Home KRYESORE E transferuan nga burgu i Vlorës në të Fierit, si u vetëvar...

E transferuan nga burgu i Vlorës në të Fierit, si u vetëvar me kanotiere i riu i dënuar për vjedhje

Nuk duroi dot izolimin në qeli, i jep fund jetës 38- vjeçari. Ngjarja ndodhi në Burgun e Fierit, ku një prej të dënuarve është gjetur i vetëvarur. Sipas të dhënave paraprake, një 38-vjeçar me inicialet A.M., është gjetur i vetëvarur në qelinë e tij pa shenja jete.

Mësohet se i dënuari kishte përdorur kanotierën e tij, që e kishte kthyer në formë litari për të ndërmarrë aktin fatal. 38-vjeçari, i cili mësohet se ishte nga fshati Qeparo i Vlorës, ishte dënuar me 3 muaj burg për veprën penale të vjedhjes.

Mësohet se dy ditë më parë ai ishte transferuar nga Vlora në burgun e Fierit. Nuk dihen ende shkaqet që e kanë detyruar të dënuarin të ndërmarrë një akt ekstrem për jetën tij, ndërsa

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Dyshimet e para çojnë te pamundësia e të riut për t’u përshtatur me jetën në qeli, ndonëse dënimi i tij ishte vetëm me pak muaj. E ndërsa Policia po heton ngjarjen, burimet e burgut të Fierit tregojnë se i riu që kur u transferua kishte shfaqur shenja depresioni dhe sjellja e tij i detyroi autoritetet ta çojnë për ekzaminim si dhe ta mbajnë më vete nga të tjerët, duke i caktuar dhomë teke.

Nuk përjashtohet dyshimi se i riu të mos e ketë pritur mirë transferimin nga Vlora për në Fier, çka mund të këtë shkaktuar ngarkesë psikologjike deri në atë shkallë sa ai të vendosë t’i japë fund jetës së tij.

Trupi i të ndjerit, pas veprimeve të duhura ligjore, i është dorëzuar familjes, ndërsa nuk ka të dhëna nëse këta të fundit kanë hedhur ndonjë akuzë ndaj institucionit./ Panorama

Share: