Home KRYESORE Dëbimi i dy diplomatëve, ambasada ruse paralajmëron kundërmasa ndaj Shqipërisë

Dëbimi i dy diplomatëve, ambasada ruse paralajmëron kundërmasa ndaj Shqipërisë

Zëvendësambasadori rus në Tiranë, Dimitry Kazmin, në një prononcim për Report Tv ka shprehur keqardhjen për vendimin e Shqipërisë që iu bashkua SHBA dhe NATO-s për të dëbuar diplomatët rusë pas përplasjes mes Moskës dhe Londrës.

Dimitry Kazmin shprehet se ky vendim bie ndesh me përpjekjet e Rusisë për përmirësimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Ai shton se vendimi është i pa bazuar dhe se koha do të tregojë një gjë të tillë, ndërsa paralajmëron për kundërpërgjigje.

“Lidhur me vendimin e autoriteteve shqiptare për largimin e dy diplomatëve rusë, na duhet të shprehim keqardhjen për këtë rast.

Ky vendim bie ndesh me përpjekjet tona për përmirësimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe. Vendimi është i pabazuar dhe koha do ta tregojë këtë. Në këtë situatë nuk mund të përjashtohen edhe kundërmasat nga pala ruse. Edhe njëherë tjetër dua të shpreh keqardhjen për çfarë ndodhi. Veprimi i palës shqiptare i kundërvihet frymës pozitive për marrëdhënie të mira midis dy vendeve. Pozitën zyrtare ju do ta merrni në të ardhmen e afërt”, tha zv.ambasadori rus Dimitry Kazmin për Report Tv.

Shqipëria shpalli sot ‘non grata’ dy diplomatë rusë pas përplasjes mes Britanisë së Madhe dhe Rusisë.

Dy diplomatët që janë dëbuar nga Shqipëria janë Vladislav Filipov, atashe ushtarak dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i ambasadës së Rusisë në Tiranë.

Me vendimin e sotëm Shqipëria u bashkua me vendet e aleancës së NATO-s, që vendosën sanksionet pas helmimit të ish-spiunit rus në Britani, gjë për të cilën akuzohet Moska.

a.s/dita

Share: