Home KRYESORE Konferenca Ipeshkvnore: Dhuna e pa pranueshme, shtetit të gjejë zgjidhjet e duhura

Konferenca Ipeshkvnore: Dhuna e pa pranueshme, shtetit të gjejë zgjidhjet e duhura

Zhvillimet e fundit në vendin tonë kanë tërhequr vëmendjen edhe të klerit katolik. Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë thotë se ndjek me kujdes zhvillimet e fundit, në mënyrë të veçantë në fokusin tonë kanë qenë ngjarjet që kanë ndodhur në qytetin e Kukësit ,si pasojë e protestës së qytetarëve për taksën e Rrugës së Kombit.

“Së pari, mbështesim çdo nismë civile që kërkon të drejtat e patjetërsueshme të qytetarëve. Është e drejtë e çdokujt që kur i duket e arsyeshme, të protestojë e të thotë fjalën e tij, vetëm apo i mbledhur së bashku me të tjerë”, thuhet në reagimin e Konferencës Ipeshkvnore.

Së dyti, dënohet dhuna.

“Se dyti ne dënojmë si moralisht të papranueshme çdo sjellje dhune ndaj personave, institucioneve, objekteve private apo shtetërore. Dhuna nuk është kurrë zgjidhje dhe ne bëjmë apel që ajo të shmanget në çdo nismë të ligjshme për kërkimin e të drejtave personale apo komunitare. “Kisha nuk mund të pranojë dhunën …. sepse dhuna sjell gjithmonë dhunë dhe prodhon në mënyrë të pashmangshme forma të reja të shtypjes dhe të skllavërisë, më të rënda se ato që ajo pretendonte të çlironte”, vijon deklarata.

Në fund, një thirrje për institucionet shtetërore.

“Së treti, ne u bëjmë apel institucioneve shtetërore të gjejnë rrugët e duhura për t’u ardhur në ndihmë personave në nevojë. Jemi të vetëdijshëm se rrugët, apo çdo objekt që ka të bëjë më të mirën e përbashkët, kanë nevojë për mirëmbajtje dhe kjo duhet bërë. Por gjithashtu, sikurse e kemi shprehur edhe në letrën tonë për Krishtlindjet e vitit 2017, duhet kujdes ndaj personave, grupeve shoqërore dhe zonave që janë më në nevojë. Duhet të punojmë të gjithë bashkë në mënyrë që hendeku i krijuar midis të pasurve dhe të varfërve të ngushtohet, sidomos i atyre të zonave të thella e periferike”, përfundon reagimi.

Share: