Home KRYESORE ÇKA NA FLET TRAGJEDIA NË TETOVË? NGA EMIN AZEMI

ÇKA NA FLET TRAGJEDIA NË TETOVË? NGA EMIN AZEMI

Të gjithë ne, jemi shumë egoist kur është në pyetje interesi personal, por çuditërisht të gjithë neve na zë “gjumi i vdekjes”, në pikë të sabahut, kur dikush lufton me vdekjen nën pushtetin e kobshëm të flakës e tymit. Meqë ra fjala, a thua vallë ku mbeti e ku u tret solidariteti fqinjësor në rrugën “Goce Dellçev” të Tetovës, apo ndoshta, ashtu siç presim gjatë dimrit të na e heqë borën komuna para dyerve, edhe tani pritëm helikopterët me ujë të zbarkojnë mbi shtëpinë që po digjej

Nga Emin AZEMI

Në Tetovë nuk është hera e parë që të humbin jetë njerëzish si pasojë e djegies së shtëpive. Por, tragjedia e djeshme ishte kulmi. Një nënë 39 vjeçare bashkë me katër fëmijët e saj përjetuan vdekjen e tmerrshme nga flaka dhe tymi që kishte kapluar shtëpinë e tyre në orët e hershme të mëngjesit. Ndërkohë që ekipet e ndryshme do të sjellin rezultatet e tyre nga terreni për shkaqet e këtij zjarri, në syprinën e zymtë të realitetit tonë do të vazhdojnë të lundrojnë shumë dilema e paqartësi mbi atë se kush është fajtor për shuarjen jetës së këtyre banorëve të Tetovës.

Disa vdekje nuk kanë impakt vetëm personal. Ato (si rasti i djeshëm) marrin jehonë kolektive në momentin kur shoqëria tregohet e paaftë të mbrojë jetët e njerëzve. Sigurisht që tani nuk është etike të fajësohet dikush, nëse për këtë nuk janë bërë ekspertizat shteruese, dhe më së paku nëse nuk sillen argumente shtesë që dëshmojnë neglizhencën e dikujt, por përvoja jonë tregon se në të shumtën e rasteve jemi të gjithë ne nga pak fajtor që reagojmë vetëm kur të na ndodhë ndonjë hata e madhe. I pamë tek reagonin edhe disa fqinjë të viktimave, tek drejtonin akuza të rënda në adresë të kreut komunal, por harrojmë të pyesim se çka po bëjmë ne që të mos ndodhin tragjedi të tilla.

Ato rrugica të ngushta të Tetovës nuk janë të sotit dhe sigurisht që në ngushtimin e tyre kemi kontribuar të gjithë nga pak. Sepse, ne duam të kemi oborre me lule, kurse rrugica të ngushta dhe gjithë ne sillemi shumë të përgjegjshëm e të kujdesshëm ndaj pronës që ndodhet brenda oborrit tonë, por jemi shumë harbutë me pronën publike, me atë që quhet rrugë dhe me atë që quhet qarkullim i lirë i njerëzve. Të gjithë ne, jemi shumë egoist kur është në pyetje interesi personal, por çuditërisht të gjithë neve na zë “gjumi i vdekjes”, në pikë të sabahut, kur dikush lufton me vdekjen nën pushtetin e kobshëm të flakës e tymit. Meqë ra fjala, a thua vallë ku mbeti e ku u tret solidariteti fqinjësor në rrugën “Goce Dellçev” të Tetovës, apo ndoshta, ashtu siç presim gjatë dimrit të na e heqë borën komuna para dyerve, edhe tani pritëm helikopterët me ujë të zbarkojnë mbi shtëpinë që po digjej.

Aq të padukshëm dhe të pahetueshëm vallë paskan qenë zjarri e tymi, të paktën për ata namazli të sabahut të rrugës “Goce Dellçev”, sa të mos munden të afrohen dhe të alarmojnë gjithë lagjen për tmerrin që po ndodhte në shtëpinë e përshirë nga zjarri. Çka ishin ato skena revolte e agresiviteti para kryetares së komunës, thua se ajo e kishte vënë zjarrin dhe para se t’i hakërrehen asaj, ku ishin ata burra që i zuri “gjumi i vdekjes”, ndërkohë që dikush aty pak metra afër, po priste ndihmën e fqinjëve.

Ky dimër që u skuq nga flakët e vdekjes do të mbahet mend gjatë kohë për lagjen e Tetovës ku dikush vdiq në kohë të papërshtatshme, atëherë kur pushteti i gjumit është më i fortë se solidariteti dhe neglizhenca fqinjësore. Si duket tash e tutje do të duhej ta zgjedhim edhe kohën kur duhet të vdesim, sepse nëse jeta jonë varet nga ata që i zë “gjumi i vdekjes”, vaj halli për neve.

Çka të thuhet tjetër, pos të lavdërohen dhe faleminderohen deri në qiell ata burra trima të brigadës së zjarrfikësve në Tetovë, të cilët erdhën te familja fatkeqe para fqinjëve gjumash. Misioni i tyre ishte i pamundur dhe i papërmbushur, sepse ata nuk mundën të shpëtojnë jetën e njerëzve, por të paktën arritën të frenojnë çmendurinë e zjarrit, i cili ka mundur të gllabërojë edhe më shumë jetë njerëzish. Zakonisht pas çdo fatkeqësie, pritet të zbardhen edhe shkaktarët e asaj fatkeqësie. Por përvoja na thotë se te ne asgjë nuk zbardhet, përderisa vazhdojmë të nxijmë dhe të ngushtojmë të ardhmen tonë me rrugë të pakalueshme dhe me fqinjë që para se t’i kenë kryer obligimet e tyre fajësojnë të tjerët.

(Botuar në gazetën KOHA, Shkup)

Share: