Home KRYESORE Janullatos falënderon Metën: Dhënia e shtetësisë shqiptare pas kaq vitesh ka vlera...

Janullatos falënderon Metën: Dhënia e shtetësisë shqiptare pas kaq vitesh ka vlera të mëdha.

“Vera sa më e vjetër,ka më shumë vlerë”

Gjatë meshës së Krishtlindjes, Kryepeshkopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos foli edhe për vendimin e Presidentit Meta, i cili i dha një ditë më parë nënshtetësinë shqiptare përmes një dekreti. Kryepeshkopi Janullatos falënderoi Presidentin e Republikës për këtë vendim, duke e krahasuar dhënien e shtetësisë shqiptare me verën, që sa më shumë vjetërsohet aq më shumë vlera merr.

“Ditën e djeshme shefi i kabinetit të Institucionit të Presidentit të Republikës, z. Arben Cici, nxitoi në zyrën time sinodike dhe më dha një telegram nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, ku më vinte në dijeni se Kryepeshkopit iu dha nënshtetësia shqiptare. Shpreha gëzimin tim për këtë akt dhe falënderimet e mia për Presidentin Meta, por shtova që unë që nga çasti kur u bëra Kryepeshkop dhe erdha këtu në Shqipëri jam ndjerë si një qytetar shqiptar që punon dhe ka përgjegjësi për këtë vend, – tha Kryepeshkopi. – Dhe ky vendim që mori Presidenti Meta gëzon shumë ortodoksë në mbarë vendin, të cilët presin prej shumë vitesh që të marrin pikërisht këtë lajm dhe ndjejnë gëzim shumë të madh në lidhje me këtë akt. Përfundoj fjalën time duke thënë se disa gjëra, siç është vera për shembull, me kalimin e kohës ato përftojnë vlerë akoma më të madhe.

Përvojën time 25-vjeçare këtu, Presidenti e përshkruan me shumë miqësi dhe brenda letrës së tij i shtohet rëndësi shumë të madhe edhe peshë këtij vendimi që ai ka ndërmarrë”, – u shpreh Kryepeshkopi Janullatos në fjalën falënderuese për Presidentin Meta.
Gjithashtu, gjatë meshës u lexua edhe mesazhi që Presidenti i Republikës i dërgoi Kryepeshkopit Anasatas Janullatos me rastin e dhënies së shtetësisë shqiptare dhe urimi i tij me rastin e festës së Krishtlindjes.

“Bashkë me falënderimet tona të përzemërta, lutja jonë buron me gjithë shpirt nga zemra, që t’i falë urtësi, mençuri, guxim Presidentit tim, z. Ilir Meta, të vazhdojë këtë vepër të tij që ka kaq shumë rëndësi në vend, për më shumë mirëqenie dhe progres.

E ardhmja i takon vendit tonë dhe rruga drejt Evropës është tashmë e sigurt”, – theksoi Janullatos pas leximit të mesazhit.

Share: