Home KRYESORE Fox News: Dokumentet nxjerrin zbuluar Soros për financimin e Ramës dhe kapjen...

Fox News: Dokumentet nxjerrin zbuluar Soros për financimin e Ramës dhe kapjen e Lu

Rrjeti televiziv amerikan FoxNews i ka kushtuar një vëmendje të gjerë financimit të të majtës shqiptare nga miliarderi George Soros me paratë e taksapaguesve amerikanë, gjatë administratës Obama. Grupi Judicial Watch zbuloi skandalin, duke zotëruar 32 faqe rekorde nga Departamenti i Drejtësisë, të cilat tregojnë pagesën e 8.8 milionë dollarëve për fushatën “Drejtësi për të gjithë” (Justice for All).

Sipas USAID, që mbtështeti projektin Drejtësi për të Gjithë, ai synonte fuqizimin e efektivitetit dhe transparencës së gjykatave në Shqipëri, si dhe rritjen e besimit të qytetarëve në gjyqësor dhe një sistem drejtësi më eficent.

Por Judicial Watch thotë se paratë u përdorën specifikisht për t’i dhënë qeverisë socialiste shqiptare kontroll më të madh mbi sistemin e gjyqësorit.

“Administrata Obama shpenzoi pa u ndjerë të paktën 9 milionë dollarë të taksapaguesve amerikanë në bashkëpunim direkt me George Soros në përkrahje të qeverisë socialiste në Shqipëri”, tha të mërkurën në një deklaratë Tom Fitton, presidenti i Judicial Watch. “Është indinjuese që Departamenti i Shtetit lejoi operacionin e Sorosit të ndihmonte në dërgimin e parave të taksapaguesve drejt grupeve të tjerë”.

Një zyrtar i USAID-it tha për Fox News të mërkurën se agjencia nuk i ka dhënë parà Fondacionit Soros në Shqipëri.

Por Judicial Watch thotë se rekordet që zotëron zbulojnë se Departamenti i Shtetit i dha Fondacionit për Shoqëri të Hapur të Sorosit “burime financiare direkte” për shërbimin e financimit të programit të tij në Shqipëri.

Një raport, datë 10 shkurt 2017 mbi “Angazhimin me Open Society Foundation për Shqipërinë” deklaronte se “si një nga ofruesit kryesorë të asistencës në Shqipëri, përfaqësues të Open Society Foundation ftohen shpesh të marrin pjesë në shqyrtime teknike të aplikacioneve që marrim për financim”.

“Për dekada të tëra, ka pasur një marrëveshje të gjerë bipartizane në Washington për nevojën e promovimit të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut jashtë SHBA. Kohët e fundit ka pasur përpjekje për ta politizuar procesin”, tha për Fox News një zëdhënës i Open Society Foundation. “Open Society Foundations dhe qeveria e SHBA kanë të njëjtin interes për të ndihmuar Shqipërinë dhe vende të tjera të ngjashme në tranzicionin nga komunizmi në demokraci dhe në promovimin e drejtësisë së pavarur”.+

Zëdhënësi shtoi: “Siç thotë edhe Departamenti i Shtetit në dokumentet e cituar nga Judicial Watch, ambasada amerikane në Tiranë ‘nuk ka marrë ndonjë fond nga Open Society Foundation për mbështetjen e ndonjë projekti apo aktiviteti’ as nuk i ka dhënë ndonjë fond Fondacionit për Shoqëri të Hapur për mbështetjen e projekteve apo aktiviteteve të tyre”.

Por një tjetër dokument i zotëruar nga Judicial Watch, i prillit 2016, tregon se ambasada amerikane në Tiranë “sponsorizoi” një sondazh bashkë me Fondacionin Soros për të matur “njohuritë, përkrahjen dhe çfarë prisnin qytetarët shqiptarë nga reforma në drejtësi”. Sondazhi, sipas Judicial Watch, nuk specifikonte tipin e reformës që kërkonte grupi i Sorosit, por sondazhi konkludoi se 91 % e pjesëmarrësve “përkrahnin plotësisht” ose “përkrahnin deri diku” nevojën për reformë në drejtësi në Shqipëri.

Rekorde nga shkurti 2017 tregojnë se Departamenti i Shtetit përdori fonde taksapaguesish për të bashkë-sponsorizuar një sondazh të dytë me Open Society Foundation.

“Seksioni për Çështjet Publike dhe Open Society Foundation Survey i ofruan fonde një organizate lokale për zhvillimin e një sondazhi me opinionin publik për qëndrimin karshi Reformës në Drejtësi”, thoshte raporti i shkurtit, i shqyrtuar nga Fox Neës.

Vitin e kaluar, në mars, një grup prej gjashtë senatorësh amerikanë, të udhëhequr nga Mike Lee, i dërguan një letër Sekretarit të Shtetit të asaj kohe, Rex Tillerson, duke i kërkuar të hetonte akuzat se qeveria amerikane përdorte paratë e taksapaguesve për të ndihmuar Sorosin në Shqipëri.

“Senatori Lee nuk ishte i kënaqur me përgjigjen për letrën në lidhje me financimet e USAID për institucionet majtiste ndërkombëtare që përhapnin ide të majta në kurriz të taksapaguesve”, deklaroi zëdhënësi i Lee për Fox News përmes një emaili të mërkurën. “Shpresojmë që Sekretari i ri t’u japë fund këtyre pagesave”.

360grade.al

Share: