të dëmtuara kanë nevojë për riparime, me një kosto tejet të lartë, por nga ana tjetër buxheti për to është pamjaftueshëm. Gjithashtu investimet në veprat mbrojtëse nuk japin garanci të plotë ndaj përmbytjeve. Mungojnë studime të plota te rrjedhës se lumenjve në kushtet e reja të shfrytëzimit pa kriter dhe intensiv te zhavorreve në shtretërit e tyre, ndërtimit te HEC-ve të rinj, dëmtimeve në ekosisteme e etj.

Mundësia në të ardhmen e mirëmbajtjes së pamjaftueshme dhe amortizimi i shpejtë i sistemeve të ujitjes mund të bëjnë që rehabilitimi të mos japë rezultatet e pritshme.

Rehabilitimi i herë pas hershëm mund të mos përballohet nga qeveria dhe kjo bën që Shqipëria të jetë më e varur nga institucionet kredituese ndërkombëtare.

Ministria e Bujqësisë thotë me fuqizimin e parkut te makinerisë së rëndë për Drejtoritë e Ujitjes dhe të Kullimit dhe Bashkite, ritmi i largimit të dherave prej 5-6 milion m3/vit është plotësisht i mundshëm dhe brenda një periudhe 3 vjeçare i gjithë sistemi të jetë i pastruar nga depozitimet ndër vite, pas së cilit duhet të vijohet me ritmin normal.

Kjo do të kërkonte edhe alokimin e shpenzimeve operative të nevojshme për mbulimin e shpenzimeve të largimit të aluvioneve. Riorganizimi i tyre në 4 borde rajonale kullimi bazohet në funksionet dhe detyrat kryesore, të lidhura me përdorimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve kryesore të kullimit, hidrovoreve, kanaleve të ujërave të larta, 22 kanaleve kryesore të skemave të mëdha ujitëse, 7 rezervuarëve të mëdhenj që u shërbejnë më tepër se një bashkie dhe veprat e mbrojtjes nga përmbytjet. Ndërsa gjithë infrastuktura tjetër e ujitjes dhe kullimit i’u është transferuar në pronësi bashkive së bashku me përgjegjësinë e administrimit të saj./Monitor

 

Share: