Home KRYESORE Zhdukja e mistershme e studentes, 25 mijë dollarë për ata që ndihmojnë...

Zhdukja e mistershme e studentes, 25 mijë dollarë për ata që ndihmojnë në gjetjen e saj

Një shpërblim prej 25 mijë dollarësh janë vënë në dispozicion nga autoritetet amerikane për këdo që ka informacion për studenten shqiptare të aktrimit nga Maqedonia, e cila u zhduk në Hollywood 11 ditë më parë. Adea Shabani u zhduk në rrethana misterioze më datë 23 Shkurt. Ajo u pa për herë të fundit në Wilcox Avenues, jo shumë larg vendit ku banonte. Të njëjtën ditë ajo ishte parë edhe në zonën e Santa Clarita Valley.

25-vjeçarja u largua nga Maqedonia për të studiuar aktrim dhe kishte rreth 2 vite që jetonte në Los Angeles. Miqtë dhe familjarët e saj, të cilët sa më shumë kalon koha aq më të frikësuar janë për të, vijojnë kërkimet pa pushim, raporton Klan. Në të gjithë zonën ku ajo jetonte janë vendosur fletushka me të dhënat e së resë, ndërsa mediat amerikane, por jo vetëm, i kanë kushtuar vëmendje lajmit për zhdukjen e 25-vjeçares.

“Kanë kaluar 11 ditë dhe sigurisht që jemi të frikësuar, por po lutemi për të”, tha një mikeshë e saj. Miqtë e saj thanë se ndjenë që diçka nuk shkonte me Shabanin, kur ajo nuk po u kthente përgjigje në telefon. “Nuk ishte në karakterin e saj, ajo përgjigjej gjithmonë“, shpjegoi për amerikanen ABC7 mikesha e saj. Nëna e Shabanit ka punësuar një detektiv privat me shpresën për të gjetur të bijën dhe aktualisht ndodhet në Amerikë. Ishte pikërisht detektivi Jayden Brant i cili tha se është vënë në dispozicion shpërblimi prej 25 mijë dollarësh, për informacione që do të çonin në gjetjen e studentes. “Nuk ka asnjë provë që të tregojë se është larguar vetë. Kjo nuk diçka e vullnetshme. Nuk kemi asnjë të dhënë që ajo donte të dëmtonte veten”.

Share: