Home KRYESORE Alfred Lela: 100 vitrinat e njëqind ditëve të para të Ramës së...

Alfred Lela: 100 vitrinat e njëqind ditëve të para të Ramës së dytë

Nga Alfred Lela

Ka një konsensus të pashkruar, sipas të cilit një qeveri e re nuk ‘ngacmohet’ gjatë 100 ditëve të para të punës. Kjo ‘besë’ shkelet disi kur qeveria e re është vazhdim i një të vjetre, siç është rasti i ‘Rama 2’; sidoqoftë, 100 ditët e para mbeten termometër i mirë jo i punës, por i hullisë.

Mjafton kaq kohë për të parë se cilin drejtim ka marrë puna dhe cila është fryma e cila do të bartë përpara projektin qeveritar.

Vendsour në këta terma reference, si mund të përshkruheshin 100 ditët e para të kabinetit të z. Rama? A ka një synim, prirje apo frymë që e përshkon lëvizjen e saj përgjatë pak më shumë se tre muajve jetë?

Për të qenë ‘fair’ duhet thënë se gjërat mund të kishin qenë ndryshe nëse Qeveria ‘Rama 2’ nuk do të ishte zënë poshtë nga karkasa dekadente e ‘Rama 1’. Çështja Tahiri, degë e së cilës është edhe saga e Habilajve është një transfertë e sikletshme e katër viteve të para, fushata e të cilave u shtri mbi propagandën ‘thyem Lazaratin’. Ndërkaq, nën shtresën e purpurt të kësaj vetekënaqësie, u mboll një qilim gjigand i gjelbër hashashi. Ashtu siç ëndrrat nuk mbajnë gjatë, edhe ç’ishte nën kuvertën propagandistike të fshatit kryeneç ‘të bërë zap’, u konsumua një ditë, duke lënë zbuluar brinjët e dala të ekonomisë formale, në pjerrtësinë e së cilës nuk kishte asgjë tjetër veç industrisë informale të drogës.

Si çdo gjë tjetër e fundme, e tillë është edhe propaganda. Këtë na e mëson e vetmja gjë e pafundme, përvoja.

E tillë sidomos në një shoqëri globale. Socialistët qeverisën këta katër vjet ashtu si kushërinjtë e tyre të afërt (jo Habilajt), komunistët e Enver Hoxhës, nën premisën brutale ‘mund të bëjmë çdo gjë dhe ta mbulojmë me shpëlarje truri propagandistike’. Me një ndryshim të madh: kufijtë porozë lejojnë të qarkullojë gjithë çka nuk lejonte kloni hermetik i stalinizmit enverist.

Përtej këtij poroziteti ndodhen italianët me qytetet, njerëzit, mënyrën e tyre të jetesës, krishtërimin, mafian dhe institucionet e tyre. Këto të fundit ‘hodhën një rrjetë’ në Adriatik dhe në të ranë Habilajt, kushërinjtë e ministrit të Brendshëm shqiptar me gjithë shefat e policisë.

Rastësia e desh që përgjimet italiane të ‘inauguronin’ qeverinë e dytë të Ramës. Edhe sikur, në mandatin e dytë, Kryeministri të ishte bërë gati për një kthesë 180 gradë (gjë e pagjasë, thotë ajo parabola e ujkut që ndërron qime, por jo ves), në rrugën e këtij qëllimi të mirë u hodh, e sikletshme, ‘kufoma’ kutërbuese e qeverisjes së katër viteve të shkuara: Habilajt me Saimirin e tyre.

Që prej asaj dite Rama nuk ka qenë në timonin e qeverisjes, por në tenxheren me presion të menaxhimit të krizës. Pjesë e këtij crisis menagement ka qenë përpjekja për të krijuar iluzionin e një qeverie që po kalon tashmë nga duart e pushtetarëve në ato të qytetarëve. Ky operacion i ftohtë propagande është sintetizuar në hapjen e një serie portalesh ku qytetarët mund të ankohen, të shkruajnë, të shfryjnë, të çojnë letra, padi, fletërrufe, të kërkojnë llogari, të japin mend, të humbin mendjen, të shtyjnë kohën, të flasin me murin, të hipin këtu e të shohin Stambollin, të presin ditë më të mira, të hanë bar e të mos ia shtrijnë dorën armikut, të hedhin valle në gojë të ujkut, të shkojnë nga fitorja në fitorje, të mbjellin pezm e të korrin shpresë.

Nëse doni të shihni se cilat toka ka ujitur rrjedha e këtyre 100 ditëve qeverisje, hapni e-abania dhe shqipëriaqëduam. 89 shërbime premton e para, dhe një Shqipëri si në një telenovelë italiane, ngjarjet e së cilës zhvillohen në kodrat plot vreshta dhe verë të mirë të Toskanisë, e dyta.

100 vitrina në 100 ditë.

/Politiko.al/

Share: