Home Approccio Italo Albanese Reportazhi / Tirana e re, e lirë dhe e egër, revista “Vanity...

Reportazhi / Tirana e re, e lirë dhe e egër, revista “Vanity Fair” fton italianët në kryeqytetin shqiptar

“Tirana nuk ndalon për asnjë çast. Është kjo përshtypja që krijohet duke ecur në rrugët kaotike të kryeqytetit shqiptar. Kantiere, vinça, skela, arkitektë dhe punëtorë në punë, të gjithë të impenjuar për të rikualifikuar një qytet që ka dëshirë të dalë në pah dhe që sot, qëndron në krye të kryeqyteteve më në modë evropiane”.

Kështu e nis një reportazh të sajin gazetarja e revistës “Vanity Fair” Francesca Masotti Linku, e cila e përshkruan me tre epitete kryeqytetin e Shqipërisë në reportazhin: “i ri, i lirë dhe i egër”.

Masotti-t i bën përshtypje përzierja e kulturave arkitekturore evropiane, në një vend që nisin me projektin e Gerardo Bozios, arkitektit të qendrës së rikualifikuar të kryeqytetit një vit më parë.

Një shije të veçantë i kanë lënë edhe projektet e tjera arkitekturore, restorantet me shije, baret, lagje të tëra në ndërtim dhe energjia e një qyteti që vendos të flejë vonë me jetën e natës që nuk fle kurrë.

“Qendra e Tiranës zhvillohet rreth Sheshit Skënderbej, me kopshte të dendura, kisha, xhami dhe muze, ashtu si Muzeu Historik Kombëtar, që tregon historinë e vendit nga periudha paleolitit deri në epokën e komunizmit, apo siç është Bunk Art2”, i dedikuar viktimave të regjimit komunist, apo Shtëpia e Gjetheve, ku janë ekspozuar arkivat e Sigurimit”, thuhet më tej në shkrimin e revistës italiane të modës.

Natyrisht që një vend të veçantë në etiketimin e një qyteti europian zë edhe kuzhina e tij dhe jeta e natës. Dhe “Vanity Fair’ ka mbetur e befasuar nga dizajni, inovacioni dhe cilësia e produkteve që ofrojnë disa nga restorantet më në zë të kryeqytetit shqiptar, duke ndërthurur shijet tradicionale me ato moderne në një kulinari të kuruar me përvojë ndërkombëtare, që reportazhi i përmend edhe me emra. Nuk harrohet të përmendet as jeta natës, ku Blloku nuk është më sot i aksesueshëm vetëm nga nomenklatura komuniste, por është shndërruar në një vatër të rinisë e frekuentuar deri në orët e para të mëngjesit, ku mund të shijosh nga tradicionalja kafe turke, deri tek koktejet më ekzotike me fruta të freskëta.

“Vanity Fair” i fton italianët ta vizitojnë Tiranën, e cila ofron çmime konkurruese udhëtimi edhe për shkak të linjave ajrore “low cost” që operojnë për të lidhur dy vendet, duke nisur nga 35 euro bileta.

“Por Tirana ofron edhe akomodim komod në pikat kryesore të interesit për të vizituar qytetin, nga hotelet gjigante në qendër, teri tek hotelet butikë, që ofrojnë më shumë klas dhe nuk ndodhen më larg se 500 metra nga Sheshi Skënderbej”, përfundon “Vanity Fair”.


Share: