Home KRYESORE U akuzua për ngacmim seksual, flet mjeku i Enver Hoxhës: Si qëndron...

U akuzua për ngacmim seksual, flet mjeku i Enver Hoxhës: Si qëndron e vërteta!

Hektor Peçi, mjeku personal i Enver Hoxhës tregon për marrëdhëniet e tij me familjen Hoxha dhe i përgjigjet akuzave për ngacmime.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, profesor Peçi, shprehet se ka qenë prej 7 vitesh mjeku personal i Enver Hoxhës, derisa në vitin 1972 ai është transferuar në fakultetin e Mjekësisë ndërsa është zëvendësuar nga Isuf Kalo. Djali i Enver Hoxhës, Sokoli është shprehur se profesor Peçit i thurën një intrigë sikur ka ngacmuar bashkëshorten e Ilir Hoxhës, vëllait të tij.

Profesor Peçi shprehet se Teuta Hoxhën nuk e ka takuar asnjëherë, ndërsa ajo ka qenë gjimnaziste kur ai ishte mjek i Enver Hoxhës. Ai shprehet i habitur me këtë intrigë për të cilën shprehet se e ka mësuar vetëm kur ka lexuar në Panorama intervistën e Sokol Hoxhës.

“Të tjerat i dinë vetë ata, unë nuk mund të hyj në problemet e brendshme të familjes së tyre. Por unë vetë nuk pata ndonjë masë, qortuese, as kritikë të lehtë, apo të rëndë, apo ndonjë pasojë. Nuk mund të çohet nëpër mend që të ketë pasur një dyshim apo akuzë të tillë ndaj meje dhe unë të vazhdoja punën si mjek i pacënuar. Nuk mund ta çosh dot nëpër mend”, shprehet profesor Peçi.

Duke rrëfyer marrëdhënien shumë të ngushtë dhe të besimit që kishte me Enver Hoxhën, si mjek i përzgjedhur prej tij, Peçi shprehet se për sa kohë ai i ka shërbyer udhëheqësit komunist, nuk ka pasur probleme me shëndetin. Komplikacionet u shfaqën, shprehet ai, pasi unë jam larguar nga ndjekja e Enver Hoxhës, pas vitit 1973. Akuzat e Liliana Hoxhës për një komplot të Ramiz Alisë, Nexhmije Hoxhës dhe Isuf Kalos për të eleminuar Enver Hoxhën, për profesor Peçin janë të pabesueshme dhe pse në jetë, sipas tij, asgjë nuk përjashtohet.

Sa vite keni qenë mjek personal i Enver Hoxhës?

Unë kam qenë për 7 vjet mjek i Enver Hoxhës. Ashtu siç zëvendësova unë të parët, më zëvendësuan edhe mua të tjerë, por unë mbeta përsëri mjek për pjesën tjetër të udhëheqjes dhe të gjithë ata që vinin dhe vizitoheshin tek klinika speciale e udhëheqjes. Gjithashtu mu dha një mundësi të cilën unë vetë e kisha kërkuar prej kohësh, që të jepja mësim në fakultetin e Mjekësisë dhe njëkohësisht dekan i fakultetit.

Cilat ishin arsyet e lëvizjes tuaj si mjek personal i Enver Hoxhës?

Nuk kishte asnjë arsye që m’u tha mua në atë kohë. Unë për herë të parë e dëgjoj këtë gjë në intervistën e Sokol Hoxhës në gazetën tuaj. Por, më saktë, këtë gjë mund ta shpjegojë Teuta, e cila në atë kohë ka qenë në moshën e pubertetit.

Po që ju kanë akuzuar brenda familjes?

Unë nuk e di, brenda familjes mund të ketë ndodhur çdo gjë, por ndonjë qëndrim përbuzës të familjes ndaj meje nuk pata. Unë me Nexhmijen jam takuar herë pas here, në raste të ndryshme. Të tjerat i dinë vetë ata, unë nuk mund të hyj në problemet e brendshme të familjes së tyre. Por unë vetë nuk pata ndonjë masë, qortuese, as kritikë të lehtë, apo të rëndë, apo ndonjë pasojë. Nuk mund të çohet nëpër mend që të ketë pasur një dyshim apo akuzë të tillë ndaj meje dhe unë të vazhdoja punën si mjek i pacënuar. Nuk mund ta çosh dot nëpër mend.

Pas jush, ka ardhur Isuf Kalo?

Isufi ka ardhur pas ndonjë viti pas largimit tim, sepse ishte në atë kohë me Resmiun në klinikën e udhëheqjes. Po kërkonim mjek të këtij specialiteti, por nuk gjenim të dytë dhe morëm Isuf Kalon.

Ju ishit aty kur ndaj Enver Hoxhës u vendos një regjim i rreptë kontrolli mjekësor pas disa problemeve kardiake të tij?

Jo, kjo ka ndodhur pasi ika unë. Unë kam ikur në 1972-in dhe ajo ka ndodhur në 1973-in.

Deri sa keni qenë ju, a keni vërejtur ndonjë komplikacion në shëndetin e tij?

Absolutisht jo, gjendja e Enver Hoxhës ishte shumë e mirë.

Isuf Kalo, thotë Liliana Hoxha, shkonte vetëm jashtë shtetit për të blerë ilaçet e Enver Hoxhës, po ju si shkonit?

Kështu thotë Liliana, unë këtë nuk e di. Por unë gjithmonë shoqërohesha nga njerëz të Sigurimit. Se si e kishte sajuar këtë gjë, nuk e kuptoj.

Po diagnoza e përcaktuar më pas në kartelën e tij mjekësore, e justifikonte izolimin e tij?

Kartelën mjekësore ia kam bërë unë, pasi ai nuk ka pasur kartelë të rregullt. Ai vizitohej nga profesor Fejzi Hoxha kryesisht dhe nuk pranonte mjekë të tjerë atje. Unë kam vajtur me kërkesën e tij personale duke u njohur si mjek konsulent pranë klinikës speciale dhe njëkohësisht oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Mjek personal vetëm unë kam qenë me vendim të Byrosë Politike, pastaj më vonë, kur vajti Isufi atje, filluan ndërlikimet dhe kontrolli shëndetësor i Enverit u bë me ekip mjekësor.

Pasi jeni larguar, a jeni thirrur për ndonjë konsultë?

Nga familja jo, por nga anëtarë të tjerë të Byrosë po, dhe nga pacientë familjarë të tyre kam qenë gjithmonë i përhershëm. Sidomos me Mehmet Shehun kisha shumë lidhje.

Si e shpjegoni faktin se ju ishit më i besuari dhe më i kërkuari nga Enver Hoxha dhe më pas nuk u thirrët kurrë më?

Nuk e di të them. Por edhe të tjerë para meje, shumë më të mirë se unë kanë qenë, profesorët e mi, nuk janë thirrur më. Unë nuk e kam pritur me ndonjë entuziazëm të madh atë punë, sepse e dija sa e vështirë ishte, por ishte kërkesë dhe duhej të kryeja një detyrë që më kishte ngarkuar Partia.

Çfarë marrëdhëniesh keni pasur me fëmijët e Enver Hoxhës, Ilirin, Sokolin apo nusen e Ilirit, Teutën?

Me Teutën nuk jam takuar ndonjëherë, por me Ilirin jam takuar normalisht kur kam pasur raste. Me Nexhmijen jam takuar disa herë, sa herë ka pasur sebepe të ndryshme. Kohët e fundit e kam takuar tek Vito Kapoja, më pyeti për fëmijët, për shëndetin. Një komunikim normal.

Ju e mbështesni variantin se mjekimi ndaj Enver Hoxhës ka qenë i gabuar dhe ai ka çuar në komplikacione të rënda për shëndetin e tij gradualisht, deri sa ai vdiq?

Mua nuk më besohet kjo gjë, por çfarë nuk ndodh në këtë jetë.

Ka pasur një protokoll mjekësor, për mënyrën se si kontrollohej, merreshin ilaçet, bliheshin ilaçet, dhe a është respektuar ai?

Në kohën time, ilaçet nuk kalonin fare nga dora e doktorit. Doktori jepte recetën dhe ilaçet ia jepte infermierja e Enver Hoxhës, një infermiere dietologe, Kostandina, e cila është sakrifikuar për atë njeri. Unë e gjeta aty Kostandinën dhe kalova shumë mirë me ta dhe me asnjë mjek nuk kam pasur ndonjë fërkim.

Kanë qenë normale marrëdhëniet tuaja me Nexhmijen?

Nexhmija ka pasur kusuret e veta, por unë kam pasur marrëdhënie normale. Tani ka historira që s’kanë lidhje fare me familjen, por me rrethin e tyre, se nuk u kanë shkuar si duhet gjërat për të ruajtur drejtësinë. Por ato nuk krijojnë ndonjë debat dhe përpjekje ballë për ballë.

Me Sulo Gradecin, çfarë marrëdhëniesh keni pasur profesor?

Kam pasur marrëdhënie shumë të mira.

Isuf Kalo, sipas Liliana Hoxhës ankohej se Sulo Gradeci e vëzhgonte gjatë vizitave, mjekimeve dhe konsultave të mjekëve…

Sulo Gradeci nuk zëvendësohet me tërë atë detyrë që i kishte vënë vetes dhe që Partia i kishte dhënë atij. Sulo Gradeci sakrifikoi jetën e tij për të siguruar shëndetin dhe sigurinë e Enver Hoxhës. Marrëdhëniet e mia me Sulon kanë qenë të shkëlqyera. Më donte shumë dhe nuk i erdhi mirë që unë ika nga Enver Hoxha. Në fakt asnjërit nuk i erdhi mirë që unë ika.

Ka pasur ndonjë episod apo ndonjë shqetësim gjatë fejesës së Ilirit me Teutën?

Nuk ka pasur asnjë problem, me askënd. Teuta ishte një vajzë e vogël që nuk kishte mbaruar shkollën e mesme akoma.

Është folur në atë kohë që bashkëshortja e Ilirit do të ishte vajza e Ramizit dhe jo mbesa. Dini gjë ju për këtë?

Nuk e di, Iliri nuk e zgjodhi Teutën nga familja, por ishte dashuria e tyre. Madje krushqirat brenda Byrosë Politike dhe në Komitetin Qendror në atë kohë kanë qenë masive, por Enver Hoxha kishte dhënë urdhër që krushqira brenda Byrosë dhe Komitetit Qendror të mos vazhdojnë. Kështu që ajo ishte një dashuri të rinjsh, Iliri ishte diçka më i rritur, Teuta ishte fare e vogël, u lidhën dhe u fejuan./Panorama

Share: