Home KRYESORE Gazetari shqiptar i drejtohet Krichbaumit: Shqiptarët, europianë që nga lindja

Gazetari shqiptar i drejtohet Krichbaumit: Shqiptarët, europianë që nga lindja

Kreu i Komisionit për Çështjet Europiane, Gunther Krichbaum, ka thënë sot se në pritjen që i bëri kryeministrit Rama në Bundestag, këtij të fundit i është shprehur personalisht se hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë është një veprim i parakohshëm.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai nuk ka ndarë me ndjekësit e tij vetëm këtë informacion, i cili është kundërshtuar nga Rama, por duke iu përgjigjur edhe një komentuesi shqiptar ai ka thënë se fakti që gjendet në të njëjtën parti me kancelaren Merkel, nuk do të thotë që këto të dy ndajnë të njëjtat qëndrime.

Momentalisht, postimi i Krichbaumit ka “përthithur” 136 komente, në mes të së cilave gjendet dhe komenti i gazetarit Blendi Salaj.

Duke iu drejtuar në gjuhën angleze kreut të Komisionit për Çështjet Europiane, Salaj e ka kundërshtuar qëndrimin e tij, duke e cilësuar si një qëndrim të gabuar.

Ai ka vazhduar së shkruajturi se shoqëria shqiptare po angazhohet vërtetë shumë për të jetuar sipas standardeve europiane, dhe mënyra sesi Krichbaumi po kontribuon në arritjen e qëllimit të përbashkët nuk është e duhura.

  Komenti i Blendi Salaj

I dashur Gunther, ju jeni gabim!

Njerëzit shqiptarë janë evropianë që nga lindja dhe që nga të drejtat që përftojnë nga vendi i tyre i lindjes, në zemër të kontinentit. Shoqëria shqiptare dëshiron dhe po punon shumë për të jetuar sipas standardeve evropiane. Megjithëse institucionet janë ende të dobëta dhe ka ende shumë punë për t’u bërë, ashtu sikurse dhe ju në BE, populli shqiptar kërkon drejtësi për t’i dhënë fund korrupsionit. Mënyra që të na ndihmoni të arrijmë qëllimin tonë të përbashkët nuk është duke na shkëputur më shumë nga sa është e nevojshme. Kjo dritare e mundësisë nuk do të qëndrojë e hapur përgjithmonë, dhe çfarë turpi nëse pasiguritë na mbajnë larg mundësisë sonë./s.a/dita

Share: