Home KRYESORE Ja pasuria e gjyqtares që do të përballet të enjten me KPK-në

Ja pasuria e gjyqtares që do të përballet të enjten me KPK-në

Gjyqtarja Manjola Xhaxho do të përballet të enjten në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Komisioni do të përfaqësohet në këtë proces nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari.

Manjola Xhaxho, e cila është gjyqtare prej 16 vitesh në Gjykatën e Tiranës, është bërë pjesë e listës së vettingut për shkak të kandidimit të saj për një post në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Manjola Xhaxhos. Ajo është ndër të paktat gjyqtare që ka shënuar zvogëlim të pasurisë së saj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2016.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtarja Manjola Xhaxho zotëronte një pasuri me vlerë rreth 5.6 milionë lekë në vitin 2003.  Në fund të vitit 2016, pasuria e saj rezulton të jetë rreth 2.9 milionë lekë ose 1.9 herë më e ulët se viti fillestar i deklarimit.

Pakësimi i pasurisë së gjyqtares Xhaxho lidhet me një apartament të deklaruar prej saj si pronë në vitin 2003, të cilën ajo ua ka falur prindërve. Apartamentin e blerë për 5 milionë lekë me burim të deklaruar si “dërgesa monetare nga vëllai”, Xhaxho e ka rivlerësuar në vitin 2011 në 13.3 milionë lekë dhe më pas ua ka falur prindërve me kontratë dhurimi.

Të ardhurat e gjyqtares Xhaxho vijnë kryesisht nga paga nga funksioni dhe mësimdhënia, të cilat përbëjnë sëbashku rreth 78 për qind të të ardhurave. Përgjatë karrierës së saj, të ardhurat totale të Manjola Xhaxhos kapin vlerën e 13.1 milionë lekëve.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Në rastin e Xhaxhos, 13 deklarata pasurie iu nënshtruan kontrollit aritmetik-logjik, nga të cilat njëra prej tyre rezultoi me probleme.

Gjyqtarja Xhaxho rezulton me një shumë të pambuluar prej rreth 96 mijë lekësh në vitin 2011.  Kjo diferencë negative lidhet edhe me faktin se Xhaxho nuk ka deklaruar të ardhura nga funksioni në të njëjtin vit.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vettingut.

Duke qenë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Share: