Home KRYESORE FSHF letër Kuvendit dhe Policisë: Të dënohet Erion Braçe

FSHF letër Kuvendit dhe Policisë: Të dënohet Erion Braçe

Veprimi i deputetit Erion Braçe pas ndeshjes së Partizanit kundër Skënderbeut që goditi me çakmak gjyqtarin kryesor Andi Koçi, ka hapur një luftë të hapur në mes tij dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Fillimisht ishte Shoqata e Arbitrave që reagoi kundër deputetit, më pas dhe vetë gjyqtari Andi Koçi, reagimi i Braçes dhe tashmë është radha e FSHF-së për të vepruar. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, i drejtoi një letër të hapur Byrosë së Kuvendit të Shqipërisë ku i kërkon që të ketë një procedim administrativ.

LETRA E PLOTË

Lënda: Ankesë

Drejtuar: Byrosë së Kuvendit të Shqipërisë;

Komisionit të Shqyrtimit të Kundërvajtjes pranë Policisë së Shtetit;

Marrim shkas nga ngjarja e ditës së hënë datë 23.04.2018, kur deputeti socialist z.Erion Braçe, kreu një gjest të shëmtuar në shkallët e stadiumit, duke tentuar të godasë me sende të ndaluara zyrtarët e ndeshjes Partizani – Skënderbeu.

Së pari, veprime të tilla antisportive, vijnë në kundërshtim me parimet e përgjithshme të etikës të parashikuara nga Kodit të Sjelljes së Deputetëve të Republikës së Shqipërisë, pasi nuk e bëjnë deputetin një model për qytetarët dhe nuk nxisin zbatimin e standardeve më të larta të sjelljes për të rinjtë.

Së dyti, çakmaku përbën një send të palejuar në mjediset sportive sipas nenit 49 të Ligjit 79/2017 “Për Sportin” dhe konform nenit 55 të këtij ligji, shkelja e dispozitës së sipërcituar përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga dhjetëmijë deri në pesëdhjetëmijë lekë e cila vendoset nga Komisioni i Shqyrtimit të Kundërvajtjeve Administrative pranë komisariatit të policisë vendore.

Federata Shqiptare e Futbollit, si organi kompetent për organizimin e sportit të futbollit në vend, ka për detyrë të marrë masa për parandalimin e dhunës duke promovuar sportin e pastër dhe tolerancën. Në këtë kuptim sjellja e deputetit është publikisht e dënueshme dhe kërkojmë të mbahet parasysh nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në kuadër të vlerësimit të plotë të standardeve etike të miratuara dhe për ndikimin që këto standarde kanë pasur në punën politike të deputetit.

Rasti i deputetit Braçe nuk është i izoluar, kujtojmë se edhe në të shkuarën, deputetë të të gjitha forcave politike kanë shkaktuar incidente të panevojshme në shkallët e stadiumeve, duke i kthyer ato në “kredit” politik.

Bazuar në sa më sipër, kërkojmë nga Komisionit të Shqyrtimit të Kundërvajtjes pranë Policisë së Shtetit, procedimin administrativ ndaj deputetit Erion Braçe.

Me konsideratë;

Sekretari i Përgjithshëm
Ilir Shulku

Share: