Home KRYESORE Komisioni Hetimor për Tahirin, të hënën mblidhet Konferenca e Kryetarëve

Komisioni Hetimor për Tahirin, të hënën mblidhet Konferenca e Kryetarëve

Me 11 anëtarë do të ngrihet Komisioni Hetimor i kërkuar nga Partia Demokratike me qëllim kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ lidhur me çështjen ku përfshihet si i akuzuar ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Pjesë e anëtarëve do të jenë: kryetari dhe tre anëtarë si përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, një përfaqësues i LSI dhe 6 anëtarë të mazhorancës parlamentare.

Me një afat pune minimalisht tre muaj, kërkesa është depozituar ditën e martë nga grupi parlamentar demokrat në Kryesinë e Kuvendit. Ende e pa protokolluar, kjo kërkesë brenda pesë ditëve shkon në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e cila përcakton edhe përbërjen e komisionit, ku shumicën e ka mazhoranca por kryesinë pala që kërkoi ngritjen e komisionit, Partia Demokratike.

Burime pranë Kryesisë së Kuvendit thanë për ABC News se konferenca e Kryetarëve do të marrë në shqyrtim kërkesën ditën e hënë, për t’u njoftuar më pas në seancën plenare të 22 Shkurtit nga kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Share: