Home KRYESORE Profil / Putin betohet sot, kush është presidenti i Rusisë

Profil / Putin betohet sot, kush është presidenti i Rusisë

Rusia është “sy e veshë” nga ceremonia e betimit të Vladimir Putinit, për një mandat të katërt 6-vjeçar si president, pas fitimit të zgjedhjeve në muajin mars.

Ai është në pushtet prej 18 vitesh, qoftë si president, ashtu dhe si kryeministër, ndërsa kundërshtarët e tij e krahasojnë qëndrimin e tij me mbretërimin e një cari apo perandori.

Policia u konfrontua me protestuesit kundër sundimit të tij në Moskë dhe qytete të tjera ruse gjatë së shtunës. Më shumë se 1.000 vetë u arrestuan në demonstratat e mbajtura në 19 qytete.

Betimi i tij në Kremlin, edhe pse është raportuar të ishte më pak pompoz sesa ai i vitit 2012, sërish nisi me parakalimin e limuzinës së tij mes rrugëve të boshatisura të Moskës dhe kalorësit në anë të rrugëve.

Ankesa më e madhe mes rusëve, sipas një sondazhi të “Levada Centre”, është se Putin ka dështuar të reduktojë hendekun e pasurisë, ndërsa një ankesë më e vogël është dështimi për të rifinancuar rusët që humbën kursimet e tyre gjatë reformave të tregut.

Ndërkohë, arritja më e madhe e lavdërueshme e Putinit është rikthimi i statusit “fuqi botërore” për Rusinë, sipas të njëjtit sondazh. Ai është zhvilluar muajin e kaluar me 1.600 të anketuar në 136 qytete.

Putin u zgjodh president me mbi 76% të votave, performanca më e mirë historike e tij, por parregullsi të mëdha u raportuan nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Gjithsesi, kur të përfundojë mandatin e tij të katërt, në vitin 2024, ai do të regjistrojë qëndrimin në pushtet prej afro një çerekshekulli (24 vite). Kjo e bën atë vetëm të katërtin në radhë, pas diktatorit sovjetik Joseph Stalin, me 31 vite në pushtet, si dhe mbretërimeve të carëve rusë si Alexander II (26 vite) apo Nicholas I (30 vite).

Por kush është Putin, spiuni i bërë president? Le ta ndjekim shkurtimisht:

Viti 1952: U lind më 7 tetor në Leningrad (sot Shën Pjetërburg), qyteti i dytë më i madh i Rusisë, studioi për drejtësi dhe iu bashkua policisë sekrete KGB, duke shërbyer si një spiun në Gjermaninë Lindore.
Në vitet 1990: Pasi shërbeu si ndihmësi më i lartë i kryebashkiakut të Shën Pjetërburgut, iu bashkua Boris Yeltsinit në Kremlin në vitin 1997, ku u bë shef i FSB-së, (pasardhëses së KGB-së).
Viti 1999: U emërua kryeministër, por shumë shpejt u bë president në detyrë pas dorëheqjes së Yeltsinit.
Viti 2000: U zgjodh president dhe shërbeu për dy mandate 4-vjeçare.
Viti 2008: I ndaluar për të garuar për një mandat të tretë, tronditi analistët me rikthimin në postin e kryeministrit, ndërsa besniku i tij Dmitry Medvedev u bë president.
Viti 2012: U rizgjodh president për një mandat 6-vjeçar, bazuar mbi ligjin e ri.
Viti 2018: Rizgjidhet sërish për mandatin e katërt, edhe ky 6-vjeçar.


360grade.al

Share: