Home KRYESORE Vdekja e paralajmëruar që po i vjen shpirtit të qytetit tim, Tiranes.

Vdekja e paralajmëruar që po i vjen shpirtit të qytetit tim, Tiranes.

Nga Dr. Enriko CEKO

E vutë re atë shiun e para ca ditëve që i ngjyrosi me bojë rozë në të kuqe veturat luksoze të qytetarëve të Tiranës? Pluhuri që solli ai shi ishte i segmentuar në luginën e krijuar nga rruga e re Tiranë – Elbasan.

Ne shikuam makinat, por pakkujt i ra ndërmend se pluhuri rozakuq mbushi mushkëritë e qytetarëve të Tiranës dhe Elbasanit.

E vutë re, para disa javësh, pasi mbaroi shiu i rrëmbyer, si u mbush lumi i Tiranës me shishe plastike e mbeturina të tjera deri në grykëderdhje në Adriatik? Po ashtu dhe shumica e baseneve lumore të Shqipërisë. Nami vajti deri në Dubrovnik, ku shishet plastike dhe copat e dërrasave e mbetjeve të tjera ishin me shkronja e fjalë shqipe.

Po Liqenin e Fierzës e keni parë se si mbushet me materiale nga më të çuditshmet gjatë stinës së vjeshtës dhe pranverës? Dukuri që bëhet pengesë për punën për prodhimin e energjisë elektrike atje dhe që shkakton një dëm ekologjik të pamatë në zonën përreth dhe gjallesat atje?

Po, matjet e ajrit për rrugët kryesore të qyteteve tona, i keni lexuar? Të dhënat tregojnë se ajri në disa zona të kryqeytetit dhe në disa qytete të mëdha në Shqipëri ëshë i mbushur me grimca mikroskopike kancerogjene, që dëmtojnë shumë rëndë shëndetin tonë dhe të fëmijëve tanë? Nëse nuk e kuptoni kur jeni në qytet, shkoni e ngjituni në Malin e Dajtit dhe përpiquni që të dalloni shtëpinë tuaj prej andej. Nuk duket asgjë prej gjëje. I tërë kryeqyteti ynë ngjan me një mjegull të pamatë tymi e pluhuri të errët, që duket sikur rrethon tërësisht një anije gjigande fantazëm, e cila lundron në ujra të zymta vdekjeprurës, duke mbartur mbi kuvertë vdekjen e ngadaltë të shpirtit të vet.

Po kazanët e plehrave? Sikur i premtuam njëri tjetrit (dhe qytetit) që t’i ndanin mbeturinat që në burim në kazanë të veçantë për letrën, plastikën, qelqin, mbetjet organike, etj. Disa e ngritën në qiell idenë e kryebashkiakut e ca të tjerë nxituan të thonë se edhe në këtë mesele ka korrupsion. Po asnjë prej këtyre dy lloj tipa kryeqytetasish nuk mundi të bëjë asgjë më shumë veçse të vazhdojë me traditën e vjetër të katapultimit, ca nga dritarja e banjës a e kuzhinës e ca që nga njëra anë për në anën tjetër të rrugës të mbeturinave për në koshat e plehrave, kur edhe basketbollistët më të mirë, përfshirë edhe kryeministrin tonë, do e kishin shumë të vështirë që të godisnin në shenjë.

Po, kartrixhat e bojës së printerave? Standardi sikur e kërkon që të mblidhen dhe të grumbullohen sipas një procedure të caktuar, por ato i gjejmë kudo nëpër vendet e grumbullimit të mbeturinave dhe në mjaft raste edhe nëpër rrugët e lagjeve të qytetit tonë, kur duhet, e theksoj, kur (edhe sipas direktivës së BE-së) duhet që të grumbullohen nga tregtarët e tyre.

Po copat e thyera të pajisjeve elektronike të dala jashtë përdorimit ekranet e tyre, qarqet e dëmtuara, kabllot, e të tjera materiale, substanca, kimikate, elemente kimike, nga më të ndryshmet, padyshim që nuk mund të thoni se nuk i keni parë. Kudo, në rrugë, sheshe, pika grumbullimi plehrash, etj. Po, po. I keni parë, por pothuajse në asnjë rast vërtet të sistemuara siç duhet. Thjesht të hedhura pa asnjë rregull gjithandej.

Ky është qyteti ynë. Këto janë qytetet tona. Kjo është Tirana. Kjo është Shkodra, Kjo është Korça, Ky është Përmeti. Ky është Bilishti. Kjo është Bulqiza. Etj. Pra, përmenda ca qytete që gjasme mbahen për pastërti e kulturë mjedisore. Ku më shumë e ku më pak, nëpër cepa pallatesh e rrugica qorre, në çdo qendër të banuar të Shqipërisë, gjen të hedhura pa pikë kujdesi shiringa të përdorura, prezervativë, letra higjenike të përdorura për “pastrimin” e pjesëve trupore mashkullore e femërore, lapsa e stilolapsa të konsumuar shumë pak, kutiçka produktesh farmaceutike, ambalazhe letre, plastike, metalike, druri, qelqi, etj. A thua se paskemi qenë kafshë pylli. Në fakt kjo është shprehja jonë njerëzore për kafshët e pyllit, sepse në të vërtetë për çështjen e pastrimit kafshët e pyllit, zogjtë e malit e peshqit e detit, janë për t’u patur zili. Jemi ne që po u biem më së shumti në qafë atyre dhe mjedisit.

Ne jemi këta që jemi. Fati e ka sjellë që të jetojmë bashkë. Shqipëria, dhe, bashkë me të, edhe Tirana është kthyer tashmë në një treg të madh produktesh dhe shërbimesh, përfshirë edhe situatën që sjell marketingu agresiv, i cili nxit ambalazhimin si pjesë e përmirësimit të imazhit të produktit a shërbimit, që të tregtohet sa më shpejt me çmime sa më të larta, por që në fund të fundit krijon shumë probleme me mbetjet urbane dhe rurale.

Pavarësisht nga origjina jonë, pavarësisht nga kultura jonë individuale dhe e familjes, pavarësisht se ç’përfaqësojmë si individë në aspektin e profesionit dhe botëkuptimit, duket se ka ardhur koha që të jemi bashkë në mbrojtje të mjedisit në qytetet dhe fshatrat tona.

Nëse flasim për kryeqytetin, banorë të Tiranës, të njohurit që mezi ju kam dhe të panjohur që ju dua dhe ju respektoj shumë, tashmë nuk ka asnjë dyshim se nëse vazhdojmë të sillemi kështu siç kemi bërë deri më sot, qyteti ynë do vdesë, dhe kjo, mesa duken bathët ka për të ndodhur shumë shpejt, nëse ne nuk ndryshojmë sjelljen dhe qasjen tonë ndaj mbetjeve urbane dhe rurale.

Unë personalisht nuk kam aspak ndërmend që të gjej zgjidhje duke u larguar nga Shqipëria së bashku me familjen time. Në fakt kjo është gjëja me e lehtë që unë mund të bëj. Personalisht e kam derën të hapur për të jetuar kudo që do të doja. Në çdo cep të humbur të globit apo në çdo metropol të tij. As që e kam hiç problem, falë njohurive dhe aftësive të mija personale dhe të anëtarëve të familjes time dhe falë njohjeve dhe miqësive që kam bërë pothuajsë në çdo vend të zhvilluar në Evropë a tjetër kund.

Por jo. Unë kam lindur në Shqipëri. Në Tiranë. Në vitin 1965, Në maternitetin e Lagjes 6, ose ish Kombinati i Tekstileve dhe do të vdes po në Tiranë. Unë nuk kam për t’u larguar për të jetuar diku tjetër jashtë vendit tim. Kjo sepse unë ende besoj te ju. Unë ende besoj dhe vazhdoj të punoj fort për vehten time, familjen time dhe padyshim edhe si pjese e asaj shtrese të shoqërisë shqiptare dhe të kryeqytetit që ende ka bindjen se ne mund dhe duhet t’ja dalim.

Filozofia e tokës së djegur nuk është zgjidhje. Nuk është tipar i shqiptarit (që nga e kaluara e tij e largët) të ikë nga vendlindja. Nuk është tradita jonë që të lemë tokën e të parëve dhe të ikim nga sytë këmbët. Ne jemi një komb i përbërë nga individë që tradicionalisht kanë punuar tokën dhe paralelisht edhe kanë mbarështuar bagëti. Ne nuk jemi pasardhës të një kombi që ka patur traditë vetëm blegtorinë. Blegtorët lëvizin. Ata që punojnë tokën qendrojnë në një vend dhe si të tillë ne shqiptarët jemi pasardhës të një popullsie autoktone e cila, që në të shkuarën e largët ka qenë e mirëedukuar për të mbrojtur tokën, pasuritë natyrore dhe burimet që na ka falur Perëndia. Kjo është toka jonë.

Tirana, kryeqyteti ynë është pjesë e tokës tonë. Edhe ne si qytetarë, nuk jemi gjë tjetër veçse pjesë e kësaj pasurie të madhe kombëtare, kështu që nuk na mbetet asgjë tjetër veçse të pranojnë si filozofi individuale dhe kolektive, pa asnjë kusht, filozofinë e jetesës së bashku në këtë qytet dhe në këtë territor që i themi Republika e Shqipërisë, por që në fakt është Toka jonë dhe Republika e Shqiptarëve, dhe, nëse e pranojmë këtë filozofi, ne vetë duhet të jemi ata që duhet të mbrojmë qytetin tonë, tokën tonë, ujin tonë, ajrin tonë, burimet tona natyrore, sepse në fund të fundit, ne, kështu dhe vetëm kështu, do kemi mundësi që të mbrojmë jetën tonë dhe të pasardhësve tanë.

Në të kundërt, qyteti ynë është i destinuar që të vdesë dhe nëse ndodh kjo, atëhere më parë se të vdiste qyteti, do kishte vdekur me kohë shpirti ynë qytetar. Nuk është më çështja “Të rrosh a të mos rrosh”. Çështja është të kesh cilësi jetese në përmirësim të vazhdueshëm. Kjo është sfida e vërtetë për qyetin tim dhe unë jam i gatshëm që të përballem me të së bashku me ju.

Share: