Home KRYESORE Vettingu/Gjyqtari Fatos Lulo ka përfituar 100 mijë USD. Avokati Vishaj: Ja e...

Vettingu/Gjyqtari Fatos Lulo ka përfituar 100 mijë USD. Avokati Vishaj: Ja e vërteta

Është zhvilluar sot seanca e parë e procesit të vettingut, ku ka pasur dëgjesë me gjyqtarët për vakancat në Gjykatën Kushtetuese. Gjyqtari i parë që ka dalë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ishte Fatos Lulo, i cili nuk ndodhej vetë në seancë por përfaqësohej nga avokati Ardian Visha.

Nga pikëpamja morale dhe profesionale KPK nuk ka ngritur asnjë akuzë ndaj Lulos. Nuk ka pasur pretendime për anën morale dhe profesionale si gjyqtar, por nga një hetim administrativ 5-mujor për Lulon janë nxjerrë disa pretendime për pasurinë.

Kjo, sipas tyre pasi Lulo ka shmangur pagesën e taksave në vitet ‘94-’97, kohë kur ishte avokat. Nga ana tjetër avokati Ardian Visha thotë se klienti i tij disponon librezën ku provon se ka paguar taksat. Por Tatimet në përgjigjen e tyre ndaj KPK-së kanë deklaruar se disponojnë dokumente pas vitit 2004.

KPK thotë gjithashtu se gjyqtari ka përfituar 200 mijë dollarë dhuratë nga motra, 100 mijë dollarë cash dhe një zyrë në rrugën e Durrësit për zotin Lulo.

Por avokati theksoi se Lulo në vitin 1997 i ka dhuruar motrës së tij biznesmene apartamentin e prindërve. Më pas motra që është ndërtuese i ka dhënë 100 mijë dollarë për shkollimin e fëmijëve.

Avokati Visha deklaroi se për Fatos Lulon s’është gjetur asnjë shkelje. Pika e tretë e identifikuar nga KPK për gjyqtarin e Kushtetueses kishte të bënte më një tentativë të zotit Lulo për të shkuar në Kanada. Avokati i tij shpjegoi se gjyqtari Lulo në vitin 2000, përpara se të zgjidhej gjyqtar në Kushtetuese ishte pa punë dhe mendoi të shkonte në Kanada ku të punonte dhe i kërkoi motrës 400 mijë euro për hapjen e një aktiviteti privat. Por në momentin që u zgjodh gjyqtar në Kushtetuese hoqi dorë nga kjo gjë dhe ia riktheu paratë motrës.

Pas seancës dëgjimore, Visha dha të tjera sqarime për mediat. “Për periudhën e viteve ‘90 që Lulo ka qenë avokat është e padrejtë që të gjykosh se s’ka të ardhura vetëm për faktin se Tatimet nuk kanë dokumente. Kur Tatimet thonë kështu nuk mund të pretendosh se nuk ka të ardhura.

Burimi i të ardhurave të motrës, legjitimiteti i të ardhurave, lidhja vëlla-motër, janë lehtësisht të provueshme. Pasuri e paluajtshme për zotin Lulo është një apartament banimi”, deklaroi Visha.

Share: