Home KRYESORE Nafta dhe marrëveshja e pritshme me Greqinë për detin! Nga Kasem Seferi

Nafta dhe marrëveshja e pritshme me Greqinë për detin! Nga Kasem Seferi

Pashë dhe dëgjova me kujdes atë çfarë tha Kryeministri “ynë” Rama 2 dhe analistët përballë tij. Megjithë respektin që kam për të tre si individ, më vjen keq por duke mos qenë të in/formuar në lidhje me çështjet ekonomike, po e formuloj unë pyetjet që munguan:

Sa naftë/gaz llogaritet në lidhje me rezervën në nëndetin e Detit të Sarandës deri te kufijtë delitimues të 12 miljeve dhe në cilën anë të ndarjes ndodhet zona naftëmbajtëse në rastin më të mirë?

Meqenëse pronësia nuk qenka një nga të drejtat themelore të qytetarëve çamë sipas analistit Arian Vasjari, çfarë duhet bërë (përveç genocidit dhe masakrave) për një pasuri të tërë? Duhet falur për arsye se nuk kemi pretendime territoriale siç tha Kryeministri?!

Le t’i kthehemi pyetjes së parë.

Analistët duke komentuar ngjarjet e dy dhjetëvjeçarëve të fundit erdhën në përfundimin se për aq kohë sa ekonomitë e vendeve industrial, veçanërisht, të BE – së nuk mund të shkëputen nga “zakoni i lidhjes me naftën dhe gazin” qëndrueshmëria e ekonomisë botërore nuk mund të jetë e sigurtë.

Fuqizimi i Rusisë, Iranit dhe Venezuelës, të konsideruara me të drejtë ose jo, si vende të pasura me energji, ende pozon një kërcënim ndaj stabilitetit ndërkombëtar dhe Perëndimit, për shkak se çmimet e naftës mund t’u japin këtyre vendeve jo vetëm më shumë të ardhura për të financuar veprimtaritë e tyre, por edhe kontroll më të madh mbi vendet që varen nga importet e tyre.

Ka ekzistuar dhe ekziston rreziku që vendet kryesore importuese të naftës, të shqetësuar për të siguruar furnizime të energjisë thelbësore për rritjen e ekonomisë vendase, të konkurrojnë në mënyrë të dëmshme për të ndikuar në rajonet eksportuese të naftës.

Pra, rreziku politik do të jetë gjithmonë i pranishëm për arsyen e thjeshtë se në shtetet e pasura me naftë nuk ka institucione të forta që t’i mbajë nën fre politikanët e tyre.

Rusia, për shembull, nuk mendon se mund të kërcënohet nga një kundërveprim masiv nëse ajo përdor gazin e saj natyror si një armë ekonomike dhe politike për të kufizuar zgjerimin e Perëndimit dhe të NATOS në Lindje dhe për të ndikuar mbi politikën e shteteve të Gadishullit të Ballkanit, veçanërisht për çështjen e Kosovës.

Rusia është furnizuesi më i rëndësishëm me gaz i Europës Perëndimore (me 60 për qind të furnizimit total) dhe vendeve ballkanike (me gjysmën e totalit të eksporteve ruse të naftës dhe gazit në tregun ballkanik, që llogaritet në 59 milion ton naftë dhe 79 miliard metër kub gaz), çka dëshmon se fuqia e saj në treg është pothuajse e pakundërshtueshme.

Prandaj, ekonomikisht dhe diplomatikisht, Rusia e sheh veten në një pozitë shumë të favorshme, sepse është në gjendje t’i ofrojë Kinës, Indisë, Japonisë, si dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian atë çka Amerika nuk ua ofron dot.
Në këto vende Rusia eksporton 30 për qind të naftës dhe 44 për qind të gazit, dhe ka rritur influencën e saj euroaziatike.

Nafta edhe pse është një burim i kufizuar, nxit sistemin global të transportit, veçanërisht në vendet në zhvillim, të cilët në rast se do ta konsumonin atë në të njëjtin nivel me vendet e KE – së, atëhere konsumi botëror do të rritej me 150 për qind.

Por dëshira për të ulur varësinë nga nafta ka komplikacionet dhe justifikimet e veta gjeopolitike, strategjike, ekonomike, sociale dhe kështu me radhë.

Derisa ekonomitë e vendeve industriale të shkëputen nga ajo që Presidenti George W. Bush e quajti “zakoni i lidhjes sonë me naftën”, qëndrueshmëria e ekonomive të vendeve të industrializuara, pra qëndrueshmëria e ekonomisë botërore do të jetë e pasigurtë.

Në rrethanat e krijuara nga kriza botërore, në Gjenevë nga 19 deri 21 Nëntor, 2008 u mblodh Sesioni i 17 – të i Komisionit Ekonomik për Europën i Kombeve të Bashkuara për “Aleancat Strategjike për Sigurinë e Energjisë”, i cili u përqëndrua te problemet e mprehta që përfaqëson ende edhe sot sektori i naftës dhe i gazit në botë, te rreziqet e krijuara për shkak të krizës globale financiare, te paqëndrueshmëria e çmimeve të naftës dhe te ndryshimet e mprehta të kërkesës për naftë që e kanë sigurinë e furnizimit me energji një problem emergjent.

Në rritjen e kërkesës për energji në shkallë botërore deri në vitin 2030, sipas llogaritjeve paraprake, peshën kryesore me 52 për qind të konsumit të përgjithshëm të energjisë do ta zenë hidrokarburet, 27 për qind qymyret, 15 për qind energjitë e rinovueshme dhe 6 për qind energjia nukleare.

Prodhuesit kryesorë në tregun e energjisë sot janë Lindja e Mesme, Rusia, Rajoni i Kaspikut, Kanadaja, Afrika dhe Venezuela, ndërsa konsumatorë janë Amerika e Veriut, Europa, Kina, India, Brazili, të cilat së bashku konsumojnë 61.3 për qind të naftës dhe 50.1 për qind të gazit botëror.

Irani renditet i dyti në botë përsa i përket rezervave të gazit dhe po ashtu i dyti në prodhimin e naftës në kuadër të OPEC – ut (që ze 40 për qind të naftës në nivel botëror).

Të dhënat janë shqetësuese, sepse me ritmin aktual të rritjes së konsumit, rezervat llogariten 230 vjet për qymyrin, 70 vjet për gazin, 50 vjet për naftën.

Gazi natyror ka rezerva të bollshme, por ai do të kërkojë investime të mëdha në pikëpamje të transportit dhe shoqërohet me rreziqe gjeopolitike të mëdha.

Meqenëse energjia po bëhet një problem gjithnjë e më i ndjeshëm, rëndësi të madhe ka njohja dhe vlerësimi i zhvillimeve botërore në fushën e naftës dhe gazit, sidomos pas asaj që ndodhi në vitin 1971, kur roli historik i naftës së prodhuar në SHBA mori fund, për shkak se kërkesa botërore e tejkaloi aftësinë prodhuese të SHBA dhe të pavarësisë energjetike të tyre.

Që prej vitit 1971, epiqendra e rregullimit të çmimeve u zhvendos nga SHBA te disa kompani të mëdha prodhuese amerikane në Lindjen e Mesme dhe, më pas, u zhvendos te forcat e tregjeve të globalizuara, të cilat në ditët e sotme nuk mund të kontrollohen as nga prodhuesit e mëdhenj dhe as nga ndonjë organizëm tjetër.

Shfrytëzimi deri në ekstrem i fuqisë së përcaktimit të çmimeve në fillim të dhjetëvjeçarit të vitit 1970, i detyroi shumë vende prodhuese të naftës dhe, veçanërisht, ato të Lindjes së Mesme, t’i shtetëzonin kompanitë e naftës me qëllim që ta ushtronin direkt ndikimin e tyre politik në arenën ndërkombëtare.

Analistët e politikës e kanë bërë plotësisht të qartë se për aq kohë sa vendet e mëdha konsumatore do të jenë të detyruar të përdorin burime gazi nga vendet që nuk mbajnë marrëdhënie miqësore me ato, do të preken nga krizat.

Rezervat më të mëdha të naftës dhe gazit në botë ndodhen nën kontrollin e monopoleve shtetërore në vende si Rusia, Irani, Arabia Saudite, Nigeria, Venezuela, etj, të cilët të ardhurat për buxhetet e tyre i sigurojnë nga shitja e naftës, e cila përbën pothuajse burimin kryesor të të ardhurave.

Ndërsa pyetja e dytë, përgjigjen e ka Brenda, në qoftë se i jepet përgjigje e saktë pyetjes së pare në lidhje me zonën naftë – gaz mbajtëse të Detit të Sarandës.

Greqia, vërtetë, ka ditur të përdorë diplomacinë e saj ekonomike për t’i siguruar vendit privilegje dhe pasuri, veçanërisht, pas pasojave që solli kriza greke.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: