Home KRYESORE Ekstradohet Izet Haxhia: Jam i gatshëm të dëshmoj për krimet e Berishës

Ekstradohet Izet Haxhia: Jam i gatshëm të dëshmoj për krimet e Berishës

Ish-truproja i ish-kryeministrit Sali Berisha, Izet Haxhia, do të ekstradohet drejt Shqipërisë.

Një vendim të tillë e ka marrë Gjykata e Lartë në Turqi.

Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë Izet Haxhia.

Ai u shpreh se vendimin ia ka dorëzuar dje avokati në shtëpinë e tij.

Izet Haxhia është dënuar nga gjykatat shqiptare me 25 vite burg, lidhur me vrasjen e ish-deputetit demokrat Azem Hajdari.

Haxhia ka bërë të ditur pak kohë më parë, se ka mësuar se është dënuar gjithashtu edhe në Greqi për një tjetër vrasje.

Ai ka qenë mjaft aktiv në rrjetet sociale, duke nxjerrë shpeshherë të dhëna nga e kaluara e Sali Berishës.

Menjëherë pas këtij vendimi, Izet Haxhia ka dhënë një intervistë për portalin “Pamfleti”, pas vendimit të Turqisë për ta ekstraduar në Shqipëri.

Zoti Haxhia, informacionet tona pranë Gjykatës së Lartë turke bëjnë me dije për një vendim të marrë sot (dje) nga autoritetet e saj, në adresë të personit tuaj. Bëhet fjalë për një vendim ekstradimi në Shqipëri?

Po, u njoftova për këtë vendim të Gjykatës së Lartë turke.

Dhe si e pritët këtë vendim?

Gjykata e Lartë e Turqisë, pas 12 vjetësh dha vendimin për ekstradimin tim në Shqipëri. Besoj se me këtë vendim fillon edhe kapja e “peshqve të mëdhenj” të krimit e korrupsionit 27 vjeçar në Atdhe.

Ju do vini në Shqipëri, po çfarë ndikimi do të ketë kjo tek arrestimi i atyre që ju i quani “peshq të mëdhenj”?

Atë e di drejtësia e pavarur dhe jo unë, por si duket ekstradimi im do të përdoret nga qeveria shqiptare, e cila ka ndikuar me anë të qeverisë turke që të jepet ky vendim i dirigjuar politikisht.

Ju mendoni se ekstradimi juaj në Shqipëri ka ardhur si lobim i qeverisë shqiptare?

Unë jam i gatshëm të zbatoj vendimin e drejtësisë, sado që është i dirigjuar politikisht. Është e drejta ime që kur të kthehem, të rihap çështje për të cilat jam dënuar në mënyrë të padrejtë dhe theksoj këtu çështjen Hajdari.

Çfarë prisni nga drejtësia e re shqiptare dhe a e ndjeni veten se mund të pastroni figurën tuaj nga akuzat e hedhura apo dënimin e pamerituar, siç edhe pretendoni, për vrasjen e Azem Hajdarit?

Nga drejtësia e re dhqiptare pres që të jetë e pavarur dhe të zbatojë ligjet në mënyrë korrekte dhe pa ndikime politike, pres që të rihapet çështja “Hajdari”, pasi gjyqi i zhvilluar për atë çështje ka qenë komplet i manipuluar nga të dy krahët politikë dhe në bashkëpunim të plotë mes tyre është dhënë dënimi im i padrejtë.

Është e drejta ime ligjore, që buron nga Konventa Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, që unë të gjykohem përsëri për një çështje për të cilën kam marrë dënim në mungesë, pa pasur mundësi të mbrohem dhe të dëshmoj të vërtetat që di në lidhje me atë vrasje dhe njerzit e implikuar në të.

A ndiheni të kërcënuar në burgjet shqiptare dhe si mendoni ta përballoni situatën pas shumë e shumë vitesh largim nga Shqipëria?

Nuk kam pasur frikë ndonjëherë për jetën time dhe as nuk do të kem asnjëherë, pavarësisht faktit se shumë njerëz dhe klani Berisha në radhë të parë, u intereson të më shohin të vdekur, por edhe shumë të tjerëve. Unë nuk i jam shmangur asnjëherë drejtësisë së asnjë vendi. Kam dashur që në fillim kur është hapur gjykimi i çështjes “Hajdari”, të kthehem e të ballafaqohem me Drejtësinë. Nuk kam asgjë për t’u trembu nga asnjë lloj drejtësie, por me të vërtetat e mia dua të ballafaqohem përpara gjykatës me ata që janë nxjerrësit në pritë të Azemit, të cilët pasi e përdorën të gjallë, po e përdorin edhe sot të vdekur..

A do të dëshmoni kundër Sali Berishës?

I qëndroj të gjithave çfarë kam thënë deri më sot, si për Berishën, ashtu edhe për çdo person tjetër, dhe në qoftë se drejtësia e pavarur ma krijon mundësinë të dëshmoj para saj, unë do ta bëj këtë.

a.s/dita

Share: