Home KRYESORE A e ka kërkuar Vlahutin arrestimin e Berishës? Ish-Presidenti Bujar Nishani rrëfen...

A e ka kërkuar Vlahutin arrestimin e Berishës? Ish-Presidenti Bujar Nishani rrëfen bisedën me Llallën

Ish-Presidenti Bujar Nishani ka konfirmuar mbrëmjen e sotme se biseda mes tij dhe ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla, sipas të cilit Ambasadorja Romana Vlahutin ka kërkuar arrestimin e ish-Kryeministrit Sali Berisha qëndron.

“Po, është e saktë. Kam qenë unë që e kam vënë në dijeni Berishën. E kam pasur këtë informacion dhe nga burime të tjera. Llalla ka ardhur në zyrë dhe më ka thënë se gjatë një bisede, rreth një muaj apo dy pas bisedës, ku i ishte kërkuar nga Vlahutin pse nuk arrestohet Berisha. Më tej, argumentet shpjeguese, sipas Llallës, kanë qenë që Prokuroria nuk mund të arrestojë njerëz për të cilët nuk ka prova dhe fakte.

Ishte një bisedë që më shqetësoi dhe nuk mund ta lija në heshtje, pasi bëhej fjalë për një bisedë tërësisht jashtë kontekstit që ka ambasadorja. Kërkova takim me Vlahutin, i shpreha shqetësimin që mora nga Llalla. Ajo e mohoi kategorikisht që të ketë bërë një bisedë të tillë me Llallën. Në radhë të parë vura në dijeni Vlahutin, që e mohoi. Bëra takim tjetër me Llallën, e vura në dijeni që bisedën e ndava me Vlahutin dhe i thashë që ajo e mohon. Llalla i qëndroi edhe pas takimit të dytë”, tha Nishani.

Në vijim ish-Presidenti theksoi se nuk ishte çështje fjalësh.

“Nuk ishte regjistruar biseda, por për mua ishte informacion që e merrja zyrtarisht dhe nuk mund ta neglizhoja. Ambasadorja e refuzoi kategorikisht. Më pas, e ndava shqetësimin me Berishën dhe pastaj nuk di si e ka ndjekur ai më pas”, tha Nishani.

I pyetur lidhur me aludimet se Ambasadori i SHBA-së Donald Lu ka kërkuar arrestimin e Ilir Metës, Nishani tha se për këtë rast nuk di gjë.

Share: