Home KRYESORE Ekonomia shqiptare drejt vitit 2018! Nga Dr. Enriko Ceko

Ekonomia shqiptare drejt vitit 2018! Nga Dr. Enriko Ceko

Së pari, ekonomia shqiptare prej kohësh luhatet në një gjendje kaotike që vjen si shkak i mungesës së modelit ekonomik. Kjo bën që të mos përcaktohen qartë sektorët kryesorë të ekonomisë dhe pozicioni dhe roli i çdo sektori në ekonomi. Kjo bën që të mos ketë investime vendase dhe të huaja serioze, që do të mund të sillnin më shumë punësim dhe më shumë konsum, dy parakushte për rritje ekonomike të qendrueshme.

Së dyti, për çështjet ekonomike ka një legjislacion të pasuruar së fundmi me ligje sipas modelit të vendeve të BE, por që nuk zbatohen. Ligjet mund të jenë shumë të mira, por ne nuk e dimë se sa të mira janë nëse nuk zbatohen. Nëse ligjet nuk janë të mira dhe zbatohen, atëhere kemi mundësi që t’i korigjojmë ato, por kur ligjet nuk zbatohen, nuk ka asnjë shans që të deklarojmë se sa të mira janë këto ligje dhe për më shumë këto ligje nuk vlejnë për asgjë (përderisa nuk zbatohen).

Së treti, në sektorin publik dhe privat në Shqipëri ka shumë pak subjekte që janë të çertifikuara me standardet ndërkombëtare të cilësisë. Standardet ISO janë kufiri minimal i kërkesave që zbatojnë subjektet publike dhe private për të kaluar në një nivel, në një stad apo në një shkallë të pranueshme ekzistence. Pjesa më e madhe e drejtuesve të subjekteve publike dhe pjesa më e madhe e manaxherëve të subjekteve private në Shqipëri as që e kanë idenë e këtyre standardeve, e jo më të punojnë që të zbatojnë ato apo edhe të çertifikohen me këto standarde, kur në Evropë dhe më tej standardet e manaxhimit të cilësisë (ISO 9001), të mbrojtjes së mjedisit (ISO 14001), të shëndetit dhe sigurisë në punë (BS-OHSAS – 18001), të cilësisë, sigurisë dhe garancisë ushqimore (ISO 22000), të mbrojtjes së sigurisë së informacionit (ISO 27001), të efiçiencës së energjisë (ISO 50001), etj, janë të pranishme kudo.

Së katërti, prona dhe çështjet që lidhen me të janë shndërruar në një gangrene të pashërueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Pothuajse është mjaft e vështirë që të gjesh sot në Shqipëri një familje që nuk ka çështje të pazgjidhura pronësore dhe pasurore me palë të tjera dhe kjo në radhë të parë si problematikë rëndon tërësisht në kurriz të ekonomisë dhe kjo gjendje është padyshim rezultat i punës skandaloze të administratës publike, kryesisht të nivelit të lartë vendim marrës.

Së pesti, etika e punës si në sektorin publik dhe në atë privat le shumë për të dëshëruar. Kryesisht këtu e kam fjalën për punësimin me nepozitëm, marrjen nëpër këmbë të punonjësve të aftë si në sektorin publik ashtu dhe në atë privat, pagesën tepër të papërshtatshme për këta punonjës dhe injorimin e mendimit shkencor në organizatë. Në organizatat publike dhe private shqiptare mungojnë në mënyrë flagrante aspektet themelore të sjelljes organizative.

Së gjashti, përgjegjësia manaxheriale është fare e panjohur nga ana e drejtuesve të nivelit të lartë. Në pjesën më më e madhe të organizatave publike dhe private në Shqipëri manaxherët e nivelit të lartë as që e kanë idenë për përgjegjësitë e korporatës ku punojnë dhe përgjegjësinë që ka manaxhimi i nivelit të lartë për mbarëvajtjen e organizatës. Kjo kombinohet me nivelin e tyre arsimor dhe njohuritë ekonomike dhe manaxheriale, që janë të mangëta. Vetëm kohët e fundit vihet re se disa drejtues biznesesh kanë hedhur këndvështrimin që të arsimojnë fëmijët e tyre në fusha ku zhvillohet edhe veprimtaria e tyre kryesore në biznes.

Së shtati, administrate publike shqiptare është e pa ndërgjegjëshme, e pa aftë, e pa edukuar, e pa arsimuar, e pa trainuar dhe e korruptuar. Këto janë gjashtë karakteristikat më të këqija që mund të gjesh në një administratë publike, por më e keqja është se në administratën publike shqiptare këto të gjashta i gjen së bashku.

Së teti, parametrat makroekonomikë janë të paqendrueshëm. Mburremi vetëm se kemi mbajtur nën kontroll inflacionin, por askush nuk garanton se shifrat që sjell për publikun Banka e Shqipërisë dhe Instituti i Statistikave janë të sakta dhe të besueshme. Me shifra dhe të dhëna e informacione jo të sakta dhe jo të besueshme nuk ka asnjë mundësi që të bëhen studime dhe parashikime për të ardhmen e ekonomisë.

Së nënti, komuniteti i binesit në Shqipëri, edhe pse ka filluar të organizohet në grupime të ndryshme për të mbrojtur interest e veta, përsëri është i përçarë dhe nuk ka qenë në gjendje që të artikulojë me një zë të vetëm kërkesat e veta përballë qeverisë, që për këtë shkak, bën ç’farë i shprepet në lidhje me nivelin e taksave, tarifave dhe detyrimeve të tjera që kanë bizneset dhe qytetarët.

Së dhjeti, mungesa e politikave të qarta ka sjellë një shfytyrim demografik, që ka krijuar probleme madhore jo vetëm në lidhje me cilësinë e jetës së qytetarëve, por edhe në manaxhimin e burimeve njerëzore, natyrore dhe financiare. Mungesa e këtyre politikave sjell edhe konflikte midis sektorëve të ekonomisë, konflikte që shfaqen në fund të fundit në gjendjen arsimore, shëndetsore dhe të ushqyerit e popullsisë së Shqipërisë.

Së njëmbëdhjeti, buxheti i shtetit i Shqipërisë nuk reflekton ose reflekton në mënyrë të padrejtë gjendjen ekonomike të qytetarëve dhe prirjet zhvillimore sektoriale dhe rajonale. Alokimi vetëm i një a dy për qind të buxhetit të shtetit për arsimin, bujqësinë dhe shëndetsinë tregin për mungesë largpamësie dhe shmangie të investimeve në sektorë që janë jetikë për të sotmën dhe të ardhmen e ekonomisë shqiptare.

Së dymbëdhjeti, subjektet private në Shqipëri janë kryesisht firma të vogla, apo mikrondërmarrje, siç edhe emërtohen në gjuhën teknike. Këto mikrondërmarrje, duke u gjendur përballë vështirësive të shumta administrative, ligjore, pronësore, etj dhe duke punuar në kushte shumë të vështira të makromjedisit dhe mikromjedisit të biznesit, nën trysninë e mungesës së burimeve të vlefshme, nuk kanë asnjë mundësi për rritje dhe zgjerim të veprimtarisë. Kjo nuk shton punësimin dhe investimet.

Së trembëdhjeti, sistemi i korruptuar i drejtësisë, nuk krijon asnjë mundësi për të gjetur të drejtën, për të ecur përpara dhe për të kaluar këtë gjendje skandaloze ku është futur jo vetëm ekonomia shqiptare, por e tërë jeta sociale dhe politike në vend. Jo se në vend nuk ka juristë inteligjientë apo të aftë. Përkundrazi, ata janë shumë të aftë nga ana profesionale, ata janë shumë inteligjientë.

Ata i njohin mjaft mirë ligjet dhe procesin civil e penal. Ata janë thjesht të pandërgjegjshëm. Duke qenë të tillë ata janë lehtësisht të korruptueshëm dhe duke qene të korruptueshëm çdo gjë në këte vend të mrekullueshëm shkon ters.

Unë kam listuar në këtë artikull trembëdhjetë çështje që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me ekonominë shqiptare dhe nëse duam që për vitin 2018 dhe në vazhdim gjendja të përmirësohet, duhet që të rregullojmë këto trembëdhjetë çështje. Trembëdhjeta nuk është numri i fatit të keq (ashtu si shumëkush beson në mënyrë të gabuar). Jo. Trembëdhjeta është numri i ndryshimit dhe, nëse ndryshimi planifikohet mirë dhe realizohet me kujdes, atëhere, ai është pozitiv, por, nëse ndryshimi bëhet i pa planifikuar dhe pa kujdes, atëhere, ai është negativ, ashtu si kanë qenë në fakt të tëra ndryshimet që u janë servirur shqiptarëve si mrekulli këto 100 vitet e fundit.

Share: