Home KRYESORE Miku im, pse nuk erdha me ty sot në protestë?!

Miku im, pse nuk erdha me ty sot në protestë?!

Nga Albert Vataj

Fakti se mbetesh miku im, sinjifikon gjërat që na përbashkojnë, por shterimi i frymës që ushqente me jetë shpresat dhe idilet ardhmëruese e këputi fillin që mbante në ajër balonën tonë të ëndrrave. Në sy na u derdh ai qiell që pinte shpresat tona dhe në duar na mbeti ai fill që na shtërngon në fyt.

best
Mu desh t’i them JO ftesës tënde për një tjetër mundësi nën këtë qiell kërcënues. Asokohe lufta jonë kishte nevojë për martirë dhe ne u ishim ofruar ideve të mëdha dhe kauzave të larta me përulësinë e sakrificës. Dhe… na u desh më shumë se sa mund të jepnim, për të kuptuar se e gjithë kjo ishte një farsë. Dehja dhe shpengimi na kishte hedhur tej, ku asnjëri nga ne s’po kuptonim se ç’po ndodhte, deri kur përfunduam “theror” i kësaj humbjeje.

Jam thellësisht i zhgënjyer sa ç’jam dhe shpresëhumbur.

Lufta për pushtet, e manifestuar përmes tragjizmit si maskë dhe betejave skenike, si virtuozitet komikë e mbajnë në simbiozë dualitetin e armikut dhe mikut. Në rolin e spektatorit dhe viktimës, falsiteti dhe utopitë na u bënë ushqyerje. Na hahej dhe ja ç’mbeti në ne, dhe ja si u katandisëm me një JO në mes.

“Politika është luftë për ta fituar dhe për ta mbajtur pushtetin. Çfarëdolloj petkash të përdorë për t’u stolisur, të gjitha i shërbejnë këtij objekti”, e kësisojtë është porosia e vrazhdë e Makiavelit, apo jo miku im (?!)

Ashpërsia e konkurrencës për pushtet politik ndërmjet së djathtës dhe të majtës vazhdon të përftojë organizimin e hapësirës politike në përputhje me logjikën e mikut dhe armikut. Ky është fakt. Megjithatë, zënkat, ato që përbëjnë në vetvete betejën e ashpër kryesisht mediatike, nuk kanë të bëjnë me modele alternative të politikbërjes, por thjesht me luftën për pushtet në formën më të kulluar.

Thelbësisht, ajo që rreket të përthithë interesimin e opinionit, i cili i magjepsur për “dalëzotësit” e tyre nuk ka të bëjë fare me vetë masën. Populli shërben vetëm si një nxitës i këtij spektakli manipulues, i kësaj loje makabre të shpërlarjes së trurit. Ai është bari që shkelet kur dy përbindësha kacafyten për të ruajtur habitatin e tyre dhe për të kërkuar me insistim rolin e dominuesit. I ngutshëm është ndryshimi i mënyrës se si ne sodisim këtë përballje, kosto e së cilës mbetet të paguhet vetëm nga ne.

“Konfliktet politike sa vijnë e katandisen në konflikte midis grupesh të interesit ekonomik”… e gjitha kjo, “për të fituar pozicione të reja ndikimi”. Prapa këtyre përfaqësuesve dhe mbrojtësve të zellshëm të interesave integruese dhe progresi të popullit, “duhet të shohim, cilët sipërmarrës, cilët grupe mediatike, cilët banka, cilat interesa fitojnë”!

A kemi hyrë vallë në një etapë të re tranzicioni politik? Shoqërisë i mbeten ende mundësi të rikuperimit të shpresës?

Vota, ende vijon të konsiderohet si mjet i shndërrimit të interesave në vlera përfaqësimi, edhe nëse ajo vijon të kuotohet në tregun politik.

Protestat, si aksion gjendet gjithnjë e më shumë para pamundësisë për të kanalizuar zemëratën e masës dhe rebelimin ndaj keqqeverisjes dhe mizerjes, sepse ai potencial energjish transformuese gjithnjë është keqpërdorur. Është shitur dhe blerë gjaku dhe djersa. Janë shkelur me këmbë ideali dhe shpresa. Frika dhe pasiguria, kuisin si hijena në këtë heqje rrëshqanë nga e djeshmja në të tashmen. Shteti e përdor ligjin si formën më të rafinuar të nënshtrimit dhe kërcënimin si mjetin më efikas të bindjes. Pas të qeshurave, shtërngimit të duarve, rrahjes së supeve, një përçmim i neveritshëm dhe helmues pikon mbi shkreptimën e asaj shprese për shpëtim, dhe… zgjohemi pasi të biem.

Josep Ramoneda, te “Fundi i pasionit politik” këshillon “që interesi për politikën të mund të kthehet, nevojitet një rinovim i gjuhës”. Ai propozon një transformim të mjeteve shprehëse të komunikimit, një oratori që të përthithet më mirë nga masa, e aftë për të rindërtuar idenë e alternativës. Por a mjafton një katharsis si skizëm nga bataku i shterimit të idesë dhe baltës retorike?

Drita në fund të tunelit pulson miku im, por ende janë të ndrydhura vullnetet përshkuese të territ. Apatia e mëkuar nga keqpërdorimi i besimit ka thyer çdo gjymtyrë të kësaj shprese, që rreket të gjejë mishërim në një trup që ka mundur t’i shpëtojë toksikimit. Vragët e vjetra dhe problemet serioze me dinjitetin e vrasin që në embrion këtë gjallje vullnetmirë. Bima e re shtërzon nën koren e ngurtësuar nga shtresat e njëmbinjëshme që ka hedhur e keqja. Dallaveraxhinjtë, matrapazët, hileqarët, maskarenjtë e gjithë soji e sorollopi i tyre përfaqësojnë atë specien fatlume që ka evoluar, njëjtë si mbijetuesit e shiut meteorik, duke u përshtatur. Të tjetër… fati i të tjerëve është gozhda e fundit që ngulet në arkivolin e besimit te e ardhmja.

Si ramë kaq poshtë?! Ndoshta duke kërkuar fajtorët u gënjyem pas të lehura të qenve dhe nata na treti larg, shumë larg. Po, aty ku pamë se kishim rrëshqitur. Në përpjekjen e nxitimtë për të dalë, ne vetëm sa e thellonim më shumë gropën ku kishim rënë.
Iluzionet e progresit, gërdallat e drobitura të betejave politike, andrallat e asaj që meritojmë, trualli i gërryer ku çapitin hapin, janë ajo panoramë morte që nderet mbi syprinën e lëmyshkur dhe plot lagështi të burokracive evropiane.

“Ajo çka nuk zgjidhet, pezmatohet, derisa shpërthen duke prodhuar metastaza” dhe… të alarmuarit i vihen pas gjurmëve ikanake pa pyetur se ku i shpien ky turr. Gjithkund mund të jetë më mirë se aty ku nuk të numërojnë as kur të çojnë në “krematorium”.

Ikja u jep diçka, edhe pse u ka marrë gjithçka kanë pasur. Dhe këtu, në tokën e armikut dhe mikut, nën këtë qiell fati meteorik mbeten ata, fatkëqinjë që luten dhe shpresojnë për një të nesërme që u mëkohet si një lëmoshë edhe pse këtë mëshirë duhet blerë me çmimin e një skllavi. Fatalistët nuk propozojnë zgjidhje, por ata në pamundësi për të gjetur tjetër fat u mbetet të mbijetojnë me shpresën te mëshira. Paraja prodhon pushtet politik që gjeneron potencim vlerash në rrafshin monetar, cili nxit nevojën për mbajtjen e në “status quo” përmes çdo forme sundimi. Ka lindur saora super fuqia e së keqes, përbindëshi i parasë. Ai është zot i çdo zotërimi. Nuk ka ligje, kode morale dhe zakonore, nuk ka përulesi as bindje, nuk ka asgjë që pranon ajo, veç shumëfishimit të vetvetes me çdo çmim dhe me çdo mjet. Ajo ka blerë dhe ka shitur gjithçka dhe është vendosmërisht e pandalshme në shndërrimin çdo gjëje në çfarë ajo beson, në çfarë ajo është. Dhe… ka lindur ajo botë ku ka shumë të pasur dhe shumë të varfër. Një vijë imagjinare ndan dy realitetet që gëlojnë.

E keqja nuk mban evidencë, nuk vramendet për rregulla, ajo është vetë kaosi i menaxhueshëm nga përdorja e masës. “Kur ke mashën, pse të djegësh duart”.

“Trekëndëshi pushtet mediatik-pushtet politik-pushtet ekonomik funksionon si mekanizëm jashtëzakonisht efikas për të shndërruar në të papërfillshme gjithçka që nuk i intereson pa qenë e nevojshme të ndalohet. Dhe politika si territor i përbashkët i konfrontimit të fjalëve shpërfytyrohet ndërmjet centrizmit dhe absurditetit populist”.

Kaq kisha për t’i thënë JO ftesës tënde për protestën e sotme.

Share: