Home KRYESORE Ngjarja në Kukës, pjesëz e së vërtetës në Republikën e Shqipërisë

Ngjarja në Kukës, pjesëz e së vërtetës në Republikën e Shqipërisë

Nga Kasem Seferi

Gjithnjë, këto kohë të fundit, me shkrime kam dashur t’i bëj më të ndjeshëm të gjithë ata që kanë një diplomë ekonomisti që të përfshihen në të vërtetën e fshehur, me mjeshtërinë e marrëdhënieve publike, nga Qeveria Rama 1 dhe, më fort, nga Qeveria Rama 2.

Nuk kam dashur, nuk dua dhe kurrë nuk do të doja të isha i përfshirë në lojën e politikës (kurtizane/kurvë me nder jush lexues) shqiptare që, gjithnjë, varfërinë e ka shrytëzuar për interesin e vet.

Po nxjerr në shesh, ashtu si mund të mendojë dhe veprojë një ekonomist, atë çfarë po e rrjep qytetarin shqiptar.

Kemi një Kod Civil ku përshkruhen të drejtat e pronës, përfshirja e pronës intelektuale, siguracionet dhe kontratat.

Po ashtu kemi ligj ku përshkruhet rregullimi i tregut (antimonopoli, puna, tregtari dhe shoqëritë tregtare.

Kemi legjislacionin tatimor, doganor dhe atë të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetsore. Madje kemi dhe taksa vendore.

Pra kemi mundësinë e një proçesi ligjor, që përfshin proçedurat e Kodit Civil dhe Penal; Kemi gjithashtu, Kodin Administrativ deri te ligji falimentimit dhe më tej.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përballë të drejtave civile dhe sistemi gjyqësor!

Në të gjithë demokracitë e zhvilluara ka qenë roli i legjislaturës dhe i gjykatave që ka mbështetur tregun e lirë, duke i lënë qeverisë të luajë një rol të kufizuar, natyrisht të rëndësishëm, për të çuar përpara barazinë, rishpërndarjen e pasurisë, pushtetin dhe mbrojtjen e grupeve të veçantë nga shfrytëzimi.

Në këtë kontekst, a është tarifa/taksa 5 euro (kjo shkelje e dukshme e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë sepse monedha zyrtare është Lek), të paktën, mbrojtje e grupeve të veçantë nga shfytëzimi (i konçesioneve)?!

Shkenca ekonomike duke e ndryshuar natyrën e metodave serioze të të studjuarit ligjor, të të kuptuarit e institucioneve dhe të rregullave ligjorë, madje, edhe të praktikës së ligjit, për arsye të studimit të tregjeve dhe, në shumë kuptime, sistemit ligjor (legjislacionit në veprim), nuk ka qenë gjë tjetër veçse një treg në të cilin (pseudo)shteti në Republikën e Shqipërisë ka krijuar të drejta dhe tituj që palët i kanë përdorur për të lehtësuar pazarin e tyre.

Në këtë kuptim shkenca ekonomike as ka përmirësuar të kuptuarit e sistemit të drejtësisë për mënyrën se si funksionon tregu në lidhje me praktikat ligjore dhe as ka qenë një përdorim i kufizuar në marrjen e vendimit në rastet e çështjeve gjyqësore.
Gjithashtu, nuk ka ndikuar në aftësinë e juristëve me anë të aftësisë së përdorimit të analizës ekonomike si mekanizëm në konceptimin e çështjeve ligjore.

Sistemi ligjor dhe gjyqësor në ekonominë e tregut duhet të vendosë praktika standarte të ndërveprimit ekonomiko – shoqëror, të vendosë praktika të ndërveprimit ndërmjet sektorit publik dhe privat, t’i detyrojë këto praktika me masa shtrënguese nëpërmjet gjykatave dhe të zgjidhë konfliktet midis individëve dhe grupeve.

Ligji ekonomik në Republikën e Shqipërisë, në përmbushjen e kërkesave të tij, është adaptuar varfërisht në ekonominë e vendit dhe, për këtë arsye, konflikti i pritshmërive që duhet të bashkëpunonin ka qenë, është dhe nuk dihet se sa i vështirë mund të jetë dhe, natyrisht, mosmarrëveshjet i kanë konsumuar burimet e llojit të ndryshëm.

Në të kundërtën, në qoftë se ligji ekonomik do të adaptohej mirë në ekonominë e vendit, qytetarët do të bashkëpunonin me njëri – tjetrin, do të harmonizonin pritshmëritë e tyre dhe do t’i përdornin burimet në mënyrën më të mirë dhe më krijuese.

Por institucionet publike kanë qenë difektoze dhe kushtet politike të paqëndrueshme, organizimet/përgatitjet kontraktore private janë bërë dhe bëhen me më shumë risk dhe kanë ndikuar negativisht në investimin privat.

Si shembull, mjafton gjendja aktuale e kreditimit të ekonomisë.

Përfundimisht, duke mos i dhënë qytetarëve siguri dhe përfshirje më të mëdha në të ardhmen e vendit të tyre, Qeveria Rama 1 dhe 2 nuk e ka zvogëluar rrezikun afatgjatë të lëvizjeve shoqërore që kundërshtojnë legjitimitetin dhe krijojnë kushtet për rrëzimin e qeverisë.

Ligji nuk është, thjesht, një standart teknikalitetesh, por një mjet i fuqishëm për të zgjidhur probleme sociale.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: