Home KRYESORE Ndërkohë që secili lider “është betuar dhe betohet” se do t’u shërbejë...

Ndërkohë që secili lider “është betuar dhe betohet” se do t’u shërbejë të gjithë shtetasve.

Nga Kasem Seferi

“Historia“ e politikës shqiptare të pas viteve 90 – të, nuk ka dyshim se ka mjaft ngjarje, jo vetëm me formimin (dhe, me nder, “pjerdhjen“ e partive të vogla, ose më saktë korenteve të partive kryesore), por dhe me zhvillimet politike, shoqërore dhe ekonomike.

Të shpenzosh kohë dhe rrjeshta për këtë dukuri nuk ia vlen.

Megjithëatë, dukuria e fundit (me respekt, do ta quaja “Patozi”, jo nisur nga “simptoma”, por dukuria që lidhet me këtë simptomë të fundit, ma çon mendjen herët në histori, komentuar nga të huaj: dashamirës si Edith Durham dhe jo dashamirës si Porqueville (Pukëvili), të cilët kanë lënë një trashëgimi që duhet studjuar në shumë fusha dhe, veçanërisht, në fushën e shtetformimit.

Kemi dy ndarje të mëdha të njohur që në lashtësi: gegë dhe toskë, por kemi një gjuhë të vetme, me shumësi dialektesh krahinore, me shumësi traditash folklorike, etnografike, por pa mohuar dhe bashkëtretjen e ardhjeve në trevën e Ballkanit, ku Shqipëria (për fat të mirë dhe të keq) ka qenë (çudërisht) shumësia e udhëve drejt Europës Qendrore dhe Perëndimore.

Shekuj para dhe pas Krishtit kanë sjellë sa e sa zhvillime!

“Të mëdhenjtë“ e të gjithë këtyre zhvillimeve historike, natyrisht, kanë pasur ndikimin e tyre dhe si rezultat i këtij ndikimi, kanë rrjedhur pasoja që, fatkeqësisht, në drejtim të shtetformimit të kombi shqiptar (frut i politikës, ekonomisë dhe zhvillimeve shoqërore), ka qenë nga më të vegjëlit, krahasuar me shtetet e tjera të Ballkanit, veçanërisht, Ballkanit Perëndimor, sikundër quhet sot (të cilin e “pagëzoj“ me fjalën ironi/tallje dhe shtirje).

Duke e lënë në pamje rrjeshtimin e paragrafëve të mësipërm, dua të përmbledh disa “nëndukuri“ të politikës shqiptare të pas viteve 90 – të.

Politika shqiptare e viteve 90 – të dhe deri më sot e ka parë dhe sheh turmën si një grup që përfaqëson të gjithë mbeturinat e shoqërisë, gjë kjo që ia ka bërë më të lehtë që ta ngatërrojë këtë turmë me popullin, ku përfshihen të gjitha shtresat e shoqërisë.

Turma gjithnjë ka brohoritur për “njeriun e fortë” dhe “liderin e madh”, arsye kjo që ka dëshmuar dhe dëshmon përse “teatri” i politikës shqiptare është mbizotëruar dhe mbizotërohet nga:

Mohimi;
Sharja;
Zhvlerësimi; dhe, në përgjithësi, nga
nihilizmi për punën e kundërshtarit nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, servilizmi, lavdet, hyjnizimi i kultit të individit për menaxhimin e proçesit politik, fakte këto që dëshmojnë psikologjinë zotëruese të turmës, që është influencuar dhe influencohet nga iluzionet e liderëve politikë në lidhje me marrjen e pushtetit.

Tek çdo mbështetës dhe kundërshtar, me bindje të caktuara politike, rregullisht, ka ndërhyrë dhe ndërhyn qendrimi i liderit (më saktë, modeli i tij politik), çka ka treguar dhe tregon se që prej fillimit dhe deri në fund, psikologjia individuale është bërë psikologji shoqërore e grupeve të caktuara politike, me një gjuhë e ashpër që urren gjithçka në lidhje me liderin kundërshtar dhe kundër gjithçkaje tjetër që bëhet ndryshe nga ai.

Për këtë arsye, kundërshtarët politika ia kanë mveshur dhe i mveshin gjithçka të keqe njëri – tjetrit, ndërkohë që për liderin e tyre hedhin lavde me nota të forta servilizmi, duke thirrur në korr emrin e tij, duke e shoqëruar atë me ovacione të herëpasherëshme.

Ndërkohë që secili lider “është betuar dhe betohet” se do t’u shërbejë të gjithë shtetasve.

Liderët në demokraci duhet të adoptojnë modelet moderne në të bërit politikë, modele, që më pas, në jetën politike shqiptare, të bëhen gjëra të zakonshme me qëllim që të imitohen nga masa e përkrahësve (madje edhe nga gazetarët, ndryshe prej modeleve që ata kanë imituar deri tani).

Vetëm këto lloj modelesh mund të bëjnë përpara, dhe vetëm kështu mund të dëshmojmë se risitë e vërteta janë trille të liderit dhe të elitave politike moderne para se ato të bëhen mënyrë veprimi për masën e përkrahësve, pasi nuk mund të besohet se risitë e kaluara mund të jenë risi të sotme të domosdoshme për të nesërmen.

Në qoftë se ende deri më sot në skenën politike shqiptare nuk ka pasur dhe nuk ka një pakicë politikanësh të kulturuar për të ngjizur parime të shëndosha të menaxhimit politik, asnjë parti politike, ose koalicion nuk do t’ia dalë me sukses që të fitojë përkrahjen e opinionit publik, dhe aq më pak ta kthejë atë drejt objektivit të vet politik dhe prosperitetit, duke e bërë kështu kauzën e vet politike jo të përkohëshme.

Nuk ka mjete të tjera për ta çuar përpara zhvillimin e duhur të çështjeve madhore politike të tilla si standartet e zgjedhjeve dhe demokracinë se sa të arrish ta bindësh opinionin publik të adoptojë modelet e liderit dhe elitës moderne, por zhvillimi i duhur i çështjeve madhore politike mund të arrihet duke iu shmangur dhe hequr dorë nga qëndrimet despotike, të cilët bindjen e opinionit publik e ngatërrojnë me nënshtrimin ose me grindjen.

Padrejtësitë shoqërore në rritje dhe ndjenja e pasigurisë, kanë krijuar së bashku një terren të favorshëm për demagogji autoritare dhe populiste, si dhe kanë ngjallur kërkesën për të konsoliduar njeriun e fortë, njeriun e dorës së hekurt në politikë dhe sfida më e madhe para elitës politike sot, është lufta kundër ndjenjës së pasigurisë, si një rrezik tepër i madh.

Më i fundit, është rasti Rama 2.

Kur politika ndikon te drejtësia, e bën njeriun e thjeshtë të mos ketë besim te ajo te e cila duhet të besojë se e mbron dhe është e vështirë të pranohet se politika sjell më shumë paqe dhe rend në shoqëri, sikurse lypset të jetë misioni i saj i vërtetë.

Në shoqërinë shqiptare sëmundja më e rëndë është ajo që njerëzit nuk po guxojnë të flasin në mënyrë të drejtpërdrejtë, sikundër flasin për shumë çështje të tjera që i preokupojnë ato.
Heshtja, apo hiletë e gjuhës që mbështesin një mashtrim, ose një dhimbje që duhet lehtësuar duhen hedhur poshtë, sepse nuk mbetet rrugë tjetër për të zgjedhur përveç asaj për të folur pa dorashka dhe për të nxjerrë në shesh pisllëqet që fshihen nën petkun e fjalëve dhe premtimeve të bukura të politikanëve.

Zgjatja e pajustifikuar e periudhës së tranzicionit në Shqipëri, tregon fare qartë se nuk janë plotësuar disa nga aspektet themelore të sistemit politik demokratik dhe një gjë e tillë bëhet e dukshme kur pushteti politik dhe ekonomik mbetet i perqendruar në duart e ekzekutivit, me një mbikqyrje të vogël nga degët e tjera të pushtetit, çka, pa vështirësi, mund të vërtetohet edhe nga plaformat dhe politikat pothuajse të njëjta të të gjitha qeverive në këto dekada pas vitit 1990.

Fushata e ndërsjellë e akuzave të paturpshme për korrupsion që partitë politike kryesore i bëjnë njëra – tjetrës duke vënë gishtin mbi politikanë dhe zyrtarë konkretë, si dhe mbi persona të lidhur me aferat e tyre, tregon se arena politike vazhdon të karakterizohet nga marrëdhënie konfliktuale dhe agresive, për shkak të sjelljes së trashëguar nga e kaluara, të politikanit dhe zyrtarit dogmatik, autoritar dhe të paaftë për kompromis në të gjitha segmentet e politikës.

Çdo zgjidhje politike që lajmërohet, shpejt, është bërë një ëndërr e pashpresë, sepse lideri në pushtet dhe ai në opozitë janë përpjekur të diskretitojnë njëri – tjetrin, duke dëshmuar se mungesa e kulturës së kompromisit, e pranishme prej shumë vitesh, tregon se ajo që i mungon klasës politike është vlerësimi i pikëpamjeve të kundërta, për të cilat palët duhet të bien në ujdi nëpërmjet negociatave dhe marrëveshjeve brenda kuadrit të rregullave të miratuara.

Kontrolli ekonomik në shoqëri nuk është thjesht kontrolli i një sektori të vetëm të jetës njerëzore, të cilën mund ta veçosh prej pjesës tjetër të saj, por është kontroll i mjeteve që lidhet me të gjitha qëllimet e qytetarëve, duke u treguar atyre se ata që kanë kontrollin e mjeteve sot në duart e tyre kanë të drejtën të përcaktojnë qëllimet që duhet t’u shërbejnë qytetarët nesër, të përcaktojnë vlerat që duhet të respektojnë ata dhe njerëzit të cilëve u duhet besuar dhe votuar për ta.

Të gjithë e kanë të qartë, tashmë, se demokratizimi që bëhet në kushtet e zbatimit të varfër të ligjit dhe rregullit sjell një demokraci pa kulturë liberale, e cila zgjeron ekonominë informale dhe keqëson cilësinë e qeverisjes dhe politikën makroekonomike e bën më pak të matur, veçanërisht, në kushtet e qeverive amatore të cilave u mungojnë burokratët, që janë të domosdoshëm për të kufizuar dëmet që mund t’i shkaktojnë vendit amatorët.

Në një demokraci ku mungon kultura liberale është e barabartë me demokratizim plus zbatimin e varfër të ligjit (mbrojtjen e varfër të të drejtave të pronës, të drejtave të investitorëve si kontratat e ndryshme etj), rënien e efektivitetit të qeverisjes, zbatimin e varfër të legjislacionit tatimor, zgjerimin e ekonomisë informale, rritjen e ulët të të ardhurave dhe shpenzimeve, dështimin në shpërndarjen e ndihmës në favor të grupeve shoqërore në nevojë, trajtimin e njëanshëm të subvencionimit të bizneseve në lidhje me papunësinë, institucione të dobta, mungesën e konsensusit në lidhje me defiçitin e buxhetit, akumulimin e borxhit, përqindjen e këmbimit.

Të gjitha këto të çojnë pabarazinë e të ardhurave (polarizimin e shoqërisë), përqindje më larta të krimit, parashikueshmëri më të ulët për jetën, investime më të ulta dhe në ngadalësimin e rritjes ekonomike.

Dukuria “Patozi“, nuk është vetëm dukuri e PD – së, por dukuri e politikës shqiptare.

Çfarë ndodhi këto ditë të fundit në Itali, ose edhe më gjërë në Europë me votën e quajtur nga analistët si “votë proteste“ nuk është çudi të ketë gjasa edhe në politikën shqiptare.

Si ekonomist, pranoj faktin e një përfundimi se pas çdo krize financiare dhe ekonomike ka gjithnjë një periudhë turbullirash politike që shoqërohen me krijimin e partive politike të reja, të cilat, në bazë të “krijimit shkatërrues“, krijojnë mënyra të reja të menaxhimit politik të shëqërisë.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: