Home KRYESORE Media meksikane zbulon kartelin që nisi kokainën nga Kolumbia në Shqipëri

Media meksikane zbulon kartelin që nisi kokainën nga Kolumbia në Shqipëri

Kapja e 613 kg kokainë në portin e Durrësit me një kontejner me banane që pikënisjen e kishte nga Kolumbia ka tërhequr vëmendjen edhe të medieve meksikane që janë të specializuara në njohjen e karteleve të drogës.

Media meksikane “Sipse” ka zbuluar se kokaina e sekuestruar nga policia shqiptare i përket një strukture narkotrafiku të lidhur me organizatën “Clan de Golfo”, një ndër më të rrezikshmet në Kolumbi, që ka kontakte me disa porte në Europë, ku dërgon drogën.

“Rreh 613 kg kokainë të kamufluar në një kontejner me banane u zbuluan në portin shqiptar të Durrësit në një operacion të koordinuar nga marina kombëtare kolumbiane, agjencitë ndërkombëtare dhe policia shqiptare.

Droga ishte e fshehur në kontejner dhe ishte nisur nga Kolumbia në mes të janarit, dhe do të vinte në disa porte të Europës përpara se të arrinte në portin shqiptar ku dhe u ndalua.

Informacioni i dhënë nga agjencitë pjesëmarrëse në operacion lejuan policinë shqiptare të planifikonte aksionin për ndalimin e drogës në kontejnerin që zotërohej nga një kompani shqiptare.

Nga operacioni u arrestuan dy persona: shoferi i kamionit dhe një punonjës i kompanisë. Ndërkohë policia shqiptare shpalli në kërkim pronarin e kompanisë dhe ka hapur një hetim me homologët në Europë për të identifikuar e arrestuar persona të tjerë në lidhje me ngjarjen,” shkruhet në artikull që mund ta lexoni në origjinal këtu.

Çfarë është klani “del Golfo”

“El Clan del Golfo”, i quajtur më parë “Los Urabeños” ose “Clan Úsuga”, është një grup kolumbian i trafikimit të drogës i cili është përfshirë në konfliktin e armatosur kolumbian.

Ky grup konsiderohet grupi më i fuqishëm neo-paramilitar në Kolumbi me rreth 3.000 anëtarë në rrethin e brendshëm të organizatës.

Burimi kryesor i të ardhurave te tyre është trafiku i drogës.-a.s/dita

Share: