Home KRYESORE NE KRYE TË RRUGËS… (Tregimi i së dielës)

NE KRYE TË RRUGËS… (Tregimi i së dielës)

Nga Agim Xhafka

Blertës iu bënë disa vjet që rri tek kjo rrugë në të dalë të Romës. Pranverës e verës vjen tek tortuari nga ora 8 e mbrëmjes. Në stinët e tjera në orën 6. Mbështetet tek kjo akcja e trashë,vendos njërën këmbë tek trungu duke e nxjerrë në dritë kofshën e saj të gjatë,të drejtë dhe të tonifikuar nga muskujt e moshës. Tani sapo mbushi 24 vjeç. Erdhi para pesë vitesh. Me Alqin,të dashurin e ëndërrave. E dashuroj sa e pa që kaloi me Benz para shkollës së saj. E u marros,nuk dëgjonte kënd. Fjala e tij si fjalë zoti. Kur babai nuk pelqeu lidhjen e tyre,Blerta iku nga shtëpia,i hipi avionit e ja,mes Romës me dashurinë e saj. Kaluan ca javë me ngjyra ëndërrash,deri sa një ditë ai ia caktoi rrugën,madje dhe pemën ku do mbështetej e jepi goce se na duhen shumë,shumë para.

Nuk kundërshtoi e as u nervozua. I tha Alqit ik pirdhu se në qoftëse këtë punë do e bëj s’kam nevojë për ty.

Kështu ndjeu dhe çlirim. I ra perdja e syve. Pa që jeta kishte edhe re,edhe furtuna. I vuri vizë emrit të tij e nisi të ndillte klientët. Nuk i munguan se pérveç mishit të njomë Blerta kishte nur,sy plot lëng dhe një të qeshur,ah,sa bukur si dielli i Romës.

Mori një shtëpi me qira dhe guxoi të telefonojë në shtëpi. I ati sa ia ndjeu zërin,e mbylli telefonin. Mori sërish. E kapi e ëma. Iu dridh zemra e ca çaste heshtën të dyja. Folën pa fjalë, me frymëmarrjen e shpeshtuar.

-Yt atë ka pësuar infarkt,

Blerta u mbajt tek tavolina e ngrënies.

-Duhet të operohet,por duan shumë para. Genta po rritet. Ëndërron të shkojë në gjimnaz në qytet. E ku të gjejmë aq lekë sa t’i paguajmë konviktin. Unë mbahem,qep ca fustanë ,por tani i blejnë gati se kushtojnë më lirë.

Nuk e pyeti as për Alqin,as për punën që bën. Do e kenë mësuar,mendoi.Kur e ëma tha se babai nuk del fare në fshat,kuptoi gjithçka. Mbylli telefonin e lotoi e lotoi deri sa i erdhi ora e akacies.

Çdo ditë do heq ca para për babain,per operacionin. Edhe per konviktin e Gentës,motrës së vogël. Mbështetur tek pema po bënte llogari. Kaq euro në ditë shumëzim për kaq javë e muaj ,por nuk mbaroi se dikush i bertiti. Ishte një çun i ri me një kabriolet wolgsvagen.

Pas një ore serish te pema. I punonte mendja tek ndihma për familjen. Dhe e gjeti. Çdo ditë një klient do e quante të operacionit. Dhe një tjetër të konviktit. Pra i ngeleshin tre-kater të tjerë. Që nuk ia plotësonin qiranë,ushqimin,veshjen,por do shtrëngonte rripin. Ishte gati se flitej për babain,ah,sa mall kishte! Po sikur zemra t’i ishte sëmurur prej saj? O zot,çfarë ndëshkimi. Dhe me këto mendime priste,priste. Ishte hera e parë që donte sa më shumë klientë. Le të ishin dhe të dhunshëm. Mjafton mos mungonin.

Ditët rridhnin e një libër mbi mikrovalën e kuzhinës mbushej në çdo faqe me euro. Nga vera,takoi rastësisht Simon,dajën e vet. Ai bëri sikur nuk e pa. Por Blerta i bërtiti fort. U detyrua ta takojë. Por nuk i foli.

-Kam ca para pér nënën. Mund t’ja çosh?
-Mirë,-i tha dhe ashtu nëpér dhëmbë i përmendi hotelin ku rrinin.
Priti tre ditë dhe mori në telefon. I doli nëna.
-I mora eurot. Po shumë na dërgove,moj vajzë. Gentës i thashë të rregjistrohet në shkollë. Babait nuk di si t’ja them.
Heshtje. As Blerta nuk kishte menduar një zgjidhje.

Jo më vonë se të nesërmen i ra celulari. Mendoi se ishte e ëma. E hapi menjëherë.

-Blerta,-dëgjoi zërin e babait.- Më tregoi nëna për parate që ke nisur për mua. Të falenderoj.

Nuk besonte se mund të dëgjonte fjalë të tilla.

-Por unë nuk do i harxhoj,jo se e di si i ke fituar,por sepse kam një propozim.

U shkëput nga akacia,u zhvendos më thellë trotuarit dhe i bëri veshët katër.

-Nuk më dëgjove atehere dhe nuk u mërzita se ishte jeta jote. Tani po të them se me këto para eja në qyteti pranë fshatit tonë. Merr një shtëpi ku të rrijë dhe Genta e nis një punë a bëj një biznes. Nuk turpérohem që ti bën atë punë. Plot vajza nga fshati si ty janë nëpër Evropë. Turpi nuk ka shumë peshë sot se po na bije mbi plot e plot shpatulla. Por një boll dua të ta them. E më shumë më shëron ardhja jote se sa operacioni.

Kaq folën dhe u duk se akacia lëshoi më shumë aromë,se dielli po qeshte dhe zemra tiktante me ritëm pranvere. Hapi cel dhe në internet shënoi fjalën biletë avioni. Donte që nesër të ishte pranë asaj zemre që e qëlloi me top. Iu njomën sytë,por nuk kishte mërzitje. Kishte mall,ah sa mall. Se pas një faljeje vjen një shpresë…

Share: