Home KRYESORE Që budallallëkun tonë mos t’ia trashëgojmë fëmijëve.

Që budallallëkun tonë mos t’ia trashëgojmë fëmijëve.

Nga Syrja Kurti

Edhe sot kishte protestë. Shumë mirë që njerëzit ndonjëherë plot por ndonjëherë edhe kot, ndonjëherë me kauza të vërteta, ndonjëherë edhe pa motive të qarta, dalin edhe protestojnë. Protesta duhet dhe është e domosdoshme aq më shumë atëherë kur pushtetarët qeverisin në mënyrën më të keqe të mundshme.

Në fakt këto tridhjetë vjet, të gjithë ata që kanë protestuar e kanë bërë keq.Individë, OJF dhe OJQ, grupime dhe parti, ndonjëherë kanë bërë më shumë se duhet dhe ndonjëherë kanë bërë më pak.Ndonjëherë ja kanë futur edhe fare kot. Pra asnjëherë nuk kanë bërë tamam atë që duhet bërë. Dhe prandaj jemi këtu ku jemi ose siç thotë Platoni”Ky qytet është ky që është sepse edhe qytetarët janë këta që janë”

Ndoshta sepse nuk na ka lënë mentaliteti ballkanik, ndoshta sepse kokat e nxehta këtu tek ne janë me shumicë, ndoshta sepse karakteri ynë është i tillë si një det me dallgë dhe të gjithë ata që e njohin sadopak detin e dinë që gjatë stuhisë edhe nëse do të shohësh brenda tij nuk mund të shquash asgjë prej turbullirës së tij.

Le t’i bëjmë të gjitha keq, protestat, tubimet, mitingjet dhe mbledhjet me shkak e pa shkak.Le të flasim broçkulla ashtu siç kemi bërë gjithnjë, le të hiqemi sipas rastit , herë si viktima dhe herë si triumfatorë. Le të pushtojmë podiumet , tribunat e sheshet duke u kapardisur si gjeli në majë të plehut,pushtuar nga një vetëkënaqësi prej idioti.Le të themi budallallëqe me okë e të bëjmë gjeste që do i kishin zili edhe të sëmurët e spitalit psikiatrik.Jemi të gjithë të falur.

Por për të falur të gjitha budallallëqet që kemi bërë prej tridhjetë vitesh kam vetëm një kërkesë.Ose më saktë një lutje.Mos t’i përziejmë fëmijët në këtë çorbën tonë që të bën për të vjellë.Mos t’i marrim me vete për t’i bërë pjesë të gjërave tona. Mos t’i përdorim si lodra sa herë që të na duhen për qëllimet tona. Mos t’i hedhim duart në qafë dhe të marshojmë me ta në tubime e mitingje ku oratorët u duken si alienë të ardhur nga kushedi se nga cila yjësi idiote e universit.

Ju lutem mos t’ia bëjmë pis fëmijërinë! Mos t’u trashëgojme fëmijëve budallallëkun tonë!

Share: