Home KRYESORE Rasti ‘Monstra’, një (para)gjykim që do të gjykohet në Strazburg

Rasti ‘Monstra’, një (para)gjykim që do të gjykohet në Strazburg

Ata që ndërtuan skemën e këtij teatri politiko-gjyqësor, para se të nguteshin të lidhin krimin me Islamin radikal, sajuan në kokat e tyre efektin planetar që mund të ketë kjo ngjarje në kancelaritë e Brukselit, Uashingtonit, Berlinit, Parisit, Vatikanit etj. Sepse, një krim që s’e kishte kryer grupi i të rinjëve shqiptarë, të rritur me vuajtje e skamje në lagjet e varfëra të Shkupit, duhej të kishte domosdoshmërisht kauzën ndërkombëtare të ndëshkimit.

Por, rasti ‘Monstra’ heret a vonë duhet të rikonstruohet, edhe si proces gjyqësor, edhe si ngjarje. Jo vetëm për të vërtetuar pafajësinë e disa të rinjëve shqiptarë që morën dënim kapital (burgim të përjetshëm), por për të zbuluar edhe prapavijën e një profesioni, i cili, me nivelin e ulët etik e profesional, pafundësisht po përhap pikëllim familjar dhe mllet të papërmbajtur shoqëror

Nga Emin AZEMI

Me prova materiale të shpifura dhe me një skemë të konstruuar tmerrësisht amatore, një Gjykatë e Shkupit dje e shpalli veten të paaftë të ndaj drejtësi. Sigurisht, atë që kjo gjykatë e ka lënë mangut, do ta kompensojë Gjykata e Strazburgut. Kjo e fundit tash më është specializuar të bëhet korrektore e zellshme e joprofesionalizmit të një tufe gjyqtarësh maqedonas, të cilët në vend se të vendosin drejtësi, po sjellin anarki me pasoja serioze për qëndrueshmërinë dhe kohezionin brendaetnik e brendashoqëror në Maqedoni.

Të akuzuarit për rastin ‘Monstra’ nuk patën mundësi të dëshmojnë pafajësinë e tyre për arsye se përballë kishin një gardë përbindëshish që brenda veladonit të gjykatësit fshihnin tendencën e tyre për të cënuar lirinë njerëzore pa të voglin dyshim se ata që rrezikojnë lirinë e tjetrit bëhen vet peng të arësyes së mjegulluar.

Teatri i quajtur proces gjyqësor përjashtoi nga shqyrtimi të gjitha ato fakte që e dëshmonin pafajësinë e të akuzuarve dhe kjo të përkujton inkuizicionin i cili nuk i dentonte njerëzit pse kishin bërë faj, por pse duhej të përmbushnin paragjykimet e inkuizitorëve.

Skema paragjykuese në rastin ‘Monstra’ u ngrit mbi një alibi komike për gjoja lidhshmërinë e këtij krimi me ideologjinë radikale islame. Po të kishte ndodhur kjo ngjarje këto ditë, sigurisht që gjyqtarët dhe prokurorët paragjykues të Shkupit do të sajonin lidhshmërinë me ISIL (Shteti Islamik i Irakut dhe Levanti) , duke i ngarkuar të akuzuarit me shpifjen se “ ishin të përfshirë në aktivitetet globale për shtrirjen e Kalifatit edhe në trojet ballkanike”.

Të kapur pas shkëmbijve të Afganistanit, këta mendermethënë gjyqtarë e prokurorë u munduan të na sjellin pak atmosferë filmike me do protagonistë të shpifur të cilët gjoja ishin stërvitur në kampet xhihadiste për të demonstruar ideologjinë e terrorit edhe në Maqedoni.

Cili diplomat dhe ushtarak në Uashington e Bruksel nuk do të tmerrohej pas shikimit të këtij filmi? Cila organizatë botërorore e të drejtave të njeriut do të merrte kurajon të mbronte një grusht ‘xhihadistësh’ në Shkup, të cilët pa pikën e mëshirës paskan vra disa të rinjë maqedonas?

Ata që ndërtuan skemën e këtij teatri politiko-gjyqësor, para se të nguteshin të lidhin krimin me Islamin radikal, sajuan në kokat e tyre efektin planetar që mund të ketë kjo ngjarje në kancelaritë e Brukselit, Uashingtonit, Berlinit, Parisit, Vatikanit etj. Sepse, një krim që s’e kishte kryer grupi i të rinjëve shqiptarë, të rritur me vuajtje e skamje në lagjet e varfëra të Shkupit, duhej të kishte domosdoshmërisht kauzën ndërkombëtare të ndëshkimit. Ndryshe, një krim i tillë, krejtësisht i shkëputur nga prezenca fizike e të akuzuarve në momentin kritik, do të bëhej ‘delete’ ende pa u tharë ngjyra e lajmit.

Disa nga të akuzuarit e shihnin njëri tjetrin për herë të parë në sallat e gjyqit, dhe ata njiheshin në mes veti shumë më pak se sa disa deputetë, mjekë e gjyqtarë, të cilët, sipas dëshmisë së Goran Neqeskit (njëri nga prindërit e djemve të vrarë të liqeni i Smilkovës) ishin të involvuar në këtë proces.

Pretendimet e prokurorisë nuk u vërtetua me kurrfarë dëshmie se të akuzuatit përnjëmend kishin qenë prezent në momentin dhe vendin kur është kryer krimi. Të gjithë të akuzuarit kishin përshkruar në detaje rrethanat se ku kishin qenë ata në atë moment dhe tek asnjëri prej tyre nuk u gjetën prova që vërtetonin lidhshmërinë e prezencës së tyre fizike me vrasjen makabre që u krye.

Këta që vendosën të privojnë lirinë e disa të rinjëve shqiptarë, sigurisht janë të vonuar me informacione nga fusha e teknologjive dhe komunikimeve moderne, sepse prej tyre e kuptuam se të posedosh një faqe Facebook-u, disa CD me këngë dhe ilahi, dhe të kesh në bibliotekë ndonjë Kur’an, po mjaftoka që dikush të shpallet terrorist. Sasia e pakontrolluar e injorancës së tyre mund të jetë atraksion i vërtetë që do ta shfrytëzonte ndonjë regjisor për të ndërtuar fabulën e tij filmike të huazuar nga shkrimtari i famshëm amerikan me prejardhje hebreje, John Grisham, i cili si lajtmotiv gjithpërshirës ka stigmatizuar pamundësinë e profesionit të gjykatësve për të vërtetuar fajësinë e të akuzuarve.

Parantezë:

Në leksionet e gazetarisë hulumtuese me studentët, shpesh kam marrë ekzempalarë të prosedeut letrar të Grishamit, i cili asnjëherë nuk u mjaftua me provat që sillnin prokurorët në gjykatat amerikane, madje edhe atëherë kur gjendej ndonjë mjet me të cilin ishte kryer krimi, përderisa nuk vërtetohej se ai ishte përdorur vërtetë nga i akuzuari.

Rasti ‘Monstra’ heret a vonë duhet të rikonstruohet, edhe si proces gjyqësor, edhe si ngjarje. Jo vetëm për të vërtetuar pafajësinë e disa të rinjëve shqiptarë që morën dënim kapital (burgim të përjetshëm), por për të zbuluar edhe prapavijën e një profesioni, i cili, me nivelin e ulët etik e profesional, pafundësisht po përhap pikëllim familjar dhe mllet të papërmbajtur shoqëror. Me një drejtësi të tillë, Maqedonia mundet edhe më tepër ta vështirësoj rrugëtimin e saj drejt eurointegrimeve, atje ku nuk ka vend për mbetje monstrume të një sistemi të kalbur (para)gjyqësor./FaktiNews

PS: Shkruar me 01.07.2014 por me vlere te njejte edhe sot.

Share: