Home KRYESORE Zbardhet dëshmia e shoferit që aksidentoi për vdekje nusen e vjehrrin

Zbardhet dëshmia e shoferit që aksidentoi për vdekje nusen e vjehrrin

Halil Koka është duke u mbajtur në polici prej ditës kur aksidentoi fatalisht një grua të re dhe vjehrrin e saj. Xhemil dhe Edlira Fisku mbeten të vdekur, ndërsa djali 8 vjecar i Edlirës i shpëtoi vdekjes, dhe po kurohet në spital. Ngjarja e rëndë ndodhi në Golem tek Mali i Robit mëngjesin e së shtunës, 24 Shkurt. Në fillim u arrestua Edlira Parroj pasi mjeti ishte në emër të saj, por më pas u zbulua se në drejtimin e mjetit ka qenë partneri i saj, shtetasi Halil Koka.

Ky i fundit gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se ishte me pak me shpejtësi, ndërsa ekspertiza e ka nxjerr se udhëtonte me 130 km/h. Ndërsa personat që humbën jetën ishin kalimtarë të cilët prisnin autobusin për të shkuar në Berat.

“Humba kontrollin e mjetit kur hyra në kthesë, pasi hasa problem me gomën e përparme të krahut të djathtë dhe u përplasa me mbrojtësen metalike. Makina u përplas fort me barrierën mbrojtëse prej metali dhe u batua, ndërkohë mori përpara disa persona, që ndodheshin në anë të rrugës”, ka thënë Koka në dëshminë e thënë në polici.

“Gjithçka ndodhi shumë shpejt, në pak sekonda. Isha duke udhëtuar nga Durrësi në drejtim të Kavajës me shoqen time (Ilda Parroj) dhe te rrethrrotullimi te “Mali i Robit” bëra aksidentin. Mbaj mend që isha pak më shpejt se normalja, ndërkohë makina me preu djathtas. Kisha gomën e djathtë të përparme të rëndë dhe ndaj dola nga rruga duke u përplasur me barrierën metalike dhe më pas makina u batua me goma përpjetë. Kemi bërë dy-tre salto dhe përfunduam zvarrë mbi 30-40 metra. Fatkeqësisht aty ndodheshin edhe disa persona, të cilët u përplasën në mënyrë të pavullnetshme nga makina qe unë drejtoja. Mbetëm të shokuar, vetëm pas pak minutash kuptuam se çfarë kishte ndodhur. Me vjen shumë keq për personat që mbetën të vdekur në këtë ngjarje aksidentale”, ka deklaruar për ekspertët e aksidenteve, 40 vjecari Halil Kola.

I pyetur pse drejtonte automjetin pa leje drejtimi (i ishte bllokuar dy ditë para aksidentit), Koka ka heshtur. Sakaq, për të hetuar ngjarjen e rëndë është ngritur një grup i posaçëm hetimor.

Burime nga Policia e Kavajës thanë se, ngjarja po hetohet nga tre ekspertë të pavarur të caktuar nga Gjykata e Kavajës, të cilët do të rindërtojnë edhe një herë dinamikën e aksidentit. Nga hetimet paraprake dhe provave e matjeve të zhvilluara në vendin e ngjarjes, ekspertët kanë dalë në konkluzione fillestare se Koka po lëvizte me shpejtësi mbi 130 km/h.

Në vendin që ndodhi aksidenti tabela lejon 80 km/h, pra ai lëvizte me rreth 40 km/h mbi normën e lejuar në këtë segment rrugor, ku ndodhet edhe rrethrrotullimi i “Malit të Robit”, ndonëse ishte pa patentë.
Sipas ekspertëve, mjeti tip “Toyota Corolla” me targa AA 686 OL, që drejtohej nga Koka, goditjen fillestare e ka marrë në përplasjen me barrierën mbrojtëse metalike dhe teksa ka fluturuar në ajër duke bërë dy- tri rrotullime ka përplasur familjen Fisku. Familja Fisku ndodhej e mbështetur te barriera mbrojtëse metalike dhe mjeti i ka ngjeshur shumë fortë në strukturën e saj.

Ekspertët thanë se Kokës i është bërë menjëherë testi i alkoolit, por ka rezultuar negativ. Sikurse i është marr gjak për t’i bërë analizat, nëse ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike./opinion.al

Share: