Home KRYESORE Një natë para pyllit…. nga Bernard-Marie Koltès

Një natë para pyllit…. nga Bernard-Marie Koltès

Përktheu  Elona Caslli

Ky monolog është bazuar në një histori të vërtetë. Një mbrëmje me shi dramaturgu francez takon një  refugjat me të cilin bisedon. I huaji i flet për gjendjen e tij prej “të huaji” në atë vend.

Refugjati është krejt i vetëm dhe flet me dramaturgun ashtu siç nuk kishte folur kurrë me njeri më parë.

Duhet të rrimë nga ana tjetër, pa njerëz vërdallë, miku im.
Kur kam dëshirë të të them, atë që duhet të të them.
Të ndihemi mirë. Për shembull, shtrirë mbi bar dhe mos të lëvizim më, me hijen e pemëve.
Atëherë do të të thoja: “Këtu jam mirë, këtu është shtëpia ime. Po shtrihem dhe të përshëndes.”

Por, këtu miku im , është e pamundur. Kurrë nuk kam parë një vend, ku të lënë rehat dhe të përshëndesin.
Duhet të të përzëmë – të thonë. Ik andej, ik andej!
Ik atje poshtë, çoje bythën!
Dhe bën gati valixhet, puna është tjetërkund.

Gjithmonë, puna është në një vend tjetër dhe ti duhet ta kërkosh.
Nuk ka kohë për t’u shtrirë, për t’u çliruar. Nuk ka kohë për të dhënë shpjegime dhe për të thënë:
“ Të përshëndes.”
Me shkelma bythëve të përzënë. Puna është gjithmonë tutje, gjithmonë e më larg , deri në Nikaragua.
Po deshe punë, duhet të zhvendosesh. Kurrë nuk mund të thuash:
“ Kjo është shtëpia ime. Të përshëndes.”
Kur iki nga një vend, më duket gjithmonë sikur braktis një shtëpi dhe se vendi ku do të iki nuk do të jetë kurrë shtëpi për mua.

Kur të bien me shqelma bythëve, ti nisesh përsëri
dhe atje ku shkon je akoma më i huaj, gjithmonë e më pak në shtëpi.
Kur të bien me shqelma bythëve, ti nisesh përsëri
dhe kur kthen kokën pas or mik, nuk sheh veçse shkretëtirë.

Ndalojmë një herë e mirë dhe le t’u themi:
“Ikni, qihuni ! Unë nuk zhvendosem më. Ju duhet të më dëgjoni.”
Po të shtrihemi një herë e mirë në bar dhe t’i japim kohë njëri-tjetrit; po të rrëfesh ti historinë tënde, ata që kanë ardhur nga Nikaragua, të rrëfejnë historinë e tyre dhe ta pranojmë se jemi të gjithë të huaj dhe ta dëgjojmë me qetësi njëri -tjetrin, atëherë do ta kuptojmë se atyre nuk u rruhet trapi fare për ne.

Kur punoja, flisja me të gjithë ata që i kishin përzënë me shqelma bythëve dhe kishin zbarkuar këtu për të gjetur punë. Ata më dëgjonin.
Unë i dëgjoja ata të Nikaraguës dhe ata më tregonin se si ishte vendi i tyre.

Atje, na ishte një gjeneral i vjetër që rrinte ditë e natë, anë një pylli.
Ai rri gjithë kohës atje. Atje ia çojnë ushqimin sepse ai nuk duhet të lëvizë.
Ai duhet të qëllojë me armë këdo që lëviz dhe e furnizojnë me municione sa herë që i mbarohen.
Më tregonin për një gjeneral që bashkë me ushtarët rrethon pyllin.
Gjithçka që lëviz vihet në shënjestër.
Gjithçka që shfaqet anë pyllit,
gjithçka që nuk ka ngjyrën e pemëve,
gjithçka që nuk lëviz njësoj si to,
vihet në shënjestër.

Unë i dëgjova të gjitha këto dhe thashë me vete se gjithandej është njësoj.
Sa më shumë të më bien me shqelma bythëve, aq më i huaj do të jem.
Ata vijnë këtu dhe unë shkoj atje.
Atje, ku gjithçka që lëviz, fshihet në male.
Unë i dëgjova të gjitha dhe thashë me vete:
“ Unë nuk lëviz më. Po nuk pata punë, nuk punoj. Po më çmendi puna dhe po më zunë me shqelma bythëve, nuk punoj më.”

Dua të shtrihem, një herë e mirë , dua të shpjegohem, dua barin, dua hijen e pemëve.
Dua të ulëras. Dua ta kem mundësinë të ulëras edhe nëse me qëllojnë me armë, sepse këtë bëjnë ata. Po nuk u binde, po hape gojë, duhet të fshihesh në fund të pyllit.

Ndoshta, është më mirë, kështu.
Të paktën t’i thashë ato që duhet të të thoja.

Share: