Home KRYESORE Petrit Vasili shpërthen ndaj Ramës: Je peng interesash të errëta

Petrit Vasili shpërthen ndaj Ramës: Je peng interesash të errëta

Nga Petrit Vasili

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili, ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Rama sa i takon qëndrimeve në politikën e jashtme. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, deputeti i LSI thotë se orientimi strategjik i Shqipërisë drejt SHBA dhe BE është tronditur thellë. Por ai thekson se shqiptarët do ta refuzojnë me çdo mjet një gjë të tillë.

Orientimi strategjik i Shqipërisë drejt SHBA-BE i tronditur thellë, shqiptarët do ta refuzojnë me çdo mjet.

Për shkak të një kryeministri peng interesash të errëta Shqipëria sot gjendet në ç’orientimin më të rëndë dhe të qëllimshëm strategjik dhe kombëtar si asnjë herë në këto 27 vite pluralizëm.

Orientimi strategjik madhor drejt SHBA është sot jo vetëm i dyzuar por dhe i shantazhuar. Realitete ekstraamerikane të lyera me bojën e interesave ekonomike të zymta po ju vihen në tavolinë shqiptarëve si zgjidhje më të “embla” dhe më të “këndshme” se sa sprova e demokracisë së fortë, parimore dhe të panegociueshme amerikane e cila e shëndosh Shqipërinë dhe e bën atë një realitet të qëndrueshëm politiko social.

Logjika e parave mbi demokracinë po dominon edhe marrëdhëniet me BE duke e shantazhuar edhe raportin me të.

Çdo kërkesë për vendosjen e shtetit ligjor nga SHBA dhe BE po shantazhohet nga kryeministri dhe ata që e ndjekin pas me kërcënimin shumë të rrezikshëm se “do shkojmë andej nga na japin para”, pavarësisht erës shpesh të qelbur të tyre, që natyrshëm nuk janë as dollarë dhe as euro por para të tjera gjithfarësh.

Votimi kundër Amerikës në OKB apo deklaratat e kryeministrit në Bruksel se “nuk presim gjatë BE dhe do shohim edhe alternativa të tjera” janë akte publike të një banditizmi politik që shkatërron orientimin e patjetërsueshëm strategjik drejt SHBA dhe BE dhe një alibi për të përligjur veprime tepër të errëta, që po çojnë drejt largimit nga ky orientim.

Apatitë e “çuditshme” të SHBA dhe BE në Tiranë kanë qenë një mundësi më shumë që ky destruktim strategjik i kryeministrit të bëjë udhë.

Shqiptarët janë shumë të qartë, ata kanë vetëm një bosht strategjik, që kalon nga SHBA dhe BE dhe tek vlerat fondamentale që inspirohen në Uashington e Bruksel dhe jo tek përkthimet e shtrembra lokale.

Ky kryeministër që sot rastësisht qeveris vendin dhe që e minon këtë orientim strategjik do të refuzohet me forcë dhe me çdo çmim edhe nga Shqiptari më i fundit.

Ky refuzim mbarëkombëtar ndaj këtij komunizmi “të ri” izolues të parave të pista është sot një mision i shenjtë kombëtar.

Share: